Disa sisteme anembanë vendit kanë bërë hapa për ta forcuar personelin, në mënyrë që të minimizohen ndërprerjet, por shumë prej tyre shpresojnë që të mos ketë nevojë për këto ndryshime. Edhe disa nga vendet përreth që patën më shumë ndërprerje në mësimin në klasa në mes të përhapjes së variantit ngjitës Omicron, tregojnë për disa ndryshime specifike në përpjekjet e tyre parandaluese
Me afrimin e vitit të ri shkollor, infeksionet e COVID-19 janë përsëri në rritje, të nxitura nga variantet e bartshme që po ua fusin frikën shumë familjeve. Kanë frikë nga rikthimi i një fatkeqësie pandemike: shpërthime virusesh që mënjanojnë një numër të madh mësuesish, mbyllin objektet e shkollave dhe i detyrojnë nxënësit të kthehen në mësimin online.
Masat paraprake
Disa sisteme anembanë vendit kanë bërë hapa për ta forcuar personelin, në mënyrë që të minimizohen ndërprerjet, por shumë prej tyre shpresojnë që të mos ketë nevojë për këto ndryshime.
Edhe disa nga vendet përreth që patën më shumë ndërprerje në mësimin në klasa në mes të përhapjes së variantit ngjitës Omicron, tregojnë për disa ndryshime specifike në përpjekjet e tyre parandaluese.
Midis tyre janë shkollat e kontesë Baltimore, ku numri i ditëve që shkollat individuale në distrikt nuk mund të ofronin mësim fizik, arriti në 159 në janar, sipas të dhënave nga firma kërkimore private Burbio, e cila gjurmon mbi 5 mijë distrikte shkollore në mbarë vendin. Zyrtarët e qarkut kanë thënë se nuk e shihnin nevojën për t’i ndryshuar protokollet.
Edhe
Kina, me valë të re virusi, kalon në mësim online
“Nuk është se parashikojmë ndryshime të rëndësishme në planet tona; nuk parashikojmë ndërprerje të rëndësishme”, ka theksuar Charles Herndon, zëdhënës i Shkollave Publike të Qarkut Baltimore. “Ajo që ne presim të shohim janë valët e COVID-it në vitin 2022 dhe 2023, dhe jam i sigurt se do të ketë raste kur më shumë njerëz do të mungojnë dhe do të ketë raste kur gjithçka është në rregull.
Megjithatë, distrikti është i përgatitur për të kaluar në mësimin online nëse është e nevojshme.
“Sigurisht, shpresojmë se nuk do të shkohet deri në atë ekstrem, mirëpo është opsion që nëse është e nevojshme do ta shqyrtojmë”, ka thënë ai.
Mungesa e mësuesve, shqetësim i madh
Mungesa e mësuesve mbetet shqetësim i madh, madje edhe më i madh se vetë COVID-19, ka vënë në dukje Dan Domenech, drejtor ekzekutiv i AASA-s, shoqatë e mbikëqyrësve të shkollave.
“Ky është shqetësimi më i madh – se ata do të kenë stafin e nevojshëm për t’i menaxhuar të gjitha klasat, për t’i menaxhuar të gjitha programet – të cilat do të përkeqësohen vetëm nëse do të ketë një shpërthim të COVID-it”, ka spikatur ai.
Shkollat e Filadelfias ilustrojnë se sa shkatërruese mund të jenë rritjet e rasteve të infektuara me COVID-19. Duke filluar nga janari, virusi bëri që 114 shkolla të qytetit të mbanin mësim në distancë për një mesatare prej rreth tetë ditësh secila - një total prej 920 ditësh kumulative mësimi në distancë, më shumë se çdo distrikt tjetër në të dhënat e Burbios për periudhën janar-qershor.
Mes mungesës së mësuesve zëvendësues, shkollat u detyruan të tërhiqnin stafin e zyrës qendrore, t’i kombinonin klasat ose të largoheshin përkohësisht, ka bërë të ditur zëdhënësja e distriktit Marissa Orbanek.
