Hulumtuesit kanë zbuluar një virus i cili mund ta ndihmojë një sistem të plakur imunitar, bazuar në hulumtimet në minj.
Në një studim të sistemit të plakur imunitar, hulumtuesit në Universitetin e Arizonës zbuluan se citomegalovirusi, i cili është i lidhur me virusin herpes, në fakt mund ta nxisë sistemin imunitar, transmeton Koha.net. Gjetjet e tyre u publikuan të hënën në Proceedings of the National Academy of Sciences.
Derisa njerëzit plaken, sistemet e tyre imunitare bien dhe trupat e kanë më të vështirë t’i luftojnë infeksionet e reja.
“Ky studim na tregon se në sistemin imunitar në moshë më të vjetër ka më shumë kapacitet se sa kemi menduar”, tha në një njoftim për shtyp dr. Megan Smithey, asistente profesoreshë në Arizona Center on Aging.
“Kjo tregon se aftësia për të gjeneruar reagim të mirë imunitar ekziston në moshë të vjetër - dhe CMV, ose reagimi i trupit ndaj CMV, mund të ndihmojë në shfrytëzimin e kësaj aftësie”.
Edhe
Shkencëtarët zbulojnë mënyrën për ta “rinovuar” përkohësisht sistemin imunitar
Citomegalovirusi (CMV) është një virus me të cilin njerëzit zakonisht infektohen në një moshë të re, por ai vazhdon të qëndrojë në trup. Virusi është veçanërisht i përhapur tek të rriturit e moshuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, ethe, djersitje, rënie të oreksit, nyje të zmadhuara limfatike, dhimbje të fytit dhe dhimbje koke.
“CMV zakonisht nuk shkakton simptoma të dukshme, por ende duhet të jetojmë me të çdo ditë pasi që nuk ka shërim”, tha Smithey, përcjell Koha.net. “Sistemi ynë imunitar gjithmonë do të jetë i ngarkuar në prapavijë duke u marrë me këtë virus”.
Në studim minjtë u infektuan me citomegalovirus.
“Ne supozuam se ai do t’i bënte minjtë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera, sepse po i përdorte resurset dhe po e mbante sistemin imunitar të zënë”, tha Smithey.
Por kur u infektuan me listeria, minjtë e moshuar me CMV ishin më të fortë se ata pa virusin.
Të dy grupet e kishin një furnizim të mirë të qelizave të larmishme T, të cilat e luftojnë infeksionin.
“Diversiteti është i mirë”, tha dr. Janko Nikolich-Zugich, bashkëdrejtues i Center on Aging, transmeton Koha.net. “Llojet e ndryshme të qelizave T reagojnë ndaj llojeve të ndryshme të infeksioneve; sa më shumë që keni qeliza të larmishme T, aq më shumë gjasa do të keni t’i luftoni infeksionet”.
Megjithëse qelizat T janë pothuajse po aq të larmishme në të gjitha nivelet e moshës së minjve, ato nuk përdoren nëse nuk janë të infektuara me CMV, thanë hulumtuesit.
Edhe
Çfarë hani gjatë ditës mund të forcojë mbrojtjen ndaj infeksioneve
“Është sikur CMV e lëshon një sinjal i cili i nxjerr mbrojtjet më të mira në terren”, tha Nikolich-Zugich.
Studiuesit shpresojnë ta studiojnë virusin në njerëz dhe në fund ta krijojnë një vaksinë e cila mund t'i mbrojë njerëzit më të moshuar nga infeksionet.