Një studim i ri sugjeron se vaksina kundër herpes zoster (shingles) jo vetëm që mbron nga infeksioni i dhimbshëm viral, por mund të ngadalësojë edhe përparimin e demencës.
Shingles shkaktohet nga virusi varicella-zoster dhe shfaqet si një skuqje që dhemb. Vlerësohet se rreth një në tre persona në SHBA do ta zhvillojnë këtë sëmundje gjatë jetës. Rreziku rritet me moshën, ndaj vaksina rekomandohet për të rriturit mbi 50 vjeç. Dy doza të saj janë mbi 90 për qind efektive për të parandaluar sëmundjen te të moshuarit.
Por, CNN ka raportuar se studime të reja kanë zbuluar përfitime të tjera të mundshme. Një hulumtim i botuar këtë javë në revistën Cell tregon se vaksina mund të ketë edhe efekt “terapeutik” për ata që tashmë jetojnë me demencë, duke e ngadalësuar përkeqësimin dhe duke ulur rrezikun e vdekjes nga kjo sëmundje.
“Ne shohim një efekt te probabiliteti për të vdekur nga demenca, tek ata që tashmë e kanë sëmundjen. Kjo do të thotë se vaksina nuk ka vetëm potencial parandalues, por edhe terapeutik”, ka thënë autori i studimit, doktori Pascal Geldsetzer nga Universiteti i Stanfordit.
Studimi i ri ndërtohet mbi kërkime të mëparshme ku ekipi i Geldsetzer kishte zbuluar se vaksinimi kundër shingles mund të ulë rrezikun për t’u diagnostikuar me demencë. Analiza e të dhënave nga Uellsi, ku në vitin 2013 është zbatuar një program vaksinimi për të moshuarit 70-79 vjeç, tregoi se marrja e vaksinës uli rrezikun për diagnozë të re të demencës me 3.5 për qind gjatë shtatë vjetëve.
“Ne jemi shumë më të sigurt se po shohim shkak dhe efekt, jo vetëm një lidhje të rastësishme”, ka thënë Geldsetzer.
Në studimin e ri, ekipi ka analizuar më shumë se 282,500 të dhëna shëndetësore në Uells dhe ka krahasuar të moshuarit e vaksinuar me ata të pavaksinuar. Ata gjetën se te personat pa probleme të mëparshme të memories, vaksinimi uli rrezikun për t’u diagnostikuar me çrregullim të lehtë njohës me 3.1 pikë përqindje gjatë nëntë vjetëve. Efekti ishte më i madh te gratë.
Te të moshuarit që tashmë jetonin me demencë, ata që morën vaksinën patën ulje të madhe, 29.5 për qind, në rrezikun e vdekjes nga demenca gjatë nëntë vjetëve.
“Vaksina duket se ka përfitime të mëdha në të gjitha fazat e sëmundjes”, ka thënë Geldsetzer.
Ekspertët kanë deklaruar se ende nuk dihet saktësisht pse vaksina mund të ndikojë te demenca. Një mundësi është se virusi i shingles, që qëndron i fjetur në sistemin nervor pas fëmijërisë, shkakton inflamacion të vazhdueshëm, një faktor i njohur që nxit shumë sëmundje kronike, përfshirë demencën. Ndërprerja e aktivizimeve të virusit përmes vaksinës mund të ulë këtë inflamacion.
Një teori tjetër është se vaksina forcon në mënyrë të gjerë sistemin imunitar, duke e bërë më të aftë për të luftuar infeksionet, të cilat lidhen me rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës.
“Ka gjithnjë e më shumë prova se vaksinat kanë efekte më të gjera ndaj sistemit imunitar, jo vetëm krijimin e antitrupave”, ka thënë Geldsetzer.
Ekspertë të tjerë e vlerësojnë studimin, por paralajmërojnë se nevojiten ende studime të tjera.
“Gjithmonë u them njerëzve: ushtrimet, shoqëria dhe aktivitetet që të japin kuptim janë kyçe. Tani do t’u them edhe të flasin me mjekun për vaksinën e shingles”, ka thënë doktoresha Angelina Suttin nga Florida State University.
Por ajo ka shtuar se mekanizmi i saktë mbetet i panjohur.
“Studimi është një hap i rëndësishëm, por nuk na tregon pse vaksina është kaq mbrojtëse”, ka thënë ajo.
Doktori Joel Salinas nga NYU Langone është optimist, por i kujdesshëm.
“Rezultatet janë premtuese, por jo prova përfundimtare që duhet të vaksinohemi vetëm për uljen e rrezikut të demencëc”, ka thënë ai.
Studiuesit planifikojnë një provë klinike të madhe për të testuar përfundimisht këtë lidhje.