Edhe
Filipinet kthejnë nxënësit në klasa pas dy vjetësh shkaku i pandemisë
Distrikti ka kaluar në një agjenci të re personeli dhe synon të plotësojë 90% të kërkesave zëvendësuese këtë vit, ka lajmëruar Orbanek. Ata tani kanë gjithashtu mbi 100 mësues plotësues, zëvendësues që paraqiten çdo ditë në të njëjtën shkollë në rast mungesash në minutën e fundit.
Një prind, James Fogarty, i pa fëmijët e tij të moshës së shkollës fillore të kthehen në mësimin online disa herë vitin e kaluar në Pittsburgh, distrikt që pati 46 ndërprerje në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Ai shpreson se distrikti dhe komunitetet të mund t’i identifikojnë problemet më herët dhe të punojnë për zgjidhje më të mira, si identifikimi i opsioneve rezervë për familjet.
“Si mund të ndërtojmë sisteme që janë të përshtatshme për t’u përballur me shpërthimet e virusit, përveçse t’u thuash familjeve: “Paçi fat, tash jeni krejt vetëm dhe shpresoj se nuk do të pushoheni nga puna kur ta lini ndërrimin tuaj”, ka thënë Fogarty, drejtor ekzekutiv i Shkollave A+ në Pitsburg, organizatë që promovon barazinë në shkolla. “Kjo nuk është përgjigje e kënaqshme për mua”.
Frika për ngecje
Shkollat nuk mund të përballojnë më shumë ndërprerje që i shpërqendrojnë nga puna më e rëndësishme, për t’i ndihmuar fëmijët ta arrijnë hapin, ka theksuar Thomas Kane, studiues i politikave arsimore në Harvard. Nxënësit në shkollat me të ardhura më të ulëta që bënin mësim në distancë për më shumë se gjysmë viti humbën ekuivalentin e 22 javëve mësimore, ndërsa shkollat me të ardhura të larta humbën 13 javë.
“Ne kemi përjetuar zgjerim historik të hendekut të arritjeve midis nxënësve afro-amerikanë dhe të bardhëve, midis studentëve latinë dhe të bardhëve, midis shkollave me varfëri të lartë dhe të ulët”, ka bërë të ditur ai. “Nëse nuk aktivizohemi në përpjekjen për t’i mbyllur këto boshllëqe, ato do të bëhen të përhershme dhe do të ketë pasoja të mëdha për fëmijët”.
Shkollat shpresojnë se ndërprerjet do të jenë më pak të mundshme pasi shumë vende kanë investuar në ventilim më të mirë dhe vaksinat janë në dispozicion për fëmijët deri në gjashtë muaj. Përveç rritjes së punësimit të zëvendësuesve, disa nga distriktet që u goditën më rëndë vitin e kaluar kanë bërë ndryshime të vogla në protokollet e tyre.
Në shkollat e qytetit Baltimore, e cila është e ndarë nga sistemi shkollor i qarkut, zyrtarët thonë se qasja e zgjeruar në teste të shpejta do t’i ndihmojë shkollat të qëndrojnë të hapura nëse një variant i ri rritet në vjeshtë. Shkolla më parë mbështetej në teste më të ngadalta PCR dhe kur rastet e Omicronit u rritën në janar, regjimi i testimit të distriktit nuk mund të vazhdonte. Kalimi në një test më të shpejtë e ka ndihmuar vendin të shmangte çdo mbyllje në mbarë shkollën për pjesën tjetër të pranverës.
Edhe
Rikthimi i maskave në shkolla
“Ne besojmë fuqimisht se me protokollet që kemi në fuqi do të jemi në gjendje të vazhdojmë të mësuarit në klasa teksa virusi zbehet por krijohen variante të reja – në pritje të një varianti të paparashikuar që e ndryshon vërtet lojën”, ka njoftuar Cleo Hirsch, drejtor i përgjigjes së rrethit për COVID-19.
Përktheu: Blerta Haxhiu