Vaksinat më të përdorura në botë kundër COVID-19 mund të kenë përfitim befasues për disa pacientë me kancer – duke e ngritur sistemin e tyre imunitar për të ndihmuar në luftimin e tumoreve.
Njerëzit me kancer të avancuar të mushkërive ose lëkurës të cilët po merrnin ilaçe të imunoterapisë jetuan dukshëm më gjatë nëse kishin marrë edhe një vaksinë Pfizer ose Moderna brenda 100 ditëve nga fillimi i trajtimit, sipas një studimi në publikuar në Nature.
Molekula që fuqizon ato vaksina specifike, mRNA, duket se ndihmon sistemin imunitar të përgjigjet më mirë ndaj trajtimit të kancerit të avancuar, kanë konkluduar studiuesit nga Qendra për Kancer në Houston dhe Universiteti i Floridës.
Vaksina “vepron si sirenë për të aktivizuar qelizat imune në të gjithë trupin”, ka thënë studiuesi kryesor, Adam Grippin.
Ekipi studiues është shprehur se rezultatet e këtij studimi janë premtuese, prandaj ka shtuar se po përgatit një studim më të saktë dhe përfundimtar për të parë nëse vaksinat mRNA kundër koronavirusit duhet të përdoren bashkë me ilaçet kundër kancerit.
Një sistem i shëndoshë imunitar shpesh shkatërron qelizat kancerogjene para se të kthehen në kërcënim. Por, disa tumore zhvillohen ashtu që fshihen nga ky “sulm” i sistemit imunitar. Imunoterapia ndihmon duke i larguar bllokadat ku fshihen ato tumore. Është trajtim i fuqishëm – kur funksionon.
Ekipi analizoi të dhënat e afër 1,000 pacientëve me kancer të avancuar që po trajtoheshin me imunoterapi - duke i krahasuar me ata që kishin marrë një vaksinë Pfizer ose Moderna me ata që nuk kishin marrë.
Pacientët me kancer të mushkërive e të vaksinuar kishin dyfish më shumë gjasa të ishin gjallë tre vjet pas fillimit të trajtimit të kancerit sesa pacientët e pavaksinuar. Edhe te pacientët me kancer të lëkurës patën të njëjtin rezultat.