Arbëri

Padi ndaj Komunës së Prishtinës për sulmin nga qentë endacakë

Kafshime në këmbë dhe ije, janë lëndimet që ka marrë nga një grup i qenve endacakë.

Punonjësi i KOHËS, Fidan Imeri, rrëfen se ka marrë edhe trauma pas sulmit që i ndodhi ditë më parë, gjatë kohës që kalonte nëpër oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Për shkak se banon në rrugën “Agim Ramadani”, atij i bie shpesh të frekuentojë pjesën ku qentë endacakë e kanë bërë si territor të tyre.

“Të shtunën, pasi e përfundova orarin e punës, isha duke shkuar në shtëpi dhe ata kishin qenë një llavë e qenve duke u sulmuar në mes vete, siç bëjnë luftë për territore ata. I pashë që janë të egërsuar dhe u ndala. Si u ndala njëri prej tyre erdhi në drejtim timin me një shpejtësi dhe unë u ndala dhe fillova t’ iu them ‘qyp’. Njëri prej tyre më kafshoi në këmbë. U mundova ta sulmoja dhe pastaj erdhi tjetri dhe më rrëzuan, filluan të më sulmonin. Në ato momente nuk e di se sa kanë qenë, por ishin bukur shumë. Njëri tentoi të më kafshonte në fytyrë, atë e largova. Tjetri tentoi në fytyrë dhe fyt, por fal Zotit që pata fuqi dhe mundësi me i larguar. Gjatë atij sulmi njëri më kapi dhe më tërhoqi këtu në ije, më kafshoi bukur shumë dhe në këtë mënyrë filloi të më lëshonte fuqia, se pata edhe gjakderdhje dhe më nuk munda të qëndroja. Por, për fat, ata si e kryen misionin e vet u larguan dhe e mora një taksi e shkova në spital”, tha Imeri.

Pasi ka marrë trajtimin në Emergjencë, rastin e ka paraqitur edhe në polici. Ai ka paralajmëruar se do të bëjë edhe padi ndaj Komunës së Prishtinës, pasi ky nuk është rasti i vetëm që e kanë sulmuar.

“Po mendoj dhe po planifikoj ta padis, sepse nuk e kam sefte unë këtë punë, më ka ndodhur që edhe ushqimin prej dorës ma kanë marrë vetëm ta shpëtoja veten. Ne që jemi më të rritur kemi mundësi edhe t’iu kundërpërgjigjemi në ndonjë mënyrë, por fëmijët nuk munden. Një grua me fëmijët e vet e patën bo llom krejt. Dikush duhet të marrë masa”, tha Imeri.

Në vendin ku ka pësuar Imeri, Komuna e Prishtinës ka vendosur një pikë ushqyese për qentë endacakë, e cila është njëra nga 18 pikat e reja në qytet.

“Në bazë të analizave në zonat ku ka pasur pika ushqyese nuk ka pasur sulme të qenve endacakë, dhe për këtë kemi marrë menjëherë masa që të ngremë pika në të gjitha zonat e qytetit. Po vazhdojmë të analizojmë situatën dhe të përmirësojmë sa më shumë që mundemi. Përveç këtyre pikave që i kemi marrë, e kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të na lejuar të ndërmerrnim masa, siç është nevoja”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas tij, problem më serioz janë qentë që lirohen në rrugë nga vetë qytetarët.

“Rregullorja që shtyn secilin pronar të regjistrojë qentë, pra vetëm jemi duke u marrë me të, edhe niveli qendror. Nëse e lëshojnë qenin me pasë përgjegjësi, sepse problem kyç janë ata që nuk janë të sterilizuar dhe nuk janë të kastruar, mbahen prej pronarëve privatë dhe pas një kohe i lëshojnë në rrugë. Dy qen që nuk janë të kastruar apo të sterilizuar gjatë periudhës kohore të jetës së tyre mund të shumohen deri në 64 mijë qen, pra është një problem i madh nëse nuk i përmbahemi këtij rregulli”, tha Rama.

Megjithëse janë ndarë 46 mijë euro dhe Komuna thotë se ka filluar me kastrimin dhe sterilizimin e tyre, sulmet nga qentë endacakë nuk po ndalen.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet tregojnë se javëve të fundit është shtuar numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë, pas kafshimit nga qentë.

“Qentë endacakë po shtohen. Gjithashtu edhe rreziku nga kafshimi i qeneve dhe nga infektimi i tyre po shtohet vazhdimisht”, deklaroi doktoresha Drita Peqani.

Peqani tregon edhe rrezikun për shëndetin që bart kafshimi nga qentë.

“Për shkak të ushqyeshmërisë nëpër rrugë, për shkak se në jargën e qenve gjenden baktere dhe viruse të ndryshme, atëherë edhe mundësia e infeksionit është shumë e madhe. Dy sëmundjet që janë më të rrezikshmet nga kafshimi i qenit janë tetanusi dhe tërbimi”, tha doktoresha.

Kompetencat janë bartur në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës tash e 2 vjet, por kjo nuk e ka përmirësuar trajtimin e qenve endacakë.