Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja në Shtime premton 200 mijë euro për menaxhim të pandemisë

Zotimet për sektorin e shëndetësisë kanë qenë zotimet e radhës që disa nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shpalosur këtë të shtunë.

Përmes një videoje në “Facebook”, kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Adnan Rrustemi, është zotuar për hapjen e disa ambulancave të reja në disa lokacione e kushte të përshtatshme të punës për mjekë e stafin shëndetësor.

E Qemajl Aliu, që synon të qeverisë me Komunën e Shtimes, ka premtuar 200 mijë euro shtesë për menaxhimin e COVID-19.

E ndërtimin e Tregut të Gjelbër për prodhuesit dhe tregtarët e Vushtrrisë, e ka premtuar kandidati për kryetar të kësaj komune, Arsim Rexhepi.

“Prodhimi vendor për shumë arsye duhet të mbështetet, të ndihmohet e të ruhet. Përmes tij ne ndihmojmë bujqit tanë që të zhvillohen e të përparojnë, ndërsa bashkë zhvillojmë një kulturë të blerjes dhe konsumimit vendor”, ka thwnw Rexhepi.

Mbështetje Agim Bahtiri, kandidat për kryetar të Mitrovicës së Jugut, ka marrë edhe nga ministri i Infrastrukturës e Mjedisit, Liburn Aliu.

“Projektet që lidhen me Mitrovicën janë projekte që ndikojnë në gjithë Kosovën. Përgatituni për fitoren e radhës, dijeni që qeverisja qendrore është pranë Mitrovicës edhe më shumë se mbase komunat e tjera”, ka potencuar Aliu.

Derisa kryetari aktual i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili synon edhe një mandat në këtë komunë, ka vendosur që të ndajë përmes një videoje punët që ka bërë në fshatin Has e Gjonaj të kësaj komune.

Ai ka thënë se gjatë 4 vjetëve kanë rregulluar rrugë, kanalizim e ujësjellës.