Lifestyle

Testohet trajtimi me vitaminën A për humbjen e nuhatjes nga COVID-19

Testimi 12-javor i këtij trajnimi do të përfshijë spërkatjen e pikave të vitaminës A në hundën e vetëm disa prej pacientëve vullnetarë. Pas kësaj, ekspertët kanë thënë se do të kontrollojnë nëpërmjet skanimeve të trurit nëse tretësira ka ndikuar në riparimin e kanaleve të dëmtuara të nuhatjes prej sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi

Pikat për hundë të vitaminës A mund të trajtojnë humbjen apo ndryshimin në shqisën e të nuhaturit mes personave të sëmurë nga COVID-19, kanë bërë të ditur të mërkurën shkencëtarët britanikë.

Testimin 12-javor të këtij trajnimi BBC-ja raporton se është duke e ndërmarrë Universiteti i Anglisë Lindore. Agjencia ka potencuar se vetëm disa nga pacientët vullnetarë do t’i nënshtrohen këtij trajtimi, ndërkaq të gjithë atyre do t’u kërkohet që të nuhasin erëra të forta, si atë të vezëve të kalbura dhe të trëndafilave.

“Dhe më pas, skanimet e trurit do të kontrollojnë nëse vitamina ka ndikuar në riparimin e kanaleve të dëmtuara të nuhatjes apo ‘nervat e nuhatjes’”, kanë bërë të ditur shkencëtarët, të cilët kanë folur për BBC-në.

Humbja apo ndryshimi në shqisën e të nuhaturit është një prej simptomave më të zakonshme të COVID-19, megjithëse edhe shumë viruse të tjerë, përfshirë atë të gripit, mund ta shkaktojnë një gjë të tillë.

Udhëheqësi i studimit, profesori Carl Philpott nga shkolla e mjekësisë Norwich pranë Universitetit të Anglisë Lindore, dhe James Paget nga Fondi i Besimit i spitaleve universitare, kanë thënë se me këtë studim synohet që të mësohet nëse ekziston rritje në madhësi dhe në aktivitetin e kanaleve të dëmtuara të nuhatjes në trurin e pacientëve, kur ata i nënshtrohen trajtimit me pikat hundore të vitaminës A.

“Do t’i përcjellim ndryshimet në madhësinë e kanalit të nuhatjes, një zonë kjo që ndodhet sipër hundës dhe ku nervat e nuhatjes përbashkohen për t’u lidhur me trurin”, kanë thënë dy shkencëtarët për BBC-në. “Gjithashtu, do të përcjellim edhe aktivitetin në zonat e trurit që lidhen me identifikimin e erërave”.

Vitamina A është e njohur për efektin e saj në ruajtjen e sistemit imunitar, për përmirësimin e të pamurit, të lëkurës dhe të disa pjesëve të tjera të trupit, përfshirë hundën.

Shumë produkte qumështore, sikurse edhe perimet, përmbajnë sasi të konsiderueshme të kësaj vitamine. Por, personat që marrin suplemente të vitaminës A duhet të jenë të vetëdijshëm se sasitë e tepruara mund të shkaktojnë gjithashtu dëme.