Arbëri

Komuna premton: Prishtina do të bëhet me lumë

Prishtevka dhe Vellusha, ishin dy lumenjtë e kryeqytetit, të cilët u mbuluan vite më parë dhe u shndërruan në rrjet kanalizimi.

Nga atëherë Prishtina njihet si qyteti pa lumë. Por, kjo nuk do të jetë kështu edhe për kohë të gjatë.

Me projektin e paraparë për rrugën A, pritet të fillojë edhe ndërtimi i shtratit të një lumi përkrah kësaj rruge.

Duke filluar nga lagjja Mati I e deri në Kalabri, lumi parashihet të jetë 5 kilometra i gjatë, dhe 8 metra i gjerë.

Drejtori për investime kapitale, Gëzim Mehmeti, ka treguar se projekti që pritet të kushtojë 10 milionë euro, shumë shpejt do të iniciohet.

“Me projektin e ri të rrugës A, Prishtina do ta ketë lumin...E kemi planin, kemi një marrëveshje për Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëfinancim. Ky projekt do të iniciohet në fund të muajit mars, projekti ka ndarje buxhetore, është planifikuar të fillojnë procedurat dhe me përfundimin e procedurave, fillon ndërtimi i rrugës A dhe i lumit të Prishtinës”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti tregon edhe vendin nga fillon lumi.

“Nga pjesa e poshtme afër KRU ‘Prishtinës’, deri në Matiçan, me lidhje me unazën e brendshme. Nëse është gjatësia 5.5, lumi është i paraparë 5 kilometra”, ka thënë ai.

Ministria e Infrastrukturës pritet ta financojë këtë projekt me afër 7 milionë euro.

“Ministria e Infrastrukturës përmes memorandumit të bashkëpunimit, është vetëm financuese e ndërtimit të rrugës A, me një buxhet të paraparë prej 6 milionë e 800 mijë eurosh”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Me këtë projekt pritet të zgjidhet edhe një problem i kamotshëm i banorëve të lagjes Mati I.

Banorët e kësaj zone kanë bërë kërkesa të shpeshta për mbylljen e këtij përroi. Për këtë kanë humbur shpresat se do të fillojë ndërtimi i rrugës A dhe i shtratit të lumit.

“Na pengojnë shumë, janë hapur, ka rreziqe për fëmijët, për banorët. Kam bërë kërkesë dy apo tri herë në komunë dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë. Prej që kam ardhur këtu është e hapur. Ata flasin, por veç nëse e sjellin lumin prej largu se lumë këtu s’ka mbetur, këtu janë veç ujërat e zeza. Le të bëhet Rruga A, lumin le ta lënë një herë tjetër ta bëjnë... Edhe katër mandate shkon kështu, nëse e presim mirë, që jo kurrgjë kurrkujt”.

Ndërsa, Ismet Ismajli, i cili jeton në këtë pjesë qe 50 vjet, tregon se përpara e kanë përdorur këtë ujë edhe për ujitje të kopshteve, porse tani është e pamundur.

Përroi i Matiçanit është degë e lumit Prishtina, një pjesë e të cilit u mbulua në vitin 1970.