Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Maliqi lufton për medalje të bronztë në Evropian

Betim Maliqi

Karateisti i Kosovës, Betim Maliqi, ka humbur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Yerevan të Armenisë. Maliqi të shtunën do të luftojë për medalje të bronztë.

Maliqi, që garon në kategorinë deri 75 kilogramë, u mposht ngushtë, 1:0, në gjysmëfinale nga karateisti i Malit të Zi, Nemanja Mikuliq. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Maliqi në raundin e katërt mposhti karateistin nga Ukraina, Andrii Zaplitnyi. Më herët kaloi kroatin Ivan Martinac dhe rumunin Gabriel Aurelian Iodache.

Edhe Jakup Ajdari e nisi mirë Evropianin. Në luftën e parë mposhti kampionin evropian të vitit të kaluar, grekun Konstantinos Mastrogiannis. Në luftën e dytë eliminoi çekun Jachym Tinavsky, ndërsa e fitoi edhe luftën e tretë. E mposhti karateistin e Armenisë, Gor Nersisyan. Por lufta u përsërit. Luftën e përsëritur e fitoi armeni dhe kështu kosovari humbi mundësinë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Elmedina Istogu kaloi me sukses xhiron e parë në kategorinë deri 61 kg. E mposhti 4:2 sllovaken Anna Vaczy. Por, e humbi 11:5 luftën e dytë, me rumunen Mihaela Miruna Malauta. 

Fortesa Orana dhe Vlera Qerimi u ndalën në luftërat e para. Orana, në kategorinë mbi 68 kilogramë, humbi 7:2 nga belgia Ophelie Mulolo. 

Qerimi (61 kg) u mposht 2:1 nga karateistja e Maqedonisë së Veriut, Angela Mojsovska.
Në xhiron e parë në kata u ndal Alma Loki. Ajo u eliminua nga ukrainasja Halyna Zaporozhchenko.

Në ditën e dytë të Evropianit do të paraqiten Redona Gashi (50 kg), Anila Foniqi (55 kg), Islam Selmani (60 kg) dhe Shpresim Shabani (67 kg).

Kosova do të paraqitet edhe në garat ekipore.