Lifestyle

Roli i hormonit të lumturisë në sëmundjen e Parkinsonit

Parkinson

Parkinson

Studim i udhëhequr nga shkencëtarët e Universitetit McGill ka vënë në dyshim një ide të kahershme për rolin që ka dopamina në lëvizje.

Dopamina, neurotransmetuesi i rëndësishëm, është hormoni në tru e trup, që shërben si pjesë e rëndësishme e sistemit të ndjenjave të “shpërblimit”, të cilat e bëjnë njeriun të ndiej kënaqësi e motivim. Ky hormon gjithashtu kontrollon kujtesën, disponimin, të mësuarit, fokusin dhe funksionet e tjera të trupit si ritmi i rrahjeve të zemrës dhe funksionit të veshkave. Dopamina lirohet nga aktivitet e pëlqyeshme, si të ngrënit e ushqimit të preferuar dhe arritja e qëllimeve. Por disbalancimi i saj lidhet me raste si sëmundja e Parkinsonit, ADHD-ja dhe varësia.

Sipas rezultateve, të publikuara në revistën Nature Neuroscience, dopamina nuk kontrollon drejtpërdrejt shpejtësinë apo forcën e lëvizjes, siç mendohej më parë. Përkundrazi, ajo krijon kushtet bazë që lëvizja të ndodhë, ka raportuar Science Daily.

“Gjetjet tona sugjerojnë se duhet ta rishikojmë rolin e dopaminës në lëvizje. Rikthimi i dopaminës në një nivel normal mund të jetë i mjaftueshëm për të përmirësuar lëvizjen. Kjo mund të thjeshtojë mënyrën si e mendojmë trajtimin e Parkinsonit”, ka shpjeguar Profesori Nicolas Tritsch, autor kryesor i studimit dhe pedagog në Departamentin e Psikiatrisë në McGill.

Roli i dopaminës në sëmundjen e Parkinsonit

Dopamina luan rol të rëndësishëm në atë që quhet “energjia e lëvizjes”, aftësia për të lëvizur shpejt dhe me forcë. Tek personat me Parkinson, qelizat e trurit që prodhojnë dopaminë dëmtohen gradualisht, duke shkaktuar simptoma si lëvizje të ngadalta, dridhje dhe probleme me ekuilibrin.

Ilaçi më i përdorur për Parkinsonin, levodopa, ndihmon duke rritur nivelin e dopaminës në tru. Megjithatë, për një kohë të gjatë shkencëtarët nuk e kishin të qartë pse ky ilaç ishte kaq efektiv.

Studime të mëparshme kishin zbuluar rritje shumë të shkurtra të dopaminës gjatë lëvizjes, gjë që çoi në idenë se dopamina kontrollon drejtpërdrejt intensitetin e saj. Studimi i ri e sfidon këtë mendim.

Dopamina si mbështetje, jo si kontrollues i shpejtësisë

Sipas studiuesve, dopamina nuk vepron si një kontrollues i momentit të lëvizjes, por ka një funksion më bazë.

“Në vend që të veprojë si pedali i gazit që përcakton shpejtësinë e lëvizjes, dopamina funksionon më shumë si vaji i motorit. Ajo është e nevojshme që sistemi të funksionojë, por nuk është sinjali që vendos sa shpejt kryhet çdo veprim”, ka shpjeguar Tritsch.

Matja e dopaminës në kohë reale

Për të testuar këtë teori, studiuesit kanë monitoruar aktivitetin e trurit te minjtë ndërsa ata shtypnin një levë me peshë. Duke përdorur një metodë të bazuar në dritë, ata arritën të aktivizonin ose çaktivizonin qelizat që prodhojnë dopaminë gjatë vetë lëvizjes.

Nëse shpërthimet e shpejta të dopaminës do të kontrollonin forcën dhe shpejtësinë e lëvizjes, ndryshimi i nivelit të dopaminës në atë moment do të duhej të kishte efekt. Por rezultatet treguan se nuk kishte asnjë ndryshim në mënyrën e lëvizjes së minjve.

Kur u testua levodopa, u vu re se ilaçi përmirësonte lëvizjen duke rritur nivelin e përgjithshëm të dopaminës në tru, jo duke rikthyer rritjet e shkurtra të saj gjatë lëvizjes.

Drejt trajtimeve më të sakta për Parkinsonin

Aktualisht, mbi 110,000 kanadezë jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit, dhe ky numër pritet të dyfishohet deri në vitin 2050 për shkak të plakjes së popullsisë.

Sipas studiuesve, kuptimi më i mirë i mënyrës se si funksionon levodopa mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja, që synojnë mbajtjen e niveleve të qëndrueshme të dopaminës, në vend të ndërhyrjes në sinjale të shpejta dhe të paqëndrueshme.

Ky zbulim gjithashtu i nxit shkencëtarët të rishikojnë trajtimet e vjetra. Agonistët e receptorëve të dopaminës kanë treguar përfitime, por shpesh kanë shkaktuar efekte anësore sepse ndikojnë në zona të mëdha të trurit. Njohuritë e reja mund të çojnë në terapi më të sigurta dhe më të sakta.

Rreth studimit

Studimi me titull “Luhatjet e dopaminës në nënsekonda nuk përcaktojnë energjinë e veprimeve në zhvillim”, nga Haixin Liu, Nicolas Tritsch dhe kolegët e tyre, u botua në Nature Neuroscience.

Hulumtimi u financua nga Canada First Research Excellence Fund, përmes iniciativës Healthy Brains, Healthy Lives në Universitetin McGill, si dhe nga Fonds de Recherche du Québec.