Fabrika e qymyrit po mbyllet. Në qytetin e vogël të Utahs, i rrethuar me bagëti, fusha jonxhe e shkretëtira të mbushura me shkurre, qindra punëtorë gjatë viteve të ardhshme do të pushohen nga puna, viktima të rregulloreve mjedisore dhe konkurrencës nga burimet më të lira të energjisë.
Megjithatë, matanë rrugës, nga grumbujt dhe furrat e qymyrit, nën fushat me pluhur, një tjetër transformim është duke u zhvilluar, që mund të luajë rol kryesor në sigurimin e energjisë së pastër dhe të zëvendësojë disa nga ato vende pune.
Këtu në shkretëtirën rurale të Utahs, zhvilluesit planifikojnë të krijojnë shpella në formacionet e lashta të kubeve të kripura nën tokë, ku shpresojnë ta ruajnë karburantin e hidrogjenit në shkallë të paparë. Ndërmarrja është një nga disa projektet që mund të ndihmojnë në përcaktimin, se sa rol të madh do të luajë hidrogjeni globalisht në sigurimin e energjisë së besueshme, pa karbon, gjatë gjithë kohës në të ardhmen.
Ajo që e veçon projektin nga sipërmarrjet e tjera të energjisë së rinovueshme është se ka të bëjë më shumë me ruajtjen sezonale sesa me prodhimin e energjisë. Shpellat e kripës do të funksionojnë si bateri gjigante nëntokësore, ku energjia në formën e gazit të hidrogjenit mund të ruhet kur të jetë e nevojshme.
"Bota po e shikon këtë projekt", ka thënë Rob Webster, bashkëthemelues i Magnum Development, një nga kompanitë që e drejton projektin.
Në qershor, Departamenti i Energjisë i SHBA-së ka njoftuar për garanci kredie prej 504 milionë dollarësh për të ndihmuar në financimin e projektit, "Ruajtja e avancuar e energjisë së pastër", një nga huat e para që kur presidenti Joe Biden ringjalli programin e epokës Obama, i njohur për dhënien e kredive për Tesla dhe Solyndra. Mbështetja synon të ndihmojë në shndërrimin e vendit nga një fabrikë 40-vjeçare të qymyrit në një strukturë që djeg hidrogjenin e prodhuar pastër, deri në vitin 2045.
Mes debateve polarizuese të politikës së energjisë, propozimi është unik për të fituar mbështetje nga koalicioni i gjerë që përfshin administratën e Bidenit, senatorin Mitt Romney dhe pesë republikanët e tjerë që përbëjnë delegacionin e kongresit të Utahs, komisionerët e qarqeve rurale dhe ofruesit e energjisë. Bideni ishte vendosur të shpallte veprime të reja për ndryshimet klimatike të mërkurën gjatë ngjarjes në Massachusetts, në një ish-central energjie me qymyr, që po zhvendoset në qendër të energjisë së rinovueshme.
Në vitin 2025, karburanti fillestar për centralin do të jetë përzierje e hidrogjenit dhe gazit natyror. Më pas do të kalojë në funksionimin tërësisht me hidrogjen deri në vitin 2045. Skeptikët shqetësohen se mund të jetë dredhi për të zgjatur përdorimin e lëndëve djegëse fosile për dy dekada. Të tjerë thonë se mbështesin investimin në projekte hidrogjeni të pastër dhe pa karbon, por shqetësimi duke bërë kështu, mund të krijojë kërkesë për hidrogjen "të kaltër" ose "gri". Këta janë emrat që i janë dhënë hidrogjenit të prodhuar duke përdorur gaz natyror.
"T’i bindësh të gjithë që t’i mbushin të njëjtat tubacione dhe impiante me hidrogjen në vend të lëndëve djegëse fosile është lëvizje e shkëlqyer për industrinë e gazit”, ka theksuar Justin Mikula, bashkëpunëtor i fokusuar në tranzicionin e energjisë në New Consensus, institut kërkimi.
Ndryshe nga kapja e karbonit ose hidrogjenit gri, projekti do të kalojë në përfundimin që nuk kërkon lëndë djegëse fosile. Chevron, në qershor, ndryshoi planet e tij për të investuar në projekt. Creighton Welch, zëdhënës i kompanisë, ka deklaruar se nuk i ka arritur standardet me të cilat gjigandi i naftës dhe gazit vlerëson investimet e tij në "bizneset me karbon më të ulët".
Teksa ndërmarrjet kalojnë në tranzicion dhe gjithnjë e më shumë mbështeten te era dhe dielli me ndërprerje, operatorët e rrjetit po përballen me probleme të reja, duke prodhuar energji të tepërt në dimër dhe pranverë dhe më pak se sa nevojitet në verë. Mosbalancimi ofertë-kërkesë ka shkaktuar frikë për ndërprerjet e mundshme të energjisë elektrike dhe ka ngjallur frikë për zvogëlimin e mëtejshëm të burimeve të karburanteve fosile.
Ky projekt e konverton energjinë e tepërt të erës dhe diellit në një formë që mund të ruhet. Përkrahësit e hidrogjenit të pastër shpresojnë se mund të depozitojnë energji gjatë stinëve kur oferta tejkalon kërkesën dhe ta përdorin atë kur është e nevojshme në sezonet e mëvonshme.
Ja se si do të funksionojë: dielli dhe era do t’i fuqizojnë elektrizuesit që ndajnë molekulat e ujit për të krijuar hidrogjen. Ekspertët e energjisë e quajnë atë "hidrogjen të gjelbër" sepse prodhimi i tij nuk liron karbon. Fillimisht, impianti do të funksionojë me 30% hidrogjen dhe 70% gaz natyror. Ajo planifikon të kalojë në 100% hidrogjen deri në vitin 2045.
Kur konsumatorët kërkojnë më shumë energji sesa mund të marrin nga burimet e rinovueshme, hidrogjeni do të dërgohet me tubacione nëpër rrugë në vendin e Termocentralit dhe do të digjet për t’i fuqizuar turbinat, ngjashëm me mënyrën se si përdoret qymyri sot. Kjo, në teori, e bën atë plotësues të besueshëm të burimeve të rinovueshme.
Shumë në rajonin rural të Deltas shpresojnë se kthimi i qytetit në epiqendër hidrogjeni do ta lejojë atë të shmangë rënien që ka prekur shumë qytete pranë impianteve të qymyrit të mbyllura, duke përfshirë Stacionin Gjenerues Navajo në Arizona.
Mirëpo, disa shqetësohen se përdorimi i energjisë për të kthyer energjinë, në vend që ta dërgojë atë drejtpërdrejt te konsumatorët, është më i kushtueshëm sesa përdorimi i vetë burimeve të rinovueshme ose karburantet fosile, si qymyri.
Përktheu: Forca Jashari