Lokalet 2021

Shkolla të reja në Prishtinë e “pazar” të transformuar në Ferizaj, premtojnë Rama e Halimi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Përparim Rama, në ditën e fillimit të mësimit u ka premtuar nxënësve të kryeqytetit ndërtimin e 7 shkollave të reja. E në Ferizaj, kandidatja Sibel Halimi ka premtuar transformimin e tregut të qytetit me hapësira e parkingje nëntokësore

Në ditën kur nxënësit filluan vitin e ri shkollor, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dhënë premtime për ndërtim e rregullim të infrastrukturave shkollore. Gjatë së hënës, pretenduesit për kryetarë të komunave kanë premtuar përmirësimin dhe krijimin e kushteve për tregtarët, zhvillimin e turizmit e modernizimin e hapësirave në stacionet e autobusëve.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, ka premtuar ndërtimin e shtatë objekteve shkollore në Prishtinë. Sipas analizave që kanë bërë, Rama thotë se kanë vërejtur mungesën e këtyre objekteve të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, të cilat ka thënë se do t’i ndërtojë në mandatin e parë.

“Një shkollë në lagjen ‘Sofalia’, një në lagjen ‘Kodrina’. Një shkollë në lagjen ‘Qëndresa’, një në lagjen ‘Përroi i Njelmët’. Një shkollë në lagjen ‘Kalabria’, një në lagjen ‘Kodra e Trimave’ e një tjetër në lagjen ‘Prishtina e re’”, ka thënë Rama.

Përveç tyre, ai ka shtuar se në mandatin e tij do ta ndërtojë edhe Liceun Artistik, në bashkëpunim me MASHT-in, i cili përfshin: Shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit, shkollën e artit, të dramës dhe të gazetarisë.

Se do të angazhohet për infrastrukturë shkollore është zotuar edhe kandidati i kësaj partie për Kaçanikun, Shkëlqim Jakupi, i cili ka thënë se shkolla në Kaçanikun e Vjetër nuk e plotëson asnjë kusht elementar të institucionit arsimor.

“Vetëm një kryetar i fuqishëm dhe i përgjegjshëm, me një ekip profesionistësh mund dhe do t’i mbrojë fëmijët dhe banorët e asaj pjese nga rreziku i shëndetit publik”, ka deklaruar ai. Në tubimin që Jakupi mbajti të hënën, të rrallë ishin personat që mbanin maska.

Në Ferizaj, kandidatja për kryetare, Sibel Halimi, u ka premtuar tregtarëve që do t’ua përmirësojë kushtet. Ajo ka thënë se do të krijojë treg multifunksional me dy nivele nëntokësore, parking nëntokësor për 200 vetura, hapësirë të mbyllur për treg ditor dhe lokale për tregtarët brenda hapësirës së tregut.

“Ne e kemi një ide të jashtëzakonshme me ia kriju njëfarë strehe pazarit. Ideja jem e parë është kjo, sepse asnjëherë nuk kam mundur t’ju shoh kështu në këto kushte”, është shprehur Halimi.

Pas një vizite që ka bërë në një lagje të Rahovecit, ku mungon asfaltimi i rrugës e kanalizimi, kandidati i LDK-së, Burim Krasniqi, është marrë me qeverisjen aktuale të Komunës dhe premtimet e kryetarit Smajl Latifi për mandatin e tretë.

“Qeverisja aktuale po luan me ndjenjat e qytetarëve, pasi në njërën anë po jep premtime “qiellore”, kurse banorëve u mungojnë edhe kushtet elementare për jetesë”, ka theksuar ai.

E kandidati për Gjilanin, Lutfi Haziri, të hënën ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku ka theksuar se do të vazhdojë programi për familjen – Mjeku n’Shpi. Ai ka thënë se Gjilani është e vetmja komunë që ka ofruar shërbime shëndetësore në shtëpi për pacientët e prekur nga COVID-19. Një vizitë tjetër ai e ka zhvilluar edhe në ndërmarrjen publike lokale të Stacionit të Autobusëve, ku është zotuar për modernizimin e hapësirave të stacionit.

“Pata kënaqësinë të zhvilloj takim me menaxhmentin e ndërmarrjes publike lokale, Stacioni i Autobusëve, dhe përfaqësuesit e shoqatës së transportuesve “Anamorava”, për t’ju konfirmuar se në vitin e ardhshëm fillojmë me implementimin e projektit të madh për këtë ndërmarrje. Stacioni i Autobusëve do të bëhet më moderni në rajon, derisa sipas projektit do të punohet në dy faza”, ka thënë Haziri.

Në Istog, kandidati Ilir Ferati pas një vizite me bjeshkatarë tregoi se në planin e tij parashohin investim në turizëm, respektivisht shndërrimin e bjeshkëve të Istogut në oferta treditore për turistët vendorë e të huaj.

Ardhja e kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, Edi Rama, dhe takimi i tij me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka shtyrë kandidatin për Prizrenin, Anton Quni, që ta anulojë agjendën e fushatës zgjedhore për ditën e hënë.