Trupi reagon ndaj ushqimeve të shumëpërpunuara sikur të ishin armiq të jashtëm.
Nuk është më sekret që ushqimet e shpejta dhe të përpunuara po kthehen në problem madhor për shëndetin publik. Në fund të vitit 2024, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) publikoi një raport me të dhëna shqetësuese.
Sipas raportit dieta e mbushur me produkte të përpunuara, sjell pasoja të fshehura për shëndetin që bartin një kosto prej 8.1 trilionë dollarësh në vit, duke përfaqësuar deri në 10% tëBruto Produktit të Brendshëm (PBB) në disa vende, ka raportuar GlassAlmanac.
Një studim i ri, i publikuar më 7 maj 2025 në revistën Nutrition & Metabolism, ka treguar për edhe më shumë shqetësime. Studiues në Universitetin McMaster në Kanada kanë zbuluar se konsumimi i ushqimeve të shumëpërpunuara lidhet drejtpërdrejt me prodhimin e proteinës C-reaktive (CRP), shenjë biologjike që tregon për inflamacion apo infeksion në trup.
“Trupi nuk i njeh këto si ushqim. Ai reagon sikur të kishte të bënte me një trup të huaj”, ka shpjeguar doktoresha Emma Fortune, autore kryesore e studimit.
Kjo ndodh sepse ushqimet e shumëpërpunuara nuk janë më përbërës natyralë, ato përbëhen nga substanca të izoluara nga ushqimet apo nga tretësira kimike, të cilat trupi nuk i përpunon si ushqim të zakonshëm.
Bëhet fjalë për produkte si patatinat, biskotat industriale, pijet e gazuara dhe ato të frutave, që përveç sheqerit natyral, përmbajnë edhe ëmbëltues artificialë, por edhe disa lloje bukësh, salcash dhe produktesh të tjera që janë të gatshme për konsum. Këto zëvendësojnë shumë shpesh ushqimet natyrale dhe të shëndetshme si frutat, perimet dhe drithërat e plota.
Në këtë studim, u analizuan të dhënat e 6,000 individëve në Kanada, të moshave, gjendjeve shëndetësore dhe përkatësive socio-ekonomike të ndryshme. Pjesëmarrësit kanë plotësuar pyetësorë dhe janë ekzaminuar në qendra shëndetësore mobile nga “Health Canada”.
“Mesatarisht, pjesëmarrësit konsumonin mbi tre porcione në ditë të ushqimeve të shumëpërpunuara. Konsumuesit më të mëdhenj arrinin deri në gjashtë porcione në ditë”, thuhet në studim.
Këta konsumues ishin zakonisht burra me të ardhura të ulëta dhe arsimim të ulët. Studiuesit kanë theksuar se ushqimet e shumëpërpunuara shpesh zëvendësojnë opsione më të shëndetshme në dietë, duke rritur rrezikun për sëmundje inflamatore dhe kronike.
Në Kanada, këto produkte përbëjnë gati 45% të konsumit ditor të energjisë te qytetarët mbi moshën 20 vjeç. Edhe pse studimi është kryer në Kanada, studiuesit kanë paralajmëruar se rezultatet vlejnë edhe për SHBA-në dhe në një masë më të vogël për disa vende të Evropës dhe Azisë.
“Duke konsumuar produkte që trupi nuk i njeh si ushqim, ne nxisim një reagim inflamator të vazhdueshëm. Kjo është recetë për probleme serioze shëndetësore në të ardhmen”, ka paralajmëruar Fortune.
Ajo ka rekomanduar që njerëzit t’u rikthehen ushqimeve natyrale, si drithërat integrale, frutat, perimet, bishtajoret dhe produktet sa më pak të përpunuara.