Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja synon kthimin e Podujevës, prioritizon rininë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zgjedhur t’i japë mbështetje kandidatit për Podujevën, Komunë kjo të cilën e humbën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar pas një udhëheqjeje të gjatë me të. Në Llap, LDK-ja i ka prioritizuar rininë e shëndetësinë, derisa në komunat e tjera kandidatët janë zotuar edhe për furnizim me ujë e trajtim të mbeturinave.

Komunën që e humbën në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ta kthejë në tetor të këtij viti.

Në Llap, kandidatit Ekrem Hyseni ka shkuar për t’i dhënë mbështetje kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Aty Abdixhiku pati fjalët më të mira për Hysenin, duke thënë se partia që udhëheq mburret me të.

Pas disa takimeve që ka pasur në Prizren, kandidati Anton Quni është shprehur se programi i tij qeverisës e zgjidh problemin e furnizimit me ujë për të gjithë banorët, ndërsa për problemet e tjera infrastrukturore, ai është zotuar se do t’i rregullojë që në vitin e parë të qeverisjes.

Në Mitrovicë, kandidati Armend Agolli ka zgjedhur të merret me kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri.

Ndërsa kandidati për Gjakovën, Teki Shala, pas një vizite në një çerdhe private, është zotuar se me ardhjen e tij në krye të Komunës, në dy vjetët e parë do të ndërtojë katër çerdhe në katër regjione të Komunës dhe dy të tjera brenda qytetit.

Takime me qytetarët ka pasur edhe kandidatja për Ferizajn, e cila ka shpalosur programin e saj për mbledhjen dhe riciklimin e mbeturinave.