Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Skanimet zbulojnë ndikimin e Covid-19 në trurin e njeriut

Infektimi me Covid mund të shkaktojë ndryshime në tru, sipas një studimi.

Shkencëtarët kanë gjetur dallime të rëndësishme në skanimet MRI (imazhe me rezonancë magnetike) para dhe pas infeksionit.

Edhe pas një infeksioni të lehtë, madhësia e përgjithshme e trurit është zvogëluar pak, me më pak lëndë gri në pjesët që lidhen me nuhatjen dhe kujtesën.

Studiuesit nuk e dinë në qoftë së ndryshimet janë të përhershme, mirëpo theksuan se truri mund të shërohet.

Studimi është publikuar në revistën Nature.

Edhe COVID-19: Trajtimi i ri mund të ndihmojë në rikthimin e nuhatjes Lifestyle COVID-19: Trajtimi i ri mund të ndihmojë në rikthimin e nuhatjes

Autori kryesor, prof. Gwenaelle Douaud, nga qendra Wellcome për Neuroimazhe Intergrative, në Universitetin e Oksfordit, ka thënë: “Po shihnim një infeksion në thelb të lehtë e ajo që pamë në fakt ishte një surprizë, krahasuar me trurin e atyre që nuk ishin infektuar asnjëherë”.

Projekti UK Biobank ka përcjellë shëndetin e 500.000 njerëzve për rreth 15 vjet dhe ka një bazë të dhënash të skanimeve të regjistruara para pandemisë, kështu që ofroi një mundësi për t’i studiuar ndikimet afatgjata shëndetësore të virusit.

Shkencëtarët riskanuan:

  • 401 pjesëmarrës në 4.5 muaj, mesatarisht pas infektimit të tyre, 96% e të cilëve kishin pasur Covid të lehtë
  • 384 pjesëmarrës që nuk kishin pasur Covid

Ata gjetën:

Madhësia e përgjithshme e trurit në pjesëmarrësit e infektuar ishte tkurrur ndërmjet 0.2 dhe 2%

Pati humbje në lëndën gri në zonat e nuhatjes, që lidhen edhe me kujtesën

Ata që ishin shëruar së fundmi nga Covid e kishin pak më të vështirë të kryenin detyra komplekse mendore

Mirëpo studiuesit nuk e dinë nëse ndryshimet janë të kthyeshme apo me të vërtetë kanë rëndësi për shëndetin dhe mirëqenien.

“Duhet ta kemi parasysh se truri me të vërtetë është plastik – me këtë nënkuptojmë se mund të shërohet vetë – kështu që ekziston një shans shumë i mirë që me kalimin e kohës, efektet e dëmshme të infeksionit të lehtësohen”, ka bërë të ditur prof. Douaud.

Edhe Studim: COVID-19 mund ta dëmtojë funksionin e trurit Lifestyle Studim: COVID-19 mund ta dëmtojë funksionin e trurit

Humbja më e madhe e lëndës gri ishte në zonat e nuhatjes – mirëpo është e paqartë nëse virusi sulmon drejtpërdrejt këtë rajon apo qelizat thjesht vdesin nga mundësia e përdorimit pasi njerëzit me Covid e humbasin shqisën e nuhatjes.

Po ashtu është e paqartë nëse të gjitha variantet e virusit e shkaktojnë këtë dëm. Skanimet u kryen kur virusi origjinal dhe varianti alfa ishin të përhapur dhe humbja e nuhatjes dhe shijes ishte simptomë parësore. Mirëpo numri i njerëzve të infektuar me variantin e fundit Omicron që raporton këtë simptomë ka rënë në mënyrë dramatike.

Paula Totaro kishte humbur shqisën e nuhatjes kur u infektua me Covid, në mars të vitit 2020. “Kur përfundoi, më dukej sikur jetoja në një flluskë a vakum – ishte diçka vërtetë izoluese”, ka treguar ajo për BBC News.

Mirëpo, pasi kontaktoi me organizatën bamirëse AbScent, e cila i mbështet njerëzit që kanë humbur aftësinë e tyre për të nuhatur dhe shijuar, ajo filloi me trajnimin e nuhatjes.

“Ajo që bën trajnimi i nuhatjes – posaçërisht nëse e bëni atë dy herë në ditë rregullisht – ju detyron të merrni aromën, ta lejoni atë të kthehet në hundë dhe më pas ta mendoni se çka është ajo që po nuhatni”, ka sqaruar ajo.

“Kjo është lidhja mes asaj që është në botën e jashtme dhe asaj që përçohet në trurin dhe mendjen tuaj që po trajnohet”.

Totaro, tashmë ka rikuperuar pjesën më të madhe të shqisës së saj të nuhatjes – megjithëse ajo ende e ka të vështirë të identifikojë se cilat janë erërat e ndryshme. “Është një përzierje gëzimi që ndjesia më është rikthyer, ama kam pak frikë që ende nuk kam arritur deri në fund”, është shprehur ajo.

Shkencëtarja kryesore e Biobank në Britaninë e Madhe, prof. Naomi Allen tha: “Ajo hap të gjitha llojet e pyetjeve që studiues të tjerë mund të ndjekin në lidhje me efektin e infeksionit të koronavirusit në funksionin njohës, në mjegullën e trurit dhe në zona të tjera të trurit – dhe për ta përqendruar vërtet kërkimin në sa më mirë për ta zbutur atë”.

Prof. David Werring, nga Instituti i Neurologjisë në Kolegjin Universitar në Londër, ka treguar se sjellje të tjera të lidhura me shëndetin mund të kenë kontribuar në ndryshimet e vërejtura.

Edhe 50% e njerëzve me COVID-19 humbasin nuhatjen për një kohë të gjatë Lifestyle 50% e njerëzve me COVID-19 humbasin nuhatjen për një kohë të gjatë

“Ndryshimet në funksionin njohës ishin gjithashtu delikate dhe me rëndësi të paqartë me funksionimin e përditshëm”, ka theksuar ai.

“E këto ndryshime nuk shihen domosdoshmërisht në çdo individ të infektuar dhe mund të mos jenë të rëndësishme”.