Qytetarëve të Prizrenit, kandidati i LDK-së për kryetar, Anton Quni u ka dhënë të premten një varg zotimesh për përmirësim të cilësisë së jetës me infrastrukturë e shërbime të tjera. Në programin për Prizrenin, mes tjerash, Quni në plan ka edhe një projekt që ishte premtuar, por nuk ishte bërë në kohën e qeverisjes së LDK-së me Prizrenin para më shumë se 8 vjetëve, ndërtimin e teleferikut
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, të premten u njoftua prej afër me hallet e banorëve të lagjes “2 korriku”, ku kërkoi mbështetje edhe për kandidatët për asamble nga ajo pjesë. Banorët u ankuan kryesisht për mungesë të rrugëve e për telashe me shtyllat elektrike. Ata thanë se për të gjitha problemet është dashur të intervenojnë me mjete vetanake pasi që nuk e kanë pasur fokusin e Komunës. Sipas Qunit, kjo ndodh në vendet ku nuk ka angazhim e planifikim të mirë. Ai u premtoi banorëve që në ditët e para të qeverisjes do tu gjejë adresë problemeve. “Me ardhjen tonë në qeverisje menjëherë do të merremi me sanim të situatës deri në normalizim të saj. Duhet të paraprihet me infrastrukturë që të mos ketë nevojë pastaj që të merremi me pasoja. Uji, rryma, ndriqimi, rrugët, trotuaret, udhëkryqet e të tjera, janë të gjitha masa që duhet të ndërmerren”, ka thënë Quni.
Përveç kësaj lagjeje, bashkë me ekipin e tij ai ka marshuar rrugëve të qytetit duke dëgjuar individualisht problemet e banorëve. Për prizrenasit, Quni shpalosi një sërë projektesh për trajtim të ujërave të zeza, kujdes për infrastrukturën, vendosjen e qendrave të informimit për turistët, por e dha edhe një premtim që kishte qenë projekt i ish-qeverisjes së LDK-së në Prizren e që nuk ishte realizuar.
“Në projektin tonë është edhe ndërtimi i teleferikut i cili diku në gjatësi 80 metra vijë ajrore do të fillojë nga Marashi deri tek një pjesë e kalasë e cila besoj që do t’u lehtësojë të gjithë të interesuarve vizitimin e kalasë por do të gjenerojë edhe vende të reja të punës”, ka deklaruar kandidati i LDK-së. Ai premtoi edhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e cila sipas tij, nga qeveria aktuale është lënë në harresë.
Gjatë së premtes, programin e ka shpalosur edhe kandidati i LDK-së për Podujevën, Ekrem Hyseni. Prioritetet e Hysenit për Podujevën janë ndërtimi i spitalit, ngrohtorja e qytetit, arsimi i orientuar në tregun e punës, Liqeni i ri akumulues e Podujeva digjitale e urbane.
“Prioritet do të jetë ndërtimi i spitalit të Podujevës ne do të asistojmë me punë intensive me të gjitha institucionet qendrore që ky spital të ndërtohet dhe funskionalizohet sa më shpejtë dhe poashtu do bashkëpunojmë me donatorët për të siguruar pajisje bashkëkohore”, ka thënë Hyseni.
Në kuadër të fushatës, takime ka zhvilluar edhe pretendenti për të parin e Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka takuar gra nga forumi i LDK-së të cilat i kanë kërkuar barazi në trashëgimi e punësim si dhe inspektime nëpër shkolla e rritje të standardit. Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të 17 tetorit do të ketë përqindje më të madhe të grave në menaxhim të Komunës së Prishtinës.
“Kemi mungesë të çerdheve publike, sepse ato private i kemi. Meqenëse çerdhet publike kushtojnë 50€ e ato private 120€, nuk është e domosdoshme t’i ndërtojmë ato publike, ne mendojmë ta fuqizojmë prindin me një token apo vlerë prej 70€, ku me llogaritjet tona kjo është një zgjedhje mjaft e mirë për ta ndihmuar prindin në aspektin e çerdheve, sidomos do të ishte ndihmesë ndaj gruas”, ka thënë Rama.
Në Ferizaj, kandidatja, Sibel Halimi u ka premtuar mbështetje zejtarëve të qytetit nëpërmjet subvencioneve dhe graneteve. E në Vushtrri, Xhafer Tahiri, u zotua për disa projekte në Lumadh, si ndërtimi i urës, fushave të futbollit, riasfaltimin e rrugës që lidh lumin e Madh me Stanocin e disa projekte të tjera.
Ndërsa, Hyri Dobrunaj kandidate për kryetare të Decanit pas vizitës në Isniq ka thënë se ky fshat është pasqyra më e mirë e qeverisjes së keqe të AAK-së në Deçan. Nga takimi me banorët ajo thotë se është njoftuar për qendrën jofunksionale të mjekësisë familjare ku nuk ka mjekë tash sa muaj, me mungesën e ujit të pijes, ujëra të zeza në sipërfaqe, me zyrën e gjendjes civile e cila ëhstë shkatërruar pa u vënë në funksion asnjëherë, me shtëpinë e kulturës që ka mbetur në gjendje të mjerueshme e për rrugët me gropa dhe të pa asfaltuara gjithandej fshatit.
“Të gjitha këto probleme i kemi në planin tonë për investime në Isniq, por me prioritet mbetet, uji i pijes, kanalizimi dhe ndriçimi publik, pastaj të gjithë sektorët tjerë me radhë. Me 17 Tetor LDK do të jetë adresa politike që i jep fund diskriminimit politik për Isniqin”, ka deklaruar ajo.