Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Po rritet numri i grave të reja që preken nga diabeti i tipit 2

Diabeti

Diabeti

Ekspertët e “Imperial College London” kanë ngritur alarmin për rritje shqetësuese të rasteve të diabetit të tipit 2 te gratë në të 20-at në Britani. Sipas analizës së të dhënave të shërbimit shëndetësor të Britanisë (NHS), për periudhën 2011-2024, kjo rritje është bërë më e theksuar pas pandemisë së Covid-19 dhe lidhet ngushtë me shtimin e obezitetit, ka shkruar BBC.

Diabeti i tipit 2 është sëmundje serioze që mund të shkaktojë komplikime të rënda, si infarkti në zemër dhe sulmi në tru. Kur shfaqet në moshë të re, ai është më agresiv dhe rrit ndjeshëm rrezikun për komplikime afatgjata.

Aktualisht, rreth 12 mijë persona nën moshën 30-vjeçare jetojnë me diabet të tipit 2 në Angli, ndërsa gratë përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të këtyre rasteve.

Simptomat më të zakonshme janë lodhje e vazhdueshme, urinim më i shpeshtë dhe etje e vazhdueshme.

Studiuesit zbuluan se rastet tek të rriturit mbi 60 vjeç kanë nisur të ulen lehtë, ndërsa sëmundja po rritet me shpejtësi te personat nën 40 vjeç, sidomos te gratë 20-29 vjeç.

Sipas tyre, shkaku kryesor lidhet me rritjen e obezitetit. Pas pandemisë, pothuajse një në tre persona në Angli është obez, ndërsa shtimi më i madh i rasteve është regjistruar pikërisht te të rinjtë.

“Mendojmë se shfaqja e hershme e obezitetit të rëndë te të rinjtë po rrit rrezikun për diabet të tipit 2 dhe po ul moshën e diagnostikimit. Kjo është vërtet shqetësuese, pasi diabeti që shfaqet herët shoqërohet me pasoja shumë më të rënda për shëndetin”, ka thënë udhëheqësja e studimit, doktoresha Shivani Misra.

Edhe Rastet e reja të obezitetit po rriten më shpejt te të rinjtë, paralajmërojnë ekspertët Lifestyle 3 j. më parë Rastet e reja të obezitetit po rriten më shpejt te të rinjtë, paralajmërojnë ekspertët

Ajo ka theksuar se më parë besohej se rreziku më i lartë ishte kryesisht te grupet e pakicave etnike, por të dhënat e reja tregojnë se fenomeni po përhapet edhe te popullsia e bardhë.

“Tashmë shohim se rastet po shtohen edhe te popullsia e bardhë, gjë që tregon se kjo sfidë e shëndetit publik po prek gjithnjë e më shumë brezat e rinj”, u shpreh ajo.

Ekspertët theksojnë se diagnostikimi i hershëm, ushqimi i shëndetshëm, mbajtja e një peshe normale dhe trajtimet e reja kundër obezitetit mund të ndihmojnë në parandalimin ose edhe në vendosjen e diabetit të tipit 2 në remision te disa pacientë.