Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pacienti me kancer shërohet një dekadë pas terapisë gjenetike

Në vitin 2010, mjekët trajtuan leukeminë e burrit të quajtur Doug Olson, me një terapi eksperimentale me gjene, e cila transformoi disa nga qelizat e tij të gjakut, në vrasës të kancerit. Më shumë se një dekadë pas, nuk ka më shenja të kancerit në trupin e tij.

Trajtimi shëroi Olsonin dhe një pacient të dytë, sipas mjekëve të Universitetit të Pensilvanisë, të cilët thanë se ishte hera e parë që terapia ishte studiuar për kaq gjatë.

“Jam duke bërë mirë tani. Unë jam ende shumë aktiv. Kam vrapuar në gjysmë maratonë deri në vitin 2018”, ka thënë Olson, 75 vjeç, i cili jeton në Pleasanton, Kaliforni.

Mjekët e tij i përshkruajnë dy rastet në një studim të botuar të mërkurën në revistën “Nature”. Ata thonë se dy shembujt tregojnë se trajtimi, i quajtur terapi me qeliza CAR-T, mund të sulmojë kancerin menjëherë, pastaj të qëndrojë brenda trupit për vite, dhe të evoluojë atje për të mbajtur sëmundjen nën kontroll. Të ashtuquajturat "droga të gjalla" përdoren tani nga mijëra në mbarë botën, për të trajtuar disa kancere të gjakut.

“Bazuar në rezultatet 10-vjeçare, tani mund të konkludojmë se qelizat CAR-T mund të kurojnë pacientët nga leukemia”, ka thënë mjeku Carl June, një nga autorët e studimit.

Edhe Dy pacientë me leukemi drejt shërimit fal trajtimit me qeliza të modifikuara Lifestyle Dy pacientë me leukemi drejt shërimit fal trajtimit me qeliza të modifikuara

Trajtimi një herë përfshin mbledhjen e qelizave T të vetë pacientit, qelizave të bardha të gjakut, kyçe për sistemin imunitar dhe ndryshimin gjenetik të tyre në laborator, në mënyrë që ata të gjejnë dhe sulmojnë qelizat kancerogjene. Qelizat e modifikuara i kthehen pacientit përmes IV.

Në kohën kur Olson mori trajtimin, ai kishte vite që luftonte kancerin. Kur mjekët e diagnostikuan atë me leukemi limfocitare kronike në vitin 1996, ai tha: "Mendova se kisha muaj për të jetuar."

Ai përfundimisht iu nënshtrua kimioterapisë dhe, në një moment, mjeku i tij, David Porter, sugjeroi se ai mund të kishte nevojë për një transplant të palcës kockore, shkruan AP, transmeton Koha.net. Porter ngriti gjithashtu idenë për t'iu bashkuar një studimi të terapisë CAR-T. Olson, themelues i një kompanie të produkteve laboratorike në New Hampshire, tha se ishte i emocionuar nga shkenca dhe i etur për të shmangur transplantin.

Disa javë pas trajtimit, ai u ndje i sëmurë për rreth një javë dhe u shtrua në spital për tri ditë.

"Ishte javën tjetër që Porter më uli dhe më tha: "Ne nuk mund të gjejmë as një qelizë të vetme kanceroze në trupin tuaj”, kujton Olson.

Pacienti tjetër, Bill Ludwig, pati rezultate të ngjashme.

Me kalimin e kohës, thanë studiuesit, qelizat e modifikuara evoluan, shumë prej të cilave u shndërruan në qeliza "ndihmëse" që punojnë me qelizat që vrasin kancerin. Qelizat ndihmëse përfundimisht u bënë dominuese në të dy pacientët.

Edhe Si po ndryshon trajtimi i kancerit përmes imunoterapisë? Lifestyle Si po ndryshon trajtimi i kancerit përmes imunoterapisë?

Autori i studimit J. Joseph Melenhorst tha se ata ishin në gjendje të izolonin dhe analizonin qelizat duke përdorur teknologji të reja, të cilat u dhanë atyre "një pasqyrë shumë të mirë" se si ato vazhdonin në trupat e pacientëve.

Dhjetëra mijëra pacientë po trajtohen me terapi me qeliza CAR-T, të cilat janë miratuar për disa kancere të gjakut nga autoritetet shëndetësore në mbarë botën, duke përfshirë Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA). Agjencia miratoi fillimisht një trajtim të terapisë CAR-T në vitin 2017 të zhvilluar nga Penn dhe prodhuesi i barnave Novartis për leukeminë e fëmijërisë.

Shkencëtarët shpresojnë të shohin përdorim më të gjerë të terapive CAR-T në të ardhmen për kancere të tjera. Vitin e kaluar, një terapi me qeliza CAR-T u miratua për mielomën e shumëfishtë, malinjiteti më i zakonshëm i palcës kockore tek të rriturit. Sipas Shoqatës së Leukemisë dhe ​​Limfomës, leukemia, limfoma dhe mieloma pritej të përbënin pak më pak se 10% të 1.9 milionë rasteve të reja të kancerit në SHBA vitin e kaluar. “

“Por sfida e madhe shkencore, është se si ta bëjë këtë të funksionojë në kancere të ngurta”, si ato në mushkëri, zorrë të trashë dhe vende të tjera”, ka thënë mjeku June.

Edhe në kanceret e gjakut ka sfida. Terapitë janë të shtrenjta, duke arritur në qindra mijëra dollarë vetëm për ilaçet. Dhe ekziston rreziku i efekteve anësore të rëndësishme, duke përfshirë një mbireagim imunitar të quajtur "sindroma e çlirimit të citokinës" dhe probleme të lidhura me sistemin nervor, si ënjtja e trurit.

Të dy pacientët e Penn dolën jashtëzakonisht mirë pas trajtimit. Ludwig udhëtoi në të gjithë vendin me gruan e tij, dhe festoi momentet historike të familjes përpara se të vdiste në fillim të vitit të kaluar nga komplikimet e COVID-19.

Olson tha se ai është jashtëzakonisht mirënjohës për dekadën e jetës që kur mjekët përdorën shkencën e fundit për ta shpëtuar atë.

Edhe Trajtimi i ri që kuroi disa pacientë nga kanceri i gjakut Lifestyle Trajtimi i ri që kuroi disa pacientë nga kanceri i gjakut

“Ajo që ka ndryshuar është dimensioni i shpresës. Ritmi i zbulimit të merr frymën. Është një botë krejt e re”, ka thënë ai.