Shumë njerëz e shohin tualetin si vendin e vetëm për pak qetësi, për të lexuar apo për të kaluar kohë me telefon. Por ky zakon mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin, sipas studimit të ri të publikuar në revistën shkencore PLOS One, ka raportuar CNN.
Studimi tregon se përdorimi i telefonit gjatë qëndrimit në tualet rrit me 46 për qind rrezikun për të zhvilluar hemorroide. Arsyeja kryesore është koha e zgjatur që njerëzit kalojnë ulur në WC, duke humbur ndjenjën e kohës nga përdorimi i rrjeteve sociale apo leximi i lajmeve online.
“Hemorroidet janë grupe venash në zorrë të trashë apo rektum dhe jashtë anusit që mund të fryhen nga presioni i shtuar, duke shkaktuar kruarje, dhimbje dhe gjakderdhje”, ka shpjeguar doktoresha Trisha Pasricha, autore kryesore e studimit, gastroenterologe në Massachusetts General Hospital dhe ligjëruese në Harvard Medical School.
Ajo ka theksuar se modeli i biznesit të aplikacioneve të rrjeteve sociale është krijuar t’i shpërqendrojë njerëzit.
“Aplikacionet janë krijuar të na bëjnë të humbim ndjenjën e kohës dhe të na varin pas algoritmit. Ne po fillojmë të kuptojmë sa shumë po ndikojnë telefonat e mençur në faktorë të ndryshëm të jetës sonë”, ka thënë ajo.
Në studim morën pjesë 125 të rritur që po i nënshtroheshin një kolonoskopie kontrolluese. Nga ta, 66 për qind pranuan se përdorin rregullisht telefonin në tualet. Ata që e merrnin telefonin me vete kalonin dukshëm më shumë kohë ulur sesa ata që nuk e përdornin.
Mjekët shpjegojnë se ulja për kohë të gjatë në tualet, sidomos në pozicionin e WC-së moderne, rrit presionin në zonën e rektumit dhe favorizon shfaqjen e hemorroideve.
“Kur je ulur në një guacë tualeti, nuk ke mbështetje të dyshemesë së legenit. Me kalimin e kohës kjo rrit presionin dhe bën që gjaku të grumbullohet”, ka thënë Pasricha.
Doktoresha Hima Ghanta, kirurge kolorektale në Holy Name Medical Center në New Jersey, ka shtuar se qëndrimi i gjatë me telefon shoqërohet edhe me qëndrim të keq trupor.
“Kur shikojmë në telefon, shpesh përkulemi. Ky pozicion nuk është ideal për zbrazjen e zorrëve. Njerëzit që dikur ishin të detyruar të uleshin në pozicion cuc nuk kishin kaq shumë probleme. Por ne kemi ndryshuar mënyrën se si ulemi dhe kjo po i përkeqëson hemorroidet”, ka thënë ajo.
Studimi tregon se problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me kapsllëkun.
“Përdoruesit e telefonave nuk kishin më shumë vështirësi me kapsllëkun sesa ata që nuk e përdornin. Hipoteza ime është se përdorimi pasiv i telefonave bën që venat hemorroide të fryhen dhe të dalin, duke shkaktuar hemorroide”, ka shtuari Pasricha.
Mjekët paralajmërojnë se edhe gjeneratat e reja po diagnostikohen gjithnjë e më shpesh me këtë problem.
“Faktorë si mungesa e fibrave dhe obeziteti ndikojnë, por përdorimi i telefonit në tualet është një nga kontribuesit kryesorë”, ka thënë gastroenterologia Sandhya Shukla nga New Jersey.
Si ta ulni rrezikun?
Ekspertët rekomandojnë të shmanget marrja e telefonit në tualet. Nëse kjo nuk shmanget, duhet kufizuar koha e qëndrimit.
“Konsensusi i ekspertëve është tre minuta për çdo dalje jashtëqitjeje, por gjithçka varet nga individi”, ka thënë Shukla.
Një këshillë praktike është vendosja e një alarmi ose kufizimi i kohës në bazë të disa videove të shkurtra.
“Nëse pas dy videove në TikTok nuk ka ndodhur asgjë, është më mirë të ngriheni dhe të provoni përsëri më vonë sesa të rrini ulur”, ka sugjeruar Pasricha.
Ndërkohë Ghanta ka thënë se ka shumë gjëra në jetë që i nxisin njerëzit t’i bëjnë ngadalë e me kujdes, por kjo nuk vlen për tualetin.