Lifestyle

Studimi: Fëstëkët ndikojnë mirë te sytë e të moshuarve

Fëstëkët

Fëstëkët

DailyMail ka shkruar se karota duhet "të harrohet" kur bëhet fjalë për fëstëkët, sepse ngrënia e dy grushteve fëstëk çdo ditë mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të syve dhe ruajtjen e shikimit në moshë të vjetër, ka zbuluar një studim i fundit.

Studimi, që u botua në Journal of Nutrition, ka gjetur se konsumimi i dy grushteve fëstëk çdo ditë mund të rrisë ndjeshëm nivelet e luteinës, antioksidant që mbron retinën e syrit nga drita e dëmshme e pajisjeve kompjuterike, e cila njihet si dita e kaltër. Ky antioksidant vepron duke e mbrojtur syrin nga dëmtimet që mund të shkaktojë ekspozimi i gjatë ndaj dritës së fortë.

Luteina gjendet gjithashtu në doza më të ulëta në ushqime të tjera si karota dhe spinaqi, por fëstëkët janë burim i fuqishëm i këtij antioksidanti.

Fëstëkët dhe shëndeti i syve

Ekipi i studiuesve nga Universiteti Tufts në SHBA, ka monitoruar 36 pjesëmarrës të moshës 40 deri në 70 vjeç, nga të cilët gjysma konsumuan fëstëk çdo ditë për 12 javë. Rezultatet i cilësuan si mbresëlënëse pasi ata që konsumuan fëstëk treguan përfitime të mëdha tek densiteti i pigmenteve makulare, i cili mbron sytë nga rrezatimi UV, krahasuar me ata që nuk hanë fëstëk.

Pjesëmarrësit që konsumuan fëstëk përmirësuan ndjeshëm densitetin e pigmenteve makulare, duke treguar se këto arrore mund të jenë të dobishme për ruajtjen e shëndetit të syve gjatë kalimit të kohës.

Makula, pjesa e pasme e syrit, është vendi ku ndodhet pigmenti makular, i cili luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e retinës nga rrezatimi i dëmshëm, si drita blu dhe rrezet UV. Kjo mbrojtje është thelbësore për parandalimin e sëmundjeve të syrit si degjenerimi makular i lidhur me moshën (AMD).

Luteina, që gjendet në fëstëk, ndihmon në filtrimin e dritës së kaltër dhe mbrojtjen e retinës nga dëmtimi, duke kontribuar në një shikim më të shëndetshëm dhe më të mprehtë me kalimin e kohës.

Studimi ka treguar se fëstëkët mund të rrisin densitetin e pigmenteve makulare, duke forcuar mbrojtjen natyrore të syrit.

Prandaj, ndërkohe që karotat mund të mbeten një zgjedhje tradicionale për shëndetin e syve, fëstëkët ofrojnë një alternativë moderne dhe të shijshme.

Për sa kohë që studiuesit do të vazhdojnë të studiojnë përfitimet e dietës për shëndetin e syve, ky studim tregon qartë se fëstëkët mund të jetë sekreti për të ruajtur shikimin gjatë moshës.