Studimi i ri ka zbuluar një lidhje mes një kimikali të pranishëm në çokollatën e zezë dhe shenjave të plakjes më të ngadalshme biologjike. Fjala është për teobrominën, një përbërës natyral i kakaos.
Studimi, i botuar të mërkurën në revistën Aging, tregon se teobromina mund të ketë efekt kundër plakjes, ka raportuar EuroNews.
“Studimi ynë gjen lidhje mes një komponenti kyç të çokollatës së zezë dhe qëndrimit të ri për më gjatë. Nuk po themi që njerëzit duhet të hanë më shumë çokollatë të zezë, por kjo na ndihmon të kuptojmë si ushqimet e përditshme mund të japin të dhëna për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme”, ka thënë Jordan Bell, autorja kryesore e studimit.
Studiuesit kanë analizuar 509 pjesëmarrës në Britani dhe 1,160 në Gjermani. Ata kanë zbuluar se personat me nivele më të larta të teobrominës në gjak kishin moshë biologjike më të ulët se mosha e tyre reale.
Mosha biologjike tregon gjendjen e vërtetë të trupit, pra sa “i vjetër” duket organizmi duke u bazuar në qelizat, indet dhe organet. Kjo ndikohet nga stili i jetesës, mjedisi dhe gjenetika, jo vetëm nga vitet që kalojnë.
Për ta llogaritur moshën biologjike, studiuesit shikuan ndryshimet kimike në ADN dhe gjatësinë e telomereve, kapakët mbrojtës në fund të kromozomeve. Telomeret më të shkurtra lidhen me plakje dhe sëmundje të moshës.
Çokollata e zezë është studiuar edhe më parë për përfitime të mundshme, sidomos për zemrën.
Por shkencëtarët theksojnë se nevojiten më shumë studime për rolin e teobrominës te plakja.
“Edhe pse studimi eksploron një lidhje interesante, ai nuk na tregon çfarë ndodh kur nivelet e teobrominës ndryshojnë sepse hamë më shumë ose më pak çokollatë, dhe si ndikon kjo në shëndet”, ka thënë Dimitrios Koutoukidis, profesor në Universitetin e Oksfordit
Ai ka shtuar se sheqeri dhe yndyra e çokollatës mund t’i zbehin përfitimet.
“Pra, nëse njerëzit e pëlqejnë, le ta shijojnë rrallë dhe në sasi të vogla”, ka thënë ai.