Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Abdixhiku: Më 17 tetor do ta rikthejmë LDK-në e Ibrahim Rugovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas një vizite që ka bërë në fshatrat e Dukagjinit ka thënë se këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme, meqë bashkë me to, sipas tij, po synojnë ta rikthejnë LDK-në e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Kandidatët e kësaj partie derisa kanë shpalosur programet janë zotuar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, rritje të cilësisë në arsim e shëndetësi

Përmirësim e fuqizim të pozitës së gruas në shoqëri kanë premtuar kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimet e tyre me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore. Pos kësaj, në shumë fshatra e qytete janë premtuar projekte të shumta infrastrukturore. Zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia ishin disa nga prioritetet e programit që i ka shpalosur kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, para kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, e qytetarëve të Junikut.

Në këtë tubim elektoral, Abdixhiku ka thënë se prioritetet e Shehut janë projekte zhvillimi për Junikun. Ai është shprehur se rikthimi i LDK-së gurët e parë do t’i vendosë në Dukagjin, duke shtuar se zgjedhjet e tetorit janë të jashtëzakonshme, sepse sipas tij bëhet fjalë për rikthimin e Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës.

“Në zgjedhjet e 17 tetorit i keni dy alternativa të thjeshta, të parët ata që u ka humbur apetiti të merren me Junikun dhe të dytët puna e Ruzhdisë me bashkëpunëtorë e të gjithë ne që kemi interesim të jashtëzakonshëm ta fitojmë e zhvillojmë Junikun tash edhe 4 vjet”, ka thënë Abdixhiku.

E kandidati Ruzhdi Shehu, derisa ka shpalosur programin, ka thënë se ndër planet kryesore të tij është edhe zhvillimi i turizmit në këtë komunë.

“Në mandatin tim 4-vjeçar në Bjeshkët e Junikut do të ndërtohet kompleksi turistik Gjeravica, e cila është ëndërr e kamotshme e junikasve. Natyrisht se këtij projekti i paraprin përfundimi i rrugës Junik-Bjeshkë si dhe masterplani për kompleksin turistik Gjeravica, që do të jetë në shërbim të turizmit veror dhe dimëror”, ka deklaruar Shehu.

Pas Junikut, në vizitën e tij në Dukagjin, kreu i LDK-së mbështetje i ka dhënë edhe kandidates për Deçanin, Hyri Dobrunaj.

E në kryeqytet, kandidati Përparim Rama ka shpalosur pika të programit që kanë për qëllim fuqizimin e gruas. Ai ka thënë se do të ofrojë mbështetje për nënat beqare dhe gratë e moshuara.

“Ne do të ofrojmë përkrahje financiare për bizneset dhe OJQ-të, të cilat menaxhohen nga gratë, si dhe për bizneset që i punësojnë ato. Fokusi ynë do të jetë promovimi i bizneseve të grave përmes ekspozimit të produkteve të tyre. Gratë meritojnë më shumë poste vendimmarrëse dhe ne zotohemi se në mandatin tonë do ta realizojmë këtë”, ka thënë Rama.

Kandidati për Fushë-Kosovën, Burim Berisha, ka dhënë disa zotime për fshatin Vragoli. Ai ka thënë se do të përfundojë rregullimi i shtratit të lumit Sitnica dhe Drenica, dhe e gjithë infrastruktura rrugore, derisa ka shtuar se ambulanca aty do të punojë 5 ditë të javës. Investimet në këtë fshat, Berisha ka thënë se do të kushtojnë 590 mijë euro.

Investime infrastrukturore për fshatra kanë dhënë edhe kandidati i LDK-së për Suharekën, Ardian Shala, pas një vizite në fshatin Grejkoc.

“Ndërtimin e rrugëve lokale në Grejkoc, ndërtimi i trotuarit nga lapidari deri tek ura, rregullimi i shtratit të lumit përgjatë rrugës ‘Selajdin Kurtishaj’ dhe ‘Hashim Kurtishaj’ me gjatësi prej 500 metrash, rregullimi i ujësjellësit në lagjen “Plishi”, ka thënë Shala.

E në Mitrovicë, kandidati Armend Agolli ka shpalosur planet e tij për arsimin. Ai ka thënë se do ta ndërtojë qendrën e teknologjisë dhe inovacionit për profesionalizimin dhe përgatitjen për treg të punës së studentëve në drejtime të ndryshme si informatikë, arkitekturë, ekonomi e juridik.

Në Malishevë, kandidati Bajrush Hoti ka vizituar Bibliotekën e qytetit, e cila siç ka thënë ai ka probleme të shumta ndër to edhe mungesë të energjisë elektrike. Ai ka premtuar se kjo bibliotekë do të ketë trajtim të veçantë si në rregullimin e kushteve teknike të objektit e po ashtu edhe në pasurimin e bibliotekës me tituj dhe literaturë më të kompletuar, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës.

Fushatë ka zhvilluar edhe Imri Ahmeti, kreu aktual i Lipjanit, që po synon edhe një mandat, por atë e ka bërë në kundërshtim me masat anti-COVID, pa mbajtje maske e pa respektim distance.