Përderisa afro 150 liderë botërorë ishin mbledhur – virtualisht – për të folur në samitin e biodiversitetit të Kombeve të Bashkuara gjatë së mërkurës, alarmi nuk do të mund të ishte më i lartë.
“Shtëpia ka marrë flakë dhe të gjithë jemi të mbyllur brenda, për shkak të sëmundjes që shpërtheu shkaku i keqmenaxhimit tonë me natyrën”.
Kështu u shpreh në konferencë Inger Anderson, kryesuese e Programit të Ambientit të OKB-së, një ditë para ngjarjes, transmeton KOHA shkrimin e BBC.
“Mendoj se është kuptuar se nëse nuk kujdesemi për natyrën, do të mund të përfundojmë në fund të pusit”, shtoi ajo.
Përderisa bota po merret me shëndetin publik, shkatërrimin ekonomik dhe social nga pandemia COVID-19, liderët janë nën presion të vazhdueshëm për të vepruar, duke mbajtur premtimet e tyre që ta ndalojnë rënien e botës natyrore.
Pse ka rëndësi ky samit?
Samit është fillimisht forum i një profili të lartë për liderët botërorë. Qëllimi i tij është që ta “nxjerrë në pah krizën, me të cilën po përballet njerëzimi nga degradimi i biodiversitetit dhe nevojën urgjente për të ndërmarrë veprime për biodiversitetin për një zhvillim të qëndrueshëm”.
Edhe
Kombet arrijnë marrëveshje “historike” për mbrojtje të natyrës
Por pika në të cilën përpjekjet e vërteta do të bëhen – për të ndërmarrë masa për ta mbrojtur natyrën – do të jetë në konferencën e biodiversitetit më 2021.
Kjo konferencë, e shtyrë për shkak të pandemisë, është vendi ku prej të gjitha shteteve anëtare pritet që të adoptojnë “planin e biodiversitetit” – në thelb një kontratë globale për ta futur natyrën në rrugën e rikuperimit nga viti 2030. Por një raport i OKB-së i publikuar vetëm dy muaj më parë tregoi se asnjë nga 20 caqet e biodiversitetit, të cilat vendet i nënshkruan dikur, nuk mund të përputhen. Këto caqe ishin ambicioze, duke përthekuar çdo aspekt se si jetët tona njerëzore kryqëzohen me natyrën.
Ato shkonin nga ulja e shkallës së humbjes së habitateve natyrore, siç janë pyjet dhe mbrojtja e fushave më të vlefshme të botës së egër, deri te ndërrimet më thelbësore ekonomike, të tilla si eliminimi i subvencioneve për “veprimtari që janë të dëmshme”, përfshirë fermat që e ndotin ajrin dhe peshkimi.