Arbëri

Tregu i gjelbër me mungesë kushtesh për punë e higjienë

Kundërmim, merimanga, mungesë e letrave higjienike dhe e ujit.

Është kjo gjendja e tualeteve të tregut ku shiten pemët, perime dhe gjëra të tjera ushqimore.

Edhe brenda tregut nuk është një gjendje më e mirë.

Shtandet e vjetra e pa mbulojë janë vendi ku shitësit ofrojnë produktet e tyre.

Sipas qytetarëve, ky treg nuk i plotëson kushtet e duhura, madje këtu shitet edhe mish.

E tregtari Isuf Miftari, i cili ka 32 vjet që shet në këtë vend, thotë se në këto 3 dekada nuk është bërë asnjë investim.

“Qe 32 vjet ky treg është veç keq e ma keq. Kanë dhënë premtime, na u ka marrë vota, kemi me jua ndreq tregun, e asnjëherë hiç. Unë qe 32 vjet punoj këtu dhe nuk kam mund të zë një vend se tregu është i prishur, me tezga të prishura. As me karrocë nuk mundesh me hy me ble mall. As nuk ka parkingje ku të ndalen qytetarët dhe të hyjnë në treg që të blejnë. Jemi në kushte shumë të vështira. Gjithë kemi pengesa”, tha Miftari.

Sipas tyre, ndërtimi i tregut të ri është shumë i nevojshëm, pasi kjo po ndikon direkt edhe te klientët.

Në janar të këtij viti AKP-ja ka kontraktuar kompaninë “Pastrimi” që të kujdeset për mirëmbajtjen e tregut vetëm për gjashtë muaj.

Sipas “Pastrimit”, përkujdesja për këtë treg bëhet në baza ditore, megjithatë, tualetet nuk janë nën kompetencën e tyre.

“Shërbimi në këto tregje kryhet në baza ditore, ku bëhet largimi i mbeturinave. Në tregjet që ne i mirëmbajmë hedhin mbeturina edhe krijuesit e tjerë të tyre, edhe pse nuk kanë kontratë me kompaninë ‘Pastrimi’ dhe në këtë mënyrë po dëmtohemi pasi largojmë më shumë mbeturina sesa e kemi të caktuar në kontratë. Brenda kësaj kontrate parashihet, sipas kërkesës, të bëhet edhe larja e fshirja e tyre. Kompania ‘Pastrimi’ nuk i menaxhon tualetet”, tha zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnora Ademi.

Në anën tjetër, ka disa vite që ndërtimi i tregut të ri që pritet të kushtojë 1.5 milionë euro bartet nga buxheti në buxhet dhe ende nuk është ndërtuar.

Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se sapo të zgjidhin disa probleme teknike, shumë shpejt do fillojnë edhe punimet e tij.

Sipas tij, në pjesën e brendshme do të jetë tregu i gjelbër, ndërsa në pjesën e jashtme do të jenë lokalet e zejtarëve dhe të tjerat.

“Tregu i ri është i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, ka disa probleme teknike që shumë shpejt do t’i zgjidhim. Javën tjetër do t’i kontaktojmë edhe përfaqësuesit e lokaleve për dakordimin e zhvendosjes së tyre. Na duhet edhe marrëveshja për lirimin e tyre dhe shpresoj që shumë shpejt do të jemi në punimet e fillimit të tregut. Është një projekt i cili ka kaluar nëpër shumë faza dhe si i tillë besoj që do të ekzekutohet. Përgjegjësi e Komunës janë përfaqësuesit e lokaleve. Do të jetë edhe plani dinamik se deri kur do të jetë. Në pjesën e brendshme është tregu i gjelbër, ndërsa në tregun e jashtëm lokalet zejtare dhe të tjerat”, tha Xhaferi.

Sa i përket projektit, Xhaferi thotë se ka pasur mundësi edhe më të mirë të realizimit.

“Ka qenë kontrata e përfunduar, sepse mundësi teknike të realizimit të projektit ndoshta edhe më të mirë ka pasur të bëhet në atë pjesë, siç janë dy nivele të parkingjeve dhe jo një. Por ne tani duhet të realizojmë projektin ekzistues, i cili është i nënkontraktuar për të vazhduar tutje, por si e vazhdojmë tutje e shohim në vazhdim”, Xhaferi.

Ndryshe, ky treg është nën menaxhimin e AKP-së, ku kanë paralajmëruar se janë në diskutim që ndërmarrja të kalojë nën Komunën e Prishtinës.