OpEd

Ta kthejmë oqeanin përsëri

Siç më tha kohët e fundit Guy Standing, bashkëpunëtor kërkimor dhe profesor në Universitetin e Londrës, ka pak arsye për të besuar se konferenca do të bëjë shumë për të

Në fillim të verës, Kombet e Bashkuara mblodhën Konferencën e Oqeanit (UNOC) në Lisbonë, Portugali. Qëllimi ishte që "vinte në lëvizje zgjidhje inovative shumë të nevojshme të bazuara në shkencë, që synojnë fillimin e një kapitulli të ri të veprimit global të oqeanit". Bota ka nevojë për një "oqean të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme", siç tha nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet ligjore, Miguel de Serpa Soares, i cili e përshëndeti konferencën si një "sukses të madh".

Rëndësia e oqeanit nuk mund të mbivlerësohet. Është biosfera më e madhe e planetit, që prek deri në 80% të të gjithë jetës në tokë. Ai gjeneron 50% të oksigjenit që thithim dhe thith një të katërtën e të gjitha emetimeve të dyoksidit të karbonit, thelbësor për rregullimin e klimës dhe motit. Dhe është gjithashtu jetik ekonomikisht, me rreth 120 milionë njerëz të punësuar në peshkim dhe aktivitete të ngjashme, kryesisht për ndërmarrjet e vogla në vendet në zhvillim.

Megjithatë, gjatë katër dekadave të fundit, oqeani ka qenë nën presion të paparë, kryesisht për shkak të rritjes së shpejtë të aktivitetit detar tregtar. Kjo rritje është veçanërisht e rëndësishme në zonat ekskluzive ekonomike, zona të lidhura me ujërat territoriale që shtrihen rreth 400 kilometra nga vijat bregdetare të vendit.

Parimi i sovranitetit kombëtar mbi zonat ekskluzive ekonomike u përfshi në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit në 1982. Në vitet që pasuan, qeveritë shitën pjesë të mëdha të territorit oqeanik nëpërmjet licencave dhe koncesioneve shtetërore, duke ia dorëzuar efektivisht menaxhimin e ekosistemeve detare te sektori privat.

Politikëbërësit me sa duket, arsyetuan se korporatat do të kishin një interes financiar në adoptimin e praktikave të përgjegjshme të biznesit në mënyrë që të ruanin burimet nga të cilat po nxirrnin kaq shumë vlerë. Në vend të kësaj, kërkimi i përhapur i naftës dhe gazit, peshkimi industrial dhe tregtia e furishme detare, siç tha së fundmi i dërguari i posaçëm i OKB-së për Oqeanin, Peter Thomson, kanë bërë që "shëndeti i oqeanit" të "përkeqësohet".

Acidifikimi dhe ngrohja detare arritën nivele rekorde vitin e kaluar. Vetëm rreth 13% e oqeanit tani kualifikohet si "shkretëtirë detare" (peizazhe detare të paprekura biologjikisht dhe ekologjikisht që janë kryesisht pa shqetësime njerëzore). Më shumë se një e treta e gjitarëve detarë dhe gati një e treta e koraleve që formojnë shkëmbinj nënujorë, tani kërcënohen me zhdukje.

Në këtë sfond u mblodh UNOC për të "ndaluar shkatërrimin" e ekosistemeve të oqeanit. Por, pavarësisht nga shumë retorika premtuese, gjithçka që u tha prej saj ishin deklarata të paqarta: 193 shtetet anëtare të OKB-së riafirmuan zotimin për të forcuar qeverisjen detare me fuqizimin e mbledhjes së të dhënave dhe promovimin e financimit për zgjidhje të bazuara në natyrë.

Në fakt, përtej planeve të shpallura së fundmi të Kolumbisë për të krijuar katër zona të reja të mbrojtura detare, nuk u morë asnjë angazhim detyrues. Dhe, me sa duket, bllokimi i minierave në det të thellë nuk u thye. Ndërsa shumë ekonomi të përparuara, duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, mbështesin praktikën e diskutueshme, vendet e Paqësorit si Palau dhe Fixhi kërkuan moratorium në të gjithë industrinë, duke përmendur mungesën e të dhënave mjedisore.

