“Traktati duhet të jetë i fortë dhe ambicioz, duke pasur autoritetin për të krijuar zona të larta dhe plotësisht të mbrojtura në det të hapur. Gjysma e botës është në rrezik këto javë në Kombet e Bashkuara”, është shprehur Gladys Martínez de Lemos, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Mbrojtjen e Mjedisit
Anëtarët e Kombeve të Bashkuara janë mbledhur për t’i rifilluar përpjekjet për të krijuar një traktat të shumëpritur dhe të paarritshëm deri tash për ta mbrojtur biodiversitetin detar të botës. Gati dy të tretat e oqeanit shtrihen jashtë kufijve kombëtarë në det të hapur, ku rregullat e fragmentuara dhe të zbatuara në mënyrë të pabarabartë kërkojnë t’i minimizojnë ndikimet njerëzore.
Qëllimi i takimeve të OKB-së, që do të zgjasin deri më 3 mars, është të prodhojnë një marrëveshje të unifikuar për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të atyre ekosistemeve të mëdha detare. Bisedimet, të quajtura zyrtarisht Konferenca Ndërqeveritare mbi Biodiversitetin Detar të Zonave Përtej Juridiksionit Kombëtar, rifillojnë negociatat e pezulluara vjeshtën e kaluar pa marrëveshje për një traktat përfundimtar.
“Oqeani është sistemi i mbështetjes së jetës së planetit tonë”, ka thënë Boris Worm, biolog detar në Universitetin Dalhousie të Kanadasë. “Për kohën më të gjatë, ne nuk e ndienim se kishim ndikim të madh në detin e hapur. Por ky nocion ka ndryshuar me zgjerimin e peshkimit në det të thellë, minierave, ndotjes plastike, ndryshimit të klimës, dhe shqetësimeve të tjera njerëzore, ka theksuar ai.
Bisedimet e OKB-së do të fokusohen në pyetjet kryesore, duke përfshirë: Si duhet të përcaktohen kufijtë e zonave të mbrojtura detare dhe nga kush? Si duhet të vlerësojnë institucionet ndikimet mjedisore të aktiviteteve tregtare, të tilla si transporti detar dhe miniera? Dhe kush ka fuqinë për të zbatuar rregullat?
“Kjo është e përbashkëta jonë më e madhe globale”, ka thënë Nichola Clark, eksperte e oqeaneve që ndjek negociatat për Qendrën Kërkimore Pew në Uashington D.C. “Ne jemi optimistë se ky rund i ardhshëm negociatash do të jetë ai që do ta përcaktojë edhe traktatin”.
Edhe
Historike vlerësohet marrëveshja për oqeanet
Qëllimi i bisedimeve nuk është përcaktimi i zonave të mbrojtura detare, por krijimi i një mekanizmi për ta bërë këtë. “Qëllimi është krijimi i një organi të ri që do të pranonte aplikime për zona specifike të mbrojtura detare”, ka thënë Clark.
Biologu detar Simon Ingram në Universitetin e Plymouth në Angli thotë se ka nevojë urgjente për marrëveshje. “Është një kohë vërtet e ngutshme për këtë - veçanërisht kur keni gjëra të tilla si minierat në det të thellë që mund të jenë kërcënim i madh për biodiversitetin para se të kemi qenë në gjendje të vëzhgojmë dhe kuptojmë se çfarë jeton në fundin e oqeanit”, ka theksuar Ingram.
Ekspertët thonë se një traktat global i oqeaneve është i nevojshëm për të zbatuar premtimin e fundit të Konferencës së Biodiversitetit të OKB-së për të mbrojtur 30% të oqeaneve të planetit, si dhe tokës së tij.
“Ne kemi nevojë për një kuadër ligjërisht të detyrueshëm që mund t’u mundësojë vendeve të punojnë së bashku për të arritur këto qëllime për të cilat kanë rënë dakord”, është shprehur Jessica Battle, eksperte për qeverisjen e oqeaneve në Fondin Botëror të Natyrës.
Ndihmëssekretarja e Shtetit për Oqeanet dhe Çështjet Ndërkombëtare Mjedisore dhe Shkencore, Monica Medina, ka thënë se traktati ishte prioritet për vendin. “Kjo marrëveshje synon të krijojë, për herë të parë, një qasje të koordinuar për krijimin e zonave të mbrojtura detare në det të hapur. Është koha për ta përfunduar punën”, ka theksuar ajo.
Zyrtarët, ambientalistët dhe përfaqësuesit e industrive globale që varen nga deti po ndjekin gjithashtu nga afër negociatat.
Gemma Nelson, avokate nga Samoa, e cila aktualisht është një anëtare e Ocean Voices në Universitetin e Edinburgut, ka sqaruar se vendet e vogla ishullore të Paqësorit dhe Karaibeve ishin “veçanërisht të prekshme ndaj çështjeve globale të oqeanit”, të tilla si ndotja dhe ndryshimet klimatike.
Me gati gjysmën e sipërfaqes së planetit të mbuluar nga detet e hapura, bisedimet kanë një rëndësi të madhe, ka shpjeguar Gladys Martínez de Lemos, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Interamerican jofitimprurëse për Mbrojtjen e Mjedisit, duke u fokusuar në çështjet mjedisore në të gjithë Amerikën Latine.
Edhe
Arrihet marrëveshja për mbrojtjen e ujërave ndërkombëtare
“Traktati duhet të jetë i fortë dhe ambicioz, duke pasur autoritetin për të krijuar zona të larta dhe plotësisht të mbrojtura në det të hapur”, është shprehur ajo. “Gjysma e botës është në rrezik këto javë në Kombet e Bashkuara”.
Përktheu: Blerta Haxhiu