Lifestyle

Një lloj i harruar i kancerit po shtohet te të rinjtë

Kanceri i apendiksit

Kanceri i apendiksit

Kanceri i apendiksit, sëmundje që dikur ishte aq e rrallë sa shumica e njerëzve as nuk e mendonin si mundësi, është në rritje të papritur, rritje kjo që po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë në të 30-at, 40-at e madje edhe më të rinj, ka shkruar Science Alert.

Një studim i publikuar në revistën prestigjioze Annals of Internal Medicine ka zbuluar se rastet e këtij lloji të rrallë të kancerit janë rritur ndjeshëm te njerëzit e lindur pas viteve ’70. Në fakt, përqindja është trefishuar apo katërfishuar krahasuar me brezat e lindur në vitet 1940. Edhe pse rastet janë ende të pakta në total, vetëm disa njerëz për çdo milion, rritja është alarmante. Sot, rreth një në tre raste ndodh te të rriturit nën moshën 50 vjeç, shumë më tepër sesa në llojet e tjera të kancereve të aparatit tretës.

Çfarë është apendiksi dhe pse është problematik?

Apendiksi është një zgjatje e vogël në formë gishti, e lidhur me zorrën e trashë. Zakonisht lidhet me apendisitin, inflamacion që kërkon ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Por më pak dihet se aty mund të zhvillohet edhe kanceri, zakonisht pa asnjë shenjë paralajmëruese.

“Ky lloj kanceri është i vështirë për t’u zbuluar sepse simptomat janë të mjegullta, dhimbje të lehta barku, fryrje apo ndryshime në jashtëqitje, që shpesh ngatërrohen me probleme të zakonshme të tretjes”, thuhet në raport.

Shumë raste zbulohen vetëm rastësisht, gjatë operacionit për apendisit.

Pse po shtohet?

Ekspertët nuk e dinë me siguri pse po rritet numri i rasteve, por dyshimet bien mbi ndryshimet e mëdha në stilin e jetesës dhe mjedisin.

“Që nga vitet ’70, është rritur ndjeshëm obeziteti, faktor i njohur rreziku për shumë lloje kanceri, përfshirë kanceret e sistemit tretës”, thuhet në studim.

Po ashtu, mënyra e të ushqyerit shpesh drejtohet kah ushqimet e përpunuara, pijet me sheqer, dhe mishrat e përpunuar, faktorë të tjerë rreziku. Edhe aktiviteti fizik është ulur ndjeshëm, ndërsa koha e kaluar ulur para ekraneve është rritur.

Një tjetër teori është se njerëzit janë të ekspozuar ndaj faktorëve të rinj mjedisorë që brezat e mëparshëm nuk i kanë përjetuar: plastika, kimikatet në ushqim dhe ujin e pijshëm, industrializimi i prodhimit ushqimor e faktorë të tjerë.

Gjithashtu, një faktor i ri mund të jetë ndryshimi i mikrobiomës, baktereve në zorrë, për shkak të përdorimit të tepruar të antibiotikëve që nga fëmijëria, si në mjekësi ashtu edhe në bujqësi.

Vështirësia e zbulimit

Ndryshe nga kanceri i zorrës së trashë që mund të zbulohet herët me kolonoskopi, kanceri i apendiksit zakonisht nuk jep sinjale deri vonë. Dhe për shkak se është i rrallë, nuk ekziston ndonjë test rutinë për të.

“Fatkeqësisht, nuk kemi ende mjete të standardizuara për ta zbuluar herët. Kjo do të thotë se pacientët dhe mjekët duhet të jenë më vigjilentë”, ka theksuar studimi. Nëse një person përjeton simptoma të vazhdueshme ose të pazakonta të barkut, veçanërisht nën moshën 50 vjeç, nuk duhet t’i injorojë ato.

Parandalimi: mbrojtja më e mirë

Edhe pse nuk ka garanci, ekspertët këshillojnë ndjekjen e një stili jetese të shëndetshëm: të mbani peshë të shëndetshme trupore, të hani ushqime të pasura me fruta e perime, pasi përmbajnë fibra, të shmangni duhanin dhe të kufizoni konsumimin e alkoolit.

“Këto masa nuk e eliminojnë rrezikun, por janë mënyra, të cilat kanë dëshmuar që ruajnë shëndetin në përgjithësi”, thuhet në artikullin e studimit.

Rritja e rasteve të kancerit të apendiksit te të rinjtë është pjesë e një tendence më të gjerë që përfshin edhe kancerin e zorrës së trashë dhe të stomakut. Këto dukuri ngrenë alarmin për ndryshim sistematik në shëndetin e organeve tretëse.

“Historia e këtij lloj kanceri është rikujtim se edhe sëmundjet më të rralla mund të bëhen më të zakonshme kur ndryshojnë stili i jetesës dhe mjedisi ynë”, thuhet në përfundim të raportit të studimit.