Lifestyle

Rrobat thyejnë monotoninë e karantinës dhe ndikojnë në disponimin tuaj

Nëse gjatë kohës sa po qëndroni të karantinuar, e vetmja gjë që ju pëlqen është të qëndroni gjithë ditën të veshur me pizhama, atëherë rutina e vetizolimit ka filluar të ndikojë edhe në garderobën tuaj.

Veshjet, qëllimisht ose rastësisht, ndikojnë në disponimin e mendjes suaj duke komunikuar joverbalisht me botën. Kështu deklarojnë ekspertët e modës.

Sipas tyre, veshjet kanë ndikim të mjaftueshëm në shëndetin mendorë. Rrobat që i zgjedhim për t’i veshur gjatë ditës në punë, kur dalim për kafe me shoqëri ose në takime romantike në mbrëmje, kanë kuptim simbolik dhe efekt të rëndësishëm në psikologjinë dhe performancën tonë, transmeton Koha.

Është e vërtetë se prej shpërthimit të pandemisë njerëzit janë adaptuar me kushtet e reja të normalitetit, duke qëndruar dhe duke punuar nga shtëpia, dhe kështu kanë filluar të anojnë nga veshjet më të rehatshme. Por, është më se e nevojshme për një mendje të shëndoshë dhe disponim të mirë, që ta thyejmë këtë monotoni dhe të fillojmë të zgjedhim rroba pak më glamuroze për t’u ndjerë më pozitiv gjatë ditës.

Pra, ka mënyra të ndryshme për ta mbajtur mendjen të freskët me zgjedhjet tuaja të modës, dhe këtë mund të bëni duke planifikuar ndeja me temë të caktuar me familjen tuaj, apo ndeja virtuale me shoqëri.

Derisa pranimi i vetes ashtu siç jemi është çelësi i një mendje të qetë, ekspertët e modës besojnë se kur vishemi në baza ditore, fokusi ynë duhet të jetë në atë që aspirojmë të ndiejmë gjatë ditës.

Gjithashtu, përveç ngritjes së humorit, rrobat mund të na ndihmojnë të rrisim vetëbesimin dhe të ndihemi të pamposhtur.