Lifestyle

Pse skizofrenia konsiderohet sëmundja më shkatërruese mendore?

Skizofrenia

Skizofrenia (Ilustrim)

Për Henry Cockburn, fillimi i skizofrenisë dukej si diçka krejt e arsyeshme.

Ishte muaji shkurt i vitit 2002, kur 20-vjeçari, student i artit në Universitetin e Brightonit, vendosi të linte qytetin për të kërkuar jetë “magjike” jashtë tij. Ai nisi një udhëtim 113 kilometra zbathur drejt shtëpisë së fëmijërisë në Canterbury.

Henry Cockburn

Pas rreth 24 kilometrash ecje, ka dëgjuar aeroplanë dhe, siç tregon për CNN, besonte “se një forcë e keqe e dinte që ishte larguar” nga Universiteti.

I bindur se po e ndiqnin, ai mendoi se zgjidhja ishte të hidhej në ujërat e ftohta të lumit Newhaven. Peshkatarët e shpëtuan para se të humbte ndjenjat nga hipotermia.

Pas shërimit në spital, ai u transferua në një institucion psikiatrik, ku mjekët diagnostikuan skizofreni. Pas kësaj, Cockburn kaloi tetë vjet në disa spitale të tilla.

Skizofrenia është një nga çrregullimet më të njohura, por edhe më të keqkuptuara mendore.

Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, prek rreth 24 milionë njerëz në botë (0.32 për qind të popullsisë) dhe shoqërohet me psikozë, halucinacione, iluzione, mungesë motivimi dhe mendim e të folur të çrregullt.

“E shihja më shumë si një zgjim shpirtëror dhe jo si paranojë skizofrenike. Më dukej sikur isha në arrati, dhe nëse je pjesë e sistemit e vendos të dalësh prej tij, sistemi nuk ta pranon këtë”, ka thënë Cockburn.

Ai ka shtuar se ishte i zemëruar pse njerëzit nuk e kuptonin.

“Sot e shoh pak më shumë edhe nga këndvështrimi i tyre”, ka thënë ai.

Çrregullim i keqkuptuar

Emri i skizofrenisë ka ushqyer shumë konfuzion.

Termi u përdor për herë të parë në vitin 1908 nga psikiatri zviceran Paul Eugen Bleuler dhe vjen nga fjalët greke “schizo” (ndarje) dhe “phrene” (mendje).

Ky kuptim ka bërë që shpesh të ngatërrohet me çrregullimin e personalitetit të shumëfishtë, gjë që nuk është e vërtetë.

“Ekziston një stereotip i përhapur se personat me skizofreni janë të rrezikshëm, një njeri i pastrehë që flet me vete në rrugë ose një vrasës masiv i shtyrë nga simptomat e tij. Në fakt, shumica vuajnë shumë më tepër nga vetë sëmundja sesa u shkaktojnë dëm të tjerëve”, ka shpjeguar doktori Jeffrey Lieberman nga Universiteti Columbia.

Doktori Deepak D’Souza nga Universiteti Yale e quan “sëmundjen më shkatërruese mendore” sepse prek të rinjtë në momentin kur po formojnë të ardhmen e tyre.

“Godet përpara se njeriu të arrijë potencialin e tij”, ka thënë ai.

Kur dhe pse shfaqet

Simptomat zakonisht fillojnë mes moshës 15 dhe 25 vjeç. Shpesh, personi ka një “krisje të parë” ku përjeton iluzione dhe humbje të funksionimit normal. Faktorët e rrezikut përfshijnë gjenetikën, komplikimet gjatë shtatzënisë, stresin, traumën dhe përdorimin e drogave.

Përdorimi i kanabisit në adoleshencë është veçanërisht i lidhur me rritjen e rrezikut.

“Imagjinoni një sistem që funksionon normalisht dhe papritur bombardohet me THC”, shpjegon D’Souza, duke iu referuar substancës aktive që ndodhet në kanabis.

Cockburn tregon se para se të diagnostikohej, kishte konsumuar kanabis rregullisht që nga mosha 14-vjeçare, megjithëse ai nuk beson se kjo ishte arsyeja kryesore e sëmundjes.

Simptomat dhe pasojat

Iluzionet dhe halucinacionet janë më të zakonshmet.

“Ato mund të jenë jashtëzakonisht shqetësuese, torturuese dhe të bëjnë të paaftë”, ka thënë doktori Daniel Weinberger nga Johns Hopkins.

Cockburn kujton se shpesh ndiente se shpendët dhe bimët flisnin me të. Madje pati një “bisedë me një pemë” që, siç thotë ai, e bindi të merrej me rap.

Halucinacionet zakonisht marrin formën e zërave të brendshëm, të cilët me kohë errësohen dhe mund të japin urdhra të rrezikshëm.

“Rreth 5 për qind deri në 13 për qind e pacientëve kryejnë vetëvrasje”, ka thënë Weinberger.
Përveç kësaj, shumë pacientë përjetojnë vështirësi në të menduar, izolim social, mungesë motivimi dhe depresion.

A mund të shërohet?

Nuk ka shërim të plotë, por simptomat mund të lehtësohen. Barnat antipsikotike janë më efektive, megjithëse shpesh pacientët nuk i marrin rregullisht, qoftë nga mungesa e ndërgjegjësimit për sëmundjen ose nga efektet anësore. Terapitë psikologjike, si terapia kognitive-biheviorale për psikozën, ndihmojnë pacientët të mësojnë si të menaxhojnë zërat apo iluzionet.

Henry Cockburn ka arritur një stabilitet që nga dalja nga spitali në vitin 2011. Ai merret me pikturë, ka përfunduar fakultetin dhe, siç thotë, përpiqet të përqendrohet te e mira.

“Nuk duhet të dorëzohesh kurrë. Edhe në momentet më të errëta, gjithmonë do të jetë dikush që të kujdeset për ty. Nuk je vetëm”, ka thënë ai.