Gjëja e fundit që na nevojitet është që vendimet e reja politike, rregullatore dhe investuese të përqendrohen në ndonjë teknologji tjetër, joefikase, për një afat të gjatë. Sipërmarrësit më të suksesshëm janë ata që fokusohen në detyrën kryesore që kanë, në vend që të shpërqendrohen nga çdo gjë e re që mund të duket tërheqëse. Politikëbërësit do të duhej të bënin të njëjtën gjë, tek vendosin se cilat teknologji të shtyjnë përpara dhe nga cilat të heqin dorë
Përpjekja për pozicionim në garën globale të energjisë së pastër ka nisur tash e sa kohë. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan kësaj gare vetëm dy muaj më parë, me miratimin e Aktit për Reduktimin e Inflacionit. Që atëherë, Austria, për shembull, ka shpallur një pako subvencionimi prej 5.7 miliardë eurosh, e cila vetëm mobilizon investimet për kokë banori në të njëjtin nivel me përpjekjet e SHBA-së. Por me më shumë qeveri që përqafojnë politika industriale për të transformuar ekonomitë e tyre, marrja e vendimeve se cilat teknologji të gjelbra duhet mbështetur, do të përbëjë një prej sfidave kryesore. Zgjedhja e fituesve është e vështirë.
Politikëbërësit mund ta fillojnë këtë detyrë relativisht të thjeshtë të identifikimit të humbësve. Dyoksidi i karbonit, metani dhe gazrat e tjera serrë duhet të reduktohen në zero, ose afër zeros, për ta stabilizuar klimën globale. Kjo është një arsye pse ekonomistët kanë preferuar prej kohësh çmimin e karbonit si mjetin kryesor të politikës klimatike. Duke i detyruar ndotësit të paguajnë koston e plotë të emetimeve të tyre, mendohet se qeveritë mund t’ia lënë tregut të vendosë se cilat teknologji do të fitojnë.
Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Deformimet e përhapura të tregut, interesat e mëdha të zotëruara (si në anën e biznesit ashtu edhe në atë të punës), si dhe bllokimet masive të infrastrukturës e bëjnë pothuajse të pamundur zgjidhjen e rregullt të ekonomistit. Ta kemi parasysh, për shembull, se mbi 90% e kapacitetit global të energjisë së thëngjillit është e izoluar prej konkurrencës së tregut, nga kontrata që shpesh shtrihen në 20 vjtët e ardhshëm. Një mbështetje e tillë e rrënjosur për teknologjitë e pista, të vjetruara, si thëngjilli, edhe kur ka alternativa më të lira, më të pastra dhe më të mira në dispozicion, tregon se duhet bërë më shumë.
Ajo që i ndërlikon edhe më shumë gjërat është urgjenca dhe shkalla e madhe e sfidës. Energjia luan rol shumë të rëndësishëm në jetën tonë dhe arritja e neutralitetit të karbonit do të kërkojë transformim gjithëpërfshirës të ekonomisë dhe shoqërisë. Nisur nga rrethanat, shfrytëzimi i fuqisë së portofolit publik është më se i përshtatshëm, veçanërisht duke marrë parasysh se sa prapa jemi në transicionin e energjisë së pastër.
Por, politikëbërësit me fonde publike të kufizuara duhet të bëjnë ende zgjedhje të vështira për teknologjitë e duhura. Margrethe Vestager, komisionere e BE-së për Konkurrencën, ka shprehur tashmë shqetësime për një garë subvencionimi. Politikat energjetike mund ta pengojnë përfundimisht transicionin e gjelbër global, por “ne nuk jemi askund afër pikës së ngopjes globale të investimeve të nevojshme”, siç tha Brian Deese, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar, në komentet e gjera mbi strategjinë industriale të SHBA-së.
Një garë e rëndësishme e hershme për t’u parë është ajo midis karburanteve të lëngshme më të gjelbra dhe opsioneve tërësisht elektrike. Secili ka avantazhet e veta, mirëpo ka pyetje të vështira në lidhje me atë që përbën avantazh dhe për kë.
Lëndët djegëse të lëngshme mund të jenë më të lehta për t’u ndërruar në përdorimin e infrastrukturës ekzistuese të tubacioneve, furrave dhe motorëve me djegie të brendshme. Mirëpo fizika favorizon elektrifikimin në shumicën dërrmuese të rasteve, veçanërisht në ndërtesa dhe transport, të cilat së bashku përbëjnë rreth 40% të totalit të emisioneve. Përdorimi tërësisht elektrik me pompat e nxehtësisë dhe motorët e automjeteve elektrike (EV) është pa dyshim zgjidhja më e mirë afatgjatë. Ngrohja dhe ftohja e shtëpisë me energji elektrike është rreth pesë herë më efikase sesa përdorimi i asaj energjie elektrike për të prodhuar një lëndë djegëse të lëngshme; dhe EV-të mund të shkojnë pesë herë më larg se automjetet që punojnë me lëndë djegëse të lëngshme jeshile – shpesh të quajtura “e-karburantet” ose “elektrokarburantet” – duke përdorur të njëjtën energji.
