Lifestyle

Mbipesha shkaktohet më shumë nga ushqimi me kalori sesa nga mungesa e aktivitetit fizik

Ushqimi i shumëpërpunuar shkaktar i mbipeshës

Ushqimi i shumëpërpunuar shkaktar i mbipeshës

Një studim i ri i publikuar në revistën Proceeding of The National Academy of Science (PNAS) ka sugjeruar se konsumimi i kalorive më shumë se që duhet shkakton më shumë shtim peshe sesa mosaktiviteti fizik, apo ushtrimet, ka raportuar MedialXpress.

Dihet tashmë se mbipesha është problem serioz shëndetësor në mbarë botën, sidomos në vendet e industrializuara, dhe se ndërlidhet me shumë sëmundje dhe cilësi të dobët të jetës.

Trupi i njeriut harxhon kalori në dy mënyra: përmes aktivitetit fizik (si ecja, puna, ushtrimet) dhe përmes aktiviteteve bazë që ndodhin në mënyrë automatike, si frymëmarrja, tretja e ushqimit apo qarkullimi i gjakut. Pyetja që kanë bërë studiuesit është: A po konsumojmë shumë kalori për t’u djegur me aktivitet të zakonshëm, apo thjesht nuk po lëvizim mjaftueshëm për t’i shpenzuar ato?

Studiuesja Amanda McGrosky dhe ekipi i saj analizuan të dhënat e 4,213 të rriturve të moshës 18 deri 60 vjeç, nga 34 grupe të ndryshme popullsie në gjashtë kontinente, përfshirë njerëz nga shoqëri gjuetare, blegtorale, bujqësore dhe industriale. Kjo e bën studimin një nga më gjithëpërfshirësit deri tani për këtë temë.

Studiuesit matën harxhimin total të energjisë (TEE), energjinë e harxhuar nga aktiviteti fizik (AEE), dhe harxhimin bazë të energjisë (BEE). Ata krahasuan këto të dhëna me nivelin e yndyrës trupore dhe indeksin e masës trupore (BMI). Në analizat e tyre, përdorën klasifikimin e Kombeve të Bashkuara për zhvillimin njerëzor (HDI), për të dalluar ndryshimet mes vendeve më të zhvilluara dhe atyre më pak të zhvilluara.

Fillimisht, të dhënat treguan se njerëzit në vendet më të zhvilluara kishin më shumë masë trupore dhe më shumë yndyrë, por gjithashtu harxhonin më shumë energji, përfshirë edhe përmes aktivitetit fizik. Kjo do të nënkuptonte se mungesa e ushtrimeve nuk ishte problemi kryesor.

Por pasi studiuesit përllogaritën faktorë si mosha, gjinia dhe përmasat trupore, doli se shpenzimi total i energjisë dhe ai bazik në të vërtetë ishin pak më të ulëta në vendet më të zhvilluara (me 6–11% më pak). Megjithatë, edhe pas rregullimeve, njerëzit në vendet më të zhvilluara kishin më shumë aktivitet fizik në përgjithësi, duke treguar se mbipesha nuk është pasojë e mungesës së lëvizjes.

Sipas studiuesve, harxhimi total i energjisë nuk kishte lidhje të fortë me mbipeshën, duke shpjeguar rreth 10% të rritjes së obezitetit në vendet më të zhvilluara.

Ushqimet e shumë përpunuara në qendër të vëmendjes

 

Shkencëtarët i kthyen sytë nga ushqimi si shkaktar kryesor. Sipas studimit, përdorimi i ushqimeve ultra të përpunuara (UPF), si sallamet, ushqimet e gatshme, ëmbëlsirat dhe “snacks” industriale, ishte qartazi i lidhur me rritjen e yndyrës trupore.

“Përqindja e ushqimeve ultra të përpunuara në dietë ishte e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me përqindjen e yndyrës trupore”, shkruajnë autorët.

A duhet të ndaluar së ushtruari?

Jo aspak. Ani pse ushtrimet nuk janë faktori kryesor i mbipeshës, ato mbeten të rëndësishme për shëndetin në përgjithësi.

“Ushtrimet janë ende shumë të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve dhe për mirëqenien mendore”, thuhet në studim.

Autoret theksojnë gjithashtu se duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi uljes së kalorive nga ushqimet shumë të përpunuara, jo vetëm për të luftuar mbipeshën, por edhe për të kuptuar si ndikojnë këto ushqime në trupin e njeriut.

“Shija e fuqishme, përqendrimi i lartë i produkteve që japin energji, si ëmbëltuesit artificial, përbërja e dobët ushqyese dhe pamja tërheqëse e këtyre ushqimeve mund të prishin ndjesinë natyrale të ngopjes dhe të nxisin ngrënien e tepërt. Ushqimet e shumëpërpunuara gjithashtu kanë treguar se rrisin përqindjen e kalorive që thithen nga trupi në vend që të përjashtohen”, shkruhet raportin e studimit.