Vaksina e “AstraZenecas” u vlerësua për efektin, koston dhe avantazhet për t’u ruajtur më lehtë. Por tani po shpërfaqen dyshime lidhur me efikasitetin e saj. Disa vende veçse kanë shqetësime serioze, madje edhe e kanë ndalur përkohësisht vaksinimin
Ministria daneze e Shëndetësisë ka njoftuar të enjten se do të ndërpresë përkohësisht përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” kundër COVID-19. Kjo, pas “raporteve për mpiksje të rënda gjaku tek të vaksinuarit me kurën e kompanisë”, ka njoftuar ministria, duke shprehur shqetësimin dhe duke kërkuar sqarime shtesë para vazhdimit të përdorimit të vaksinës.
Pas vendimit të miratuar nga Søren Brostrøm, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Shëndetësor danez, hapin e ka ndjekur edhe Norvegjia.
Shqetësimet rreth rasteve të vdekjes pas vaksinimit janë shtuar ditëve të fundit edhe gjetkë, megjithëse një ndërlidhje e tillë ende nuk është provuar.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë janë duke e analizuar vaksinën pas njoftimeve. Ndërkaq ekspertët, duke folur për “Deutsche Wellen”, kanë ofruar hollësi që duhen ditur lidhur me kurën e kompanisë “AstraZeneca”, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit.
Efikasiteti ndaj variantit të Afrikës së Jugut?
Edhe
“Pauzimi” i “J&J”, tjetër goditje për Evropën e plandosur nga pandemia
Një testim i ndërmarrë me 2000 persona në Afrikën e Jugut ka zbuluar se vaksina siguron “mbrojtje minimale” kundër rasteve të lehta dhe të moderuara të infektimit me variantin B.1.351 të koronavirusit, të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Ky variant po e shkakton shumicën e infeksioneve brenda vendit.
Asnjëri nga pjesëmarrësit e testimit nuk ka vdekur, nuk është sëmurë rëndë apo është detyruar të shtrohej në spital. Efikasiteti kundër rasteve të rënda që dalin nga varianti B.1.351 nuk u vlerësua në studim, ngase pjesëmarrësit ishin në rrezik më të ulët.
OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” edhe nëse variante të ndryshme janë të pranishme në një vend.
“Aktiviteti i antitrupave neutralizues është ekuivalent me atë të vaksinave të tjera kundër COVID-19 që kanë demonstruar aktivitet kundër rasteve më të rënda, veçanërisht kur intervali i vaksinimit optimizohet në 8-12 javë”, ka raportuar “AstraZeneca”.
“Vaksina e kësaj kompanie do të sigurojë ende një mbrojtje kundër variantit B.1.351, sepse antitrupat e krijuar pas vaksinimit do të njohin pjesë të variantit të virusit dhe do t'i bllokojnë ato”, ka thënë për DW Sarah Pitt, lektore kryesore në Universitetin e Brightonit dhe pjesëmarrëse në testimin e Institutit Britanik të Shkencave Biomjekësore.
Vaksinat e aprovuara deri më tani për përdorim kundër COVID-19 e nxisin trupin që të prodhojë antitrupa kundër proteinave të versionit fillestar të koronavirusit. Por tani antitrupat janë duke luftuar kundër viruseve që nuk e njohin plotësisht formën e proteinave. Kjo do të thotë se asnjë antitrup nuk bashkohet me pjesën e ndryshuar të proteinës dhe virusi ende mund të ngjitet në një qelizë njerëzore. Por antitrupat do të bllokojnë pjesët e virusit që ai i njeh, kështu që akoma ofron një mbrojtje.
Një studim me vaksinën e “Modernas” ka zbuluar se ishte pak më pak efektive ndaj variantit B.1.351, por nivelet neutralizuese ishin gjithsesi mbi ato që pritej të ishin mbrojtëse. Ndërkaq një studim i kryer me vaksinën e kompanive “Pfizer”-“BioNTech” ka zbuluar gjithashtu se kura ishte pak më pak efektive ndaj variantit nga Afrika e Jugut.