Thelbi i konferencës ishte se OKB-ja mbetet e përkushtuar ndaj ndryshimeve në rritje, me sektorin privat nën kontroll. Kjo reflektohet me spikatje te zgjidhjet e "kapitalit natyror", të cilat përfshijnë vendosjen e një çmimi për natyrën për ta shpëtuar atë. Politikëbërja neoliberale që krijoi krizën e sotme ka pësuar një ndryshim ideologjik. Aty ku kapitalizmi aksionar nuk arriti ta sigurojë vetërregullimin nga pronarët privatë, "kapitalizmi i palëve të interesuara" supozohet se do të ketë sukses, sepse kompanitë do të balancojnë interesat konkurruese të investitorëve, punëtorëve, komuniteteve dhe mjedisit.

Nuk është e vështirë të kuptosh pse kapitalizmi i palëve të interesuara është kaq tërheqës: të jep përshtypjen se ne mund ta hamë tortën tonë dhe ta shijojmë përnjëmend. Por, kur bëhet fjalë për oqeanin, tortës i ka dalë tashmë data e skadencës. Duke pasur parasysh kufizimet aktuale teknologjike, mbrojtja e oqeanit nga degradimi i mëtejshëm përjashton çdo industrializim shtesë detar.

Pse OKB-ja – ose kushdo, për këtë çështje – beson se kompanitë private do të bëhen kujdestare të përgjegjshme të planetit? Degradimi i shpejtë i ekosistemeve detare nuk është saktësisht informacion i ri, megjithatë korporatat vetëm sa kanë rritur aktivitetet e tyre të dëmshme. Realisht, kapitalizmi i palëve të interesuara thjesht do t'ua shtyjë brezave të ardhshëm vendimet e vështira për maksimizimin e fitimit në një botë të kufizuar nga klima.

Tani, bota ka një mundësi për të përqafuar qasje më premtuese për mbrojtjen e oqeanit: Konferencën Ndërqeveritare mbi Biodiversitetin Detar të Zonave Përtej Juridiksionit Kombëtar. Takimet, të cilat do të rifillojnë në Nju Jork këtë javë, pritet të prodhojnë një kuadër ligjor për qeverisjen e të gjitha zonave detare përtej zonave ekonomike ekskluzive të vendeve bregdetare.

Detet e hapura përbëjnë 64% të sipërfaqes së oqeanit dhe mbajnë rezervuarët më të mëdhenj të biodiversitetit në Tokë. Numri i specieve që ata mbështesin është i madh, me shumë të tjera që pritet të zbulohen. Dhe detet po stërngarkohen – dhe po bëhen më të cenueshëm – nga dita në ditë.

Mbrojtja e detit të hapur është mbikëqyrur prej kohësh nga një sërë agjencish ndërkombëtare. Si rezultat, vetëm 1.2% e këtij ekosistemi të brishtë është aktualisht i mbrojtur nga aktiviteti tregtar shfrytëzues.

Siç më tha kohët e fundit, Guy Standing, bashkëpunëtor kërkimor dhe profesor në Universitetin e Londrës, ka pak arsye për të besuar se konferenca do të bëjë shumë për të "rrëmbyer fuqinë e korporatave oligopolistike" në ujërat joterritoriale. Në vend të kësaj, do të rezultojë vetëm një si mundësi tjetër për OKB-në që të tregojë se motivi i fitimit, i cili është kryesisht përgjegjës për shkatërrimin e oqeanit, mund të nxisë veprimet e nevojshme për ta shpëtuar atë.

Siç thotë Standing, nëse do të shpëtojmë oqeanet tona, ne duhet ta përmbysim privatizimin e tyre. Kjo do të thotë shtytje për angazhime të detyrueshme, rregullim efektiv dhe zbatim të besueshëm. Mbi të gjitha, do të thotë të pranosh se vlera e vërtetë e oqeanit nuk ka asnjë çmim.

(Autori është studiues për Rrjetin e Botës së Tretë. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)