Testimet e kryera me një grup të vogël pjesëmarrësish ka treguar se kura ka gjeneruar mbrojtje të paktë në rastet e infektimeve të lehta apo mesatare
Vaksina e Universitetit të Oxfordit dhe kompanisë “AstraZeneca” ofron mbrojtje prej vetëm 10 për qind kundër variantit të koronavirusit të detektuar në Afrikën e Jugut, ka sugjeruar një studim i fundit.
Shkencëtarët, të cilët kanë qenë të angazhuar në studimin me grupe të vogla pjesëmarrësish për konstatimin e efikasitetit të vaksinës, kanë thënë se kura ka shfaqur shumë pak mbrojtje kundër rasteve të lehta apo mesatare të infeksionit, ndonëse janë shprehur optimistë se – në teori – mund të siguronte mbrojtje të mjaftueshme kundër infektimeve më serioze.
Afrika e Jugut ka ndaluar tanimë injektimin me vaksinën e Oxfordit e “AstraZenecas”, përderisa ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë të ditur që një injektim vjetor kundër COVID-19 mund të shndërrohet në një normale të re për shumë njerëz, përderisa shkencëtarët kanë shtuar punimet për të qenë në hap me mutacionet e vazhdueshme të virusit.
Profesori Shabih Madhi nga Universiteti i Witwatersrandit, i cili i kishte drejtuar testimet, ka thënë se përderisa studimi ishte i vogël, ai ishte i destinuar për t‘u përqendruar në përcaktimin nëse vaksina është të paktën 60 për qind efikase ndaj COVID-19, në cilëndo shkallë të ashpërsisë së sëmundjes.
“Rezultatet që ne tani i posedojmë kundër variantit kanë treguar vetëm 10 për qind efikasitet. Qartazi, kjo shkallë është larg 60 përqindëshit dhe, edhe po të ishte bërë një studim më i gjerë, vështirë se efikasiteti i vaksinës do të ishte në nivelin prej 40 apo 50 për qind”, ka thënë ai për BBC-në.
Edhe
“AstraZeneca” dhe mpiksja e gjakut, çfarë duhet ditur për vaksinën anti-COVID?
“Ajo çfarë na tregojnë rezultatet e studimit realisht është se në një grup demografik relativisht të ri – me një përhapje të ulët të sëmundjeve, si hipertensioni dhe diabeti, e të tjera – vaksina nuk ofron mbrojtje kundër infektimit të lehtë apo mesatar”, ka shtuar Madhi.
Ai ka thënë gjithashtu se efektiviteti kundër rasteve më serioze të infeksionit mund të kuptohet sipas rezultateve të vaksinës së kompanisë “Johnson&Johnson”, e cila ka përdorur teknologji të ngjashme.
“Bazuar në këtë, vazhdon të ketë shpresë se vaksina e ‘AstraZenecas’ mund të performojë po aq mirë sa edhe vaksina e ‘Johnson&Johnsonit’ mes një demografie tjetër, që përbëhet prej atyre që kanë shkallë më të lartë rreziku për t’u sëmurë rëndë”, ka thënë ai.
Madhi ka shtuar se studimet laboratorike mund të tregojnë se nuk janë vetëm antitrupat ato që janë efektiv në mbrojtjen kundër sëmundjes së rëndë, por edhe imuniteti me qelizën T.
Lidhur me problemin e vonimit të dozës së dytë së vaksinës, ai ka thënë se efikasiteti i kurës së Oxfordit pas dozës së parë është 75 për qind. Mirëpo kjo shkallë ishte evidentuar para zbulimit të variantit të ri të koronavirusit në Afrikën Jugore.
Edhe
Afrika e Jugut pezullon vaksinimin me AstraZeneca
Lajmi ka shkaktuar shqetësime se vaksinat që veçse janë në dispozicion nuk do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë fund pandemisë si të vetme. Andaj, prodhuesit tanimë janë duke punuar në versionet e reja që mund të ofrojnë mbrojtje edhe kundër mutacioneve të virusit.
Të hënën, ministri britanik i Shëndetësisë, Edward Argar, ka pranuar se do të ketë nevojë për një vaksinë përforcuese.
“Çfarë presim të gjithë ne është që çdo vit do të injektohemi me përforcuesit kundër gripit. Ky opsion nuk do të ishte i paarsyeshëm për t’u sugjeruar”, ka thënë ai për “Sky News”.
Argar ka shtuar se virusi “çdoherë do të provojë të na mashtrojë”, duke shtuar: “Duhet të sigurohemi që i dalim përpara dhe e tejkalojmë”.
Edhe
Vaksina e Oxford/AstraZenecas ofron mbrojtje të “limituar” nga varianti jug-afrikan i koronavirusit
Argar ka thënë po ashtu se rezultatet e testit nuk kanë dëshmuar që vaksina është joefikase në zvogëlimin e ashpërsisë së sëmundjes.
“Nuk ka asnjë provë se kjo vaksinë nuk është efikase në parandalimin e hospitalizimeve, sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve, gjë kjo që tek e fundit edhe jemi duke e kërkuar nga vaksinat”, ka shtuar ai. (Guardian)