Udhëheqësja e grupit kërkimor të Oxfordit, Sarah Gilbert, ka thënë për BBC-në se vaksina duhet të ofrojë mbrojtje kundër varianteve të rënda, por në të njëjtën kohë ka theksuar se zhvilluesit janë duke punuar në modifikimin e kurës për luftimin e variantit afrikanojugor.
Efekti ndaj varianteve të tjera
Edhe
Danimarka e ndërpret plotësisht përdorimin e vaksinës “AstraZeneca”
Vaksina e “AstraZenecas” është zbuluar të jetë 76 për qind efektive kundër koronavirusit origjinal që pas dozës së parë. Kur jepet një dozë e dytë, 12 javë ose më shumë pas së parës, efikasiteti rritet në 82 për qind. Kjo vaksina është zbuluar gjithashtu se e zvogëlon kohëzgjatjen e ngarkesës virale, e cila mund të ngadalësojë bartjen e virusit.
Një studim me vaksinën e “AstraZenecas” kundër variantit B.1.1.7, i raportuar së pari në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar se efikasiteti ishte i ngjashëm me atë kundër virusit origjinal.
OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine për personat nga 18 vjeç e më shumë, duke i përfshirë edhe ata që janë mbi 65 vjeç.
“Duke marrë parasysh tërësinë e provave të disponueshme, OBSH-ja e rekomandon vaksinën për përdorim edhe për persona të moshës 65 vjeç e më lart”, ka shkruar agjencia në rekomandimin e përkohshëm për vaksinën.
Agjencia Evropiane e Barnave po ashtu ka raportuar se kura e “AstraZenecas” mund të përdoret për të parandaluar sëmundjen tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart. Komisioni i vaksinave në Gjermani, STIKO, e hoqi vendimin që “AstraZeneca” t'u jepet vetëm personave të moshës 64-vjeçare e më poshtë. Por tani mund t’u jepet edhe atyre më në moshë.
Çfarë lloj vaksine është “AstraZeneca” dhe si funksionon?
Vaksina e “AstraZenecas” nuk është një vaksinë mRNA, si ajo e “Modernas” dhe “Pfizer”-“BioNTechut”, por është një kurë e virusit vektor. Përdor si mekanizëm transportin e një virusi të zakonshëm dhe të padëmshëm që gjendet tek shimpanzetë. Ajo e transporton proteinën sipërfaqësore të SARS-CoV-2 në qelizat njerëzore, ku shkakton një përgjigje imune kundër koronavirusit.
Ndryshe nga vaksinat “BioNTech”-“Pfizer” dhe “Moderna”, “AstraZeneca” nuk ka pse të ruhet në temperatura të ulëta. Ajo mund të ruhet, transportohet dhe trajtohet në temperatura normale të ftohjes (2 deri në 8 gradë Celsius) për të paktën gjashtë muaj.
Edhe
Pas garancisë së EMA-së, vendet evropiane pro përdorimit të “AstraZenecas”
Sipas kompanisë, zinxhiri i thjeshtë i furnizimit të vaksinës dhe zotimi pa fitim do ta bëjë atë më të volitshëm, por çmimi i saktë i një doze të kurës së “AstraZenecas” nuk është i qartë.
“AstraZeneca” dhe “BioNTech”-“Pfizer” kanë bërë marrëveshje me COVAX-in, një iniciativë kjo globale që synon shpërndarjen e vaksinave me kosto të ulët në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në një postim në Twitter, i cili tashmë është fshirë, sekretarja e shtetit belg, Eva De Bleeker, ka publikuar çmimet e supozuara të BE-së për dozë: 15 euro për “Modernam”, 12 euro për “BioNTech”-“Pfizer” dhe 1.78 euro për “AstraZeneca”.