Arbëri

Retkoceri: Komuna e Prishtinës ka dështuar në menaxhimin e projekteve

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leotrim Retkoceri, e ka konsideruar dështim total menaxhimin e kryetarit Shpend Ahmeti gjatë këtij mandati, për faktin se sipas tij, nga viti i kaluar kanë tepruar 46 milionë euro buxhet.

Sipas tij, nëse gjatë një periudhe kur vendi është përballur me pandeminë, teprimi i kësaj shume, mund të konsiderohet si keqmenaxhim apo dështim total.

“Kjo qeverisje na ka përcjell për vjet të tëra sepse si çdo qeverisje populiste edhe Shpendi në fillim ka ardhur duke manipuluar me problemet dhe jo duke gjetur zgjidhje për t’i dhënë zgjidhje të vërtetë problemeve, kjo mendoj që është treguesi më i mirë se nuk është menaxhuar mirë ku në një kohë që Prishtina ka pasur nevojë të zhvillojë investime kapitale edhe bizneset ku qytetarët janë më afër prekjes se mjeteve dhe në shërbim të infrastrukturës, pra kemi parë që ka stagnim në këtë pjesë”, ka thënë ai për EO.

Retkoceri thotë se Ahmeti nuk ka arritur që të realizojë as 20 të premtimeve të bëra, duke mosarritur që të përmbushen as një për qind e nevojave të qytetarëve.

“Uroj që në zgjedhje tjera Prishtina mos ta pësojë fatin e njëjtë që të ketë një qeverisje që u humb plot tetë vjet. Pra janë tetë vjet të humbura për Prishtinën dhe nuk mendoj që qytetarët e Prishtinës kanë më kohë që t’ia besojnë votën e tyre dikujt që nuk mund të realizojë as 20% të premtimeve të tij e lë më 1% të nevojave që ka kryeqyteti jonë”.