Lifestyle

Sa kohë pas vaksinimit mund të shfaqen efektet anësore

Teksa fushatat e imunizimit kundër sëmundjes COVID-19 kudo nëpër botë janë intensifikuar, të shumtë janë ata që kërkojnë përgjigje në pyetjet lidhur me efektet e mundshme anësore të kurave dhe kohës së shfaqjes së tyre.

Ekspertët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar janë munduar që të japin përgjigje për këto pyetje që po shtrohen përherë e më shpesh.

Vaksinat që aktualisht janë në përdorim kundër koronavirusit – qoftë ajo e “Pfizerit”, “Modernas”, “AstraZenecas” apo ndonjë tjetër – të gjitha kanë të njëjtin qëllim. Ato i japin udhëzime sistemit imunitar se si të trajtohet dhe të asgjësohet virusi.

Sipas ekspertëve, me të cilët ka folur britanikja “Express.co.uk”, rruga drejt imunitetit të plotë është më e lehtë për disa njerëz, sesa për të tjerët.

Disa simptoma të COVID-19, si ethet, kollitja dhe teshtitja, pas vaksinimit shfaqen si rezultat i drejtpërdrejtë i aktivitetit të sistemit imunitar. Këto tregojnë se trupi po krijon një mjedis të pabanueshëm për virusin dhe po i dëbon organizmat pushtues.

Simptomat pas vaksinimit e tregojnë të njëjtën gjë, pasi që trupi fillon që t’i përgjigjet një mostre të dëmtuar të virusit. Në një situatë të tillë, njerëzit kanë tendencë që të përjetojnë simptoma të lehta, të cilat nuk duhet të zgjasin më shumë se një javë.

Ndërkaq, mes simptomave të mundshme shkencëtarët kanë identifikuar skuqjen dhe irritimin e krahut në vendin ku është administruar vaksina, lodhjen, kokëdhembjen, plogështinë dhe ndjenjën e të qenët të sëmurë.

Disa njerëz madje mund të kenë simptoma shtesë, si ngritjen e temperaturës apo ethet, një apo dy ditë pas vaksinimit. Qendra britanike e Shëndetit Publik ka paralajmëruar se ata të vaksinuar që shfaqin simptoma më afër shenjave dalluese të COVID-19 mund ta kenë sëmundjen.

Nëse temperatura zgjat më shumë se dy ditë, ata zhvillojnë një kollë të re apo përjetojnë humbje të nuhatjes dhe të shijes. Rastet e tilla mund të jenë tregues se janë infektuar me koronavirus.