Megjithatë, e-karburantet mund të mbeten opsion premtues për industrinë, e cila përbën rreth një të katërtën e emetimeve totale. Proceset aktuale të prodhimit shpesh kërkojnë djegie për të krijuar temperatura të larta. Hidrogjeni digjet në mbi 2000 gradë celsius (3600 ° F), duke e bërë atë potencialisht të përshtatshëm për prodhimin e çimentos, qelqit ose çelikut. Ata që projektojnë teknologjitë kryesore të çelikut me karbon të ulët po kërkojnë hidrogjenin si lëndë djegëse të zgjedhur, për të zëvendësuar qymyrin.
Por, mund të ketë edhe zgjidhje të tjera në horizont, për shkak të konkurrencës midis sipërmarrësve për të rizbuluar procese industriale të krijuara prej kohësh. Kompania “Chement” ka gjetur një mënyrë për të prodhuar çimento në temperaturën e dhomës dhe “Electra” po përdor një proces që prodhon çelik në 60°C. Vërtet, mbetet për t'u parë nëse secila kompani do të revolucionarizojë industrinë e saj. Dhe, sukseset e tyre të hershme nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht që karburantet e lëngëta jeshile nuk do të jenë ose nuk duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Por potenciali për një tronditje në këta sektorë tregon pse qeveritë duhet të jenë të kujdesshme për të mbështetur kompanitë aktuale energjetike ose industriale që lobojnë fort për subvencione për teknologjinë e tyre të favorizuar.
Gjërat bëhen më të ndërlikuara kur një startup pretendon se mund të dekarbonizojë sistemin energjetik thjesht duke shkëmbyer lëndët djegëse të lëngshme të gjelbra me ato të pista. Premtimi për një teknikë pa probleme mund të jetë shumë tërheqës. Siç tha kohët e fundit themeluesi i prodhuesit të “gazit të gjelbër”, “Tree Energy Solutions”: “Ne mund të shkojmë në të njëjtat anije, të njëjtat tubacione, të njëjtat fabrika”. Ky lloj shkëmbimi një-për-një mund të ketë përparësi të rëndësishme të hershme, veçanërisht për industritë që do të kenë ende nevojë të djegin lëndë djegëse të lëngshme.
Por ekziston gjithashtu një rrezik i riskut moral të gjelbër, ku premtimi i thjeshtë i një teknologjie të thjeshtë e dobëson nxitjen për të ndjekur një transformim më gjithëpërfshirës dhe përfundimisht superior. Është një gjë të mbështetesh në e-karburantet e shtrenjta për procese të rralla industriale, të vështira për t'u ulur (ose të tregosh atë makinë antike shekullore). Por është krejt tjetër gjë t’i përdorësh ato për të ngrohur shtëpitë dhe për të furnizuar me energji udhëtimet e përditshme, kur ekzistojnë alternativa të preferuara teknologjikisht dhe ekonomikisht.
Ashtu si rëndom, gjermanët kanë neologjizmin e përsosur për të kapur sfidën në dorë: “Technologieoffenheit”, e cila nënkupton një hapje ndaj teknologjive të reja dhe një kujdes për mbylljen e parakohshme në zgjidhjet inferiore. Por, hapja nuk duhet të nënkuptojë të dëshirosh larg realitetet themelore fizike. Në mes të krizës energjetike të këtij viti, interesat e lidhura me teknologjitë që përndryshe mund të humbasin, po e shtyjnë pikën e hapjes, ndërkohë që heqin dorë nga nevoja për të menduar në aspektin afatgjatë.
Gjëja e fundit që na nevojitet është që vendimet e reja politike, rregullatore dhe investuese të përqendrohen në ndonjë teknologji tjetër, joefikase, për një afat të gjatë. Sipërmarrësit më të suksesshëm janë ata që fokusohen në detyrën kryesore që kanë, në vend që të shpërqendrohen nga çdo gjë e re që mund të duket tërheqëse. Politikëbërësit do të duhej të bënin të njëjtën gjë, tek vendosin se cilat teknologji të shtyjnë përpara dhe nga cilat të heqin dorë.
(Autori është ekonomist i klimës në Shkollën e Biznesit të Columbias. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)