Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Terapi me çokollatë dhe muzikë për dhimbjet menstruale

Tashmë njihet si ilaçi i nevojshëm për miliona gra që po përballen me cikël menstrual të vështirë. Por ngrënia e çokollatës është vërtet e dobishme, pohojnë shkencëtarët. Kjo vlen për aq kohë sa hahet një sasi e vogël e çokollatës së zezë, në ditët para se të vijë cikli.

Dëgjimi i muzikës relaksuese gjithashtu ndihmon në reduktimin e shqetësimit gjatë ditës së parë të menstruacioneve, zbuloi studimi i fundit i 84 studentëve të infermierisë. Ekspertët shëndetësorë besojnë se endorfina e çliruar nga trupi pas ngrënies së çokollatës dhe dëgjimit të muzikës, ndihmon në uljen e dhimbjeve dhe vepron si një qetësues natyral.

Nëntë nga 10 gra në Britani të Madhe dhe 80 për qind e grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vuajnë dhimbje të rënda menstruale në një periudhë të jetës së tyre.

Ato shkaktohen nga shtrëngimi i muskujve rreth mitrës, duke ndërprerë furnizimin me gjak në organ dhe duke bërë që indet të lëshojnë kimikate që shkaktojnë dhimbje. Çrregullimet si endometrioza, fibroidet, sëmundja inflamatore e legenit dhe adenomioza, mund të shkaktojnë gjithashtu siklet të madh gjatë ciklit.

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS), rekomandon marrjen e qetësuesve, si ibuprofeni dhe aspirina, për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes dhe gjithashtu aplikimin e nxehtësisë në bark.

Në studimin e fundit të publikuar nga gazeta evropiane e Mjekësisë Integruese, u vërtetua se çokollata e zezë dhe muzika mund të përdoren për të ndihmuar me dismenorrenë - termi mjekësor për dhimbjen e menstruacioneve.

Si çokollata e zezë ashtu edhe terapia muzikore, kishin një efekt të rëndësishëm në reduktimin e dhimbjes menstruale dhe ankthit tek gratë e reja. Megjithëkëtë, për të nxjerrë përfundime më të sakta për efektin e tyre si lehtësues të dhimbjeve dhe ankthit, nevojiten të bëhen hulumtime të mëtejshme.

Artikuj të ngjashëm