Një vaksinë e re që parandalon HIV-in do të ofrohet për herë të parë për pacientët në Britani përmes sistemit shëndetësor publik (NHS), duke e vendosur këtë politikë në përputhje me Skocinë.
Ky trajtim i ri konsiderohet “revolucionar”, sepse është një alternativë ndaj pilulave të përditshme që përdoren për të mbrojtur trupin nga virusi. Injektimi, i njohur me emrin cabotegravir (CAB-LA), jepet gjashtë herë në vit, pra një herë çdo dy muaj, dhe pritet të ndihmojë Britaninë të arrijë qëllimin e saj për të ndalur rastet e reja të HIV-it deri në vitin 2030, ka raportuar BBC.
Ndërkohë, rezultatet e para për një injeksion tjetër, të quajtur lenacapavir, tregojnë se në të ardhmen mund të jetë e mundur edhe një vaksinë vjetore për parandalimin e HIV-it.
Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, e quajti këtë zhvillim hap historik.
“Miratimi i këtij injeksioni revolucionar përfaqëson saktësisht atë që kjo qeveri synon të ofrojë, trajtime moderne që shpëtojnë jetë dhe nuk lënë askënd pas. Për njerëzit që nuk mund të përdorin metodat e tjera të parandalimit të HIV-it, kjo përfaqëson shpresë”.
Ky injeksion është pjesë e terapisë së njohur si PrEP (profilaksë para ekspozimit), e cila përdoret nga persona HIV-negativë për të zvogëluar rrezikun e infektimit. Pilulat PrEP ekzistojnë prej vitesh dhe janë shumë efektive, por jo gjithmonë të përshtatshme për të gjithë. Disa persona e kanë të vështirë t’i marrin rregullisht për arsye praktike apo emocionale, për shembull, mund të kenë frikë se dikush në shtëpi (prindërit apo bashkëjetuesit) do t’i gjejë pilulat.
Në raste të tjera, si mungesa e strehimit apo dhuna në familje, përdorimi ditor i PrEP është i pamundur. Kështu, një injeksion që zgjat disa muaj ofron më shumë lehtësi dhe privatësi.
HIV është virus që dëmton qelizat e sistemit imunitar dhe e bën trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të zakonshme. Ai mund të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, shpërndarjes së gjilpërave, apo nga nëna te fëmija gjatë lindjes.
Mjekët theksojnë se cabotegravir duhet të përdoret së bashku me praktika të sigurta seksuale, si përdorimi i prezervativëve.
Sipas NHS, trajtimi ka një çmim zyrtar rreth 7,000 funte britanike në vit për pacient, por sistemi publik ka marrë zbritje konfidenciale nga prodhuesi. Fillimisht, injeksioni do t’u ofrohet rreth 1,000 personave me rrezik të lartë të infektimit, të cilët e kanë të vështirë të marrin pilulat çdo ditë.
Pacientët do të mund ta marrin atë në klinikat publike të shëndetit seksual gjatë muajve në vijim, sipas Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Kujdes (NICE).
Organizatat bamirëse kanë bërë thirrje që shpërndarja të ndodhë sa më shpejt.
“Është koha të mendojmë për mënyra të reja shpërndarjeje të këtij trajtimi transformues, jo vetëm në klinikat e shëndetit seksual. Ai është shumë efektiv, i pranueshëm për pacientët dhe një mjet i rëndësishëm për të luftuar pabarazitë, me potencialin për të arritur njerëzit që aktualisht nuk kanë qasje në forma të tjera të parandalimit të HIV-it”, ka thënë Richard Angell, nga organizata Terrence Higgins Trust.
Statistikat tregojnë se përdorimi i PrEP në Britani është në rritje. Vetëm vitin e kaluar, 146,000 persona HIV-negativë kishin nevojë për këtë trajtim për shkak të rrezikut të lartë të infektimit, ndërsa rreth 76 për qind e tyre (mbi 111,000 persona) e morën apo vazhduan PrEP, rritje prej 7.7 për qind krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, qasja në këtë trajtim nuk është e barabartë për të gjitha grupet. Përdorimi është më i lartë te meshkujt homoseksualë dhe biseksualë të bardhë dhe minoritete etnike (77-79 për qind), ndërsa më i ulët te gratë dhe burrat heteroseksualë me prejardhje afrikane (34-36 për qind).
Në të njëjtën kohë, testimi për HIV është zgjeruar edhe në spitalet dhe urgjencat publike në Angli, ku aktualisht 89 spitale testojnë automatikisht çdo person që bën analiza gjaku, veçanërisht në qytetet me përhapje të lartë të HIV-it.