Lifestyle

Maria Grazia Chiuri largohet nga “Dior” pas nëntë vjetësh

Maria Grazia Chiuri

Maria Grazia Chiuri

Foto: Associated Press

Pas nëntë vjetësh në krye të krijimtarisë për koleksionet e grave, disenjatorja Maria Grazia Chiuri po largohet nga shtëpia luksoze franceze e modës, “Dior”. Shfaqja “Resort 2026”, që u prezantua të martën ishte e fundit për disenjatoren italiane, e cila bëri histori si gruaja e parë që udhëhoqi ndonjëherë koleksionet për gratë që nga themelimi i brendit “Dior” në vitin 1947, ka raportuar Vogue Business.

“’Christian Dior Couture’ njofton se Maria Grazia Chiuri ka vendosur të largohet nga pozita e saj si drejtoreshë kreative e koleksioneve të 'haute couture' (krijime që njihen si modë e lartë e që nuk prodhohen në masë, por krijohen zakonisht me punë dore specifikisht vetëm për një klient), prêt-à-porter apo ready to wear (koleksione që krijohen në masë me madhësi të standardizuara) dhe aksesorëve për gra”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar të enjten.

Delphine Arnault, drejtoreshë ekzekutive e “Dior”, ka shprehur mirënjohje për Chiurin.

“I shpreh falënderimet më të përzemërta Maria Grazia Chiuri, e cila që nga ardhja e saj te ‘Dior’ ka realizuar një punë të jashtëzakonshme me një perspektivë frymëzuese feministe dhe kreativitet të rrallë, gjithnjë në frymën e ‘Monsieur Dior’. Ajo ka shkruar një kapitull të rëndësishëm në historinë e ‘Dior’ dhe ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e markës”, ka thënë Arnault.

Chiuri ka thënë se ndihet shumë mirënjohëse për mbështetjen që i kanë dhënë punëtorët e kësaj shtëpie të modës.

Jam veçanërisht mirënjohëse për punën e ekipeve të mia dhe të atelieve. Talentet dhe mjeshtëria e tyre më mundësuan të realizoja vizionin tim për modën për gratë, në dialog të ngushtë me disa breza artistesh. Së bashku kemi shkruar një kapitull me ndikim, për të cilin jam jashtëzakonisht krenare”, ka thënë disenjatorja.

Chiuri nisi karrierën në vitin 1989 në brendin e njohur “Fendi” si dizajnere çantash, kaloi në brendin “Valentino” në vitin 1999, dhe në vitin 2008 u emërua bashkë-drejtoreshë kreative me disenjatorin Pierpaolo Piccioli. Në vitin 2016, ajo mori drejtimin e “Diorit”, duke pasuar emra të mëdhenj si vetë  Christian Dior, Yves Saint Laurent, Gianfranco Ferré, John Galliano dhe Raf Simons.

Debutimi i saj me koleksionin Pranverë/Verë 2017 solli në skenë bluza me slogane si “We should all be feminists”, duke vendosur tonin për një drejtim të ri në shtëpinë franceze: të fuqizojë gratë përmes modës.

“Mesazhi im është se nuk ka një lloj të vetëm të gruas”, pati thënë ajo për Vogue.

Gjatë këtyre viteve, Chiuri ka bashkëpunuar me shumë artiste gra për skenografitë e sfilatave, përfshirë Judy Chicago, Faith Ringgold, Eva Jospin dhe Mickalene Thomas. Në shfaqjen e koleksionit pranverë-verë 2025, artistja dhe shigjetarja italiane Sagg Napoli lëshoi shigjeta ndërsa modelet ecnin në pasarelë, diçka që është simbol i forcës dhe saktësisë.

Chiuri gjithashtu u mbështet në arkivat e shtëpisë “Dior” përtej epokës së themeluesit.

“’Monsieur Dior’ jetoi vetëm 10 vjet. Nuk mund të jetë gjithçka vetëm për të! Në një farë mënyre, e shoh veten si kuratore të shtëpisë 'Dior'”, ka thënë ajo pas sfilatës së parë që pati krijuar për “Dior”.

Ajo në vitin 2018 ka risjellë çantën ikonike që quhet “Saddle Bag”, të dizajnuar fillimisht nga disenjatori John Galliano, dhe në koleksionin vjeshtë/dimër të vitit 2024 i bëri homazh linjës “Miss Dior” të cilën e pati krijuar disenjatori i ndjerë Marc Bohan, që ka punuar për këtë shtëpi mode për 30 vjet me radhë.

Canta ikonike “Saddle Bag”, fillimisht e krijuar nga disenjatori John Galliano për "Dior"

“Jam shumë e intriguar nga kjo periudhë e historisë së z. Bohan”, pati thënë Chiuri për Vogue.

Nën drejtimin e saj, “Dior” u kthye në një forcë të fuqishme tregtare. Sipas HSBC, shitjet e “Dior couture” u rritën nga 2.2 miliardë euro në vitin 2017 në 9.5 miliardë në vitin 2023. Megjithatë, në vitin 2024, për shkak të ngadalësimit të përgjithshëm të tregut të markave luksoze, ato ranë në 8.7 miliardë euro, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2025, konglomerati LVMH ka raportuar rënie prej 5% në sektorin e modës dhe lëkurës.

Së fundmi, “Dior” ka bërë ndryshime në menaxhim, duke emëruar Benedetta Petruzzo si drejtoreshë të përgjithshme dhe Pierre-Emmanuel Angeloglou si zëvendës të saj. 

Përtej modës, Chiuri ka qenë e angazhuar në restaurimin e teatrit historik në Romë, “Teatro della Cometa”, si një projekt personal.

Shfaqja e saj e fundit në kuadër të “Dior”, Resort 2026, u mbajt në Romë dhe përshkruhet nga Vogue Runway si një “celebrim i ndjerë, pothuajse i tëri në të bardhë, për qytetin e saj të lindjes”.