Kohavisioni ka rikthyer ciklin e serisë “Mrekullia”. Në sezonin e tretë të këtij emisioni, në fokus do të jenë fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç.
Natyra Agani, specialiste e Psikologjisë Klinike dhe e Psikoterapisë, do të ndajë me shikuesit e Kohavisionit këshilla të vlefshme për prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe.
Protesta dhe zemërimet e dyvjeçarëve dhe, si të menaxhohen ato nga prindërit, të folurit dhe vështirësitë në të folur, frika dhe zhvillimi i fobive, manifestimi i xhelozisë për vëllezërit dhe motrat, përdorimi i teknologjisë për zhvillimin e fëmijëve, mbrojtja e tepërt e fëmijëve nga prindërit apo kujdestarët janë disa nga temat që do të trajtohen në episodet e reja të “Mrekullisë”.
Krahas shtjellimit të këtyre problematikave, do të jepen këshilla se si duhet vepruar prindërit apo kujdestarët në një situatë të caktuar, teksa njëkohësisht do të potencohen edhe rastet kur ata duhet kërkuar ndihmë prej pediatrit apo psikologut.
Se fëmijën nuk duhet krahasuar me fëmijët e tjerë, si dhe me motrat dhe vëllezërit e tij është megjithatë një prej mesazheve kryesore që përçohet përmes kësaj serie.
“Mrekullia 3”, emisionin mund ta ndiqni çdo të premte nga ora 09:10 në KTV dhe mund të përcillet edhe në kanalin zyrtar të Kohavisionit në “Youtube”.