Disenjatorja e njohur e modës, Maria Grazia Chiuri, është rikthyer në brendin romak, “Fendi”, këtë herë si drejtoreshë kreative e shtëpisë së njohur të modës.
Ajo do ta prezantojë koleksionin e parë për vjeshtë/dimër 2026 gjatë Javës së Modës në Milano, në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Vogue ka raportuar se ky emërim vjen gjashtë muaj pas largimit të saj nga brendi i mirënjohur “Dior” dhe shënon një kthim “në shtëpi”, pasi Chiuri, kishte punuar në “Fendi” për 10 vjet, nga viti 1989 deri më 1999, si disenjatorë e aksesorëve. Pikërisht aty ajo krijoi një nga simbolet më të njohura të markës, çantën e ashtuquajtur “Baguette”.

“Maria Grazia Chiuri është një nga talentet më të mëdha kreative në botën e modës sot, dhe jam i lumtur që ajo ka zgjedhur të kthehet në ‘Fendi’ për të vazhduar të shprehë kreativitetin e saj brenda grupit LVMH. Jam i bindur se Maria Grazia do të kontribuojë në rilindjen artistike dhe suksesin e ardhshëm të shtëpisë, duke ruajtur trashëgiminë e saj unike”, ka thënë Bernard Arnault, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i LVMH Group.
Pas largimit të Kim Jones në muajin tetor 2024, Fendi kishte mbetur pa drejtor të përhershëm për veshjet e grave. Deri tani, Silvia Venturini Fendi, mbesa e themeluesve Adele dhe Edoardo Fendi, pati marrë përsipër edhe drejtimin e linjës së grave, përveç asaj të burrave. Por më 29 shtator ajo u promovua në një rol të ri si presidente nderi.
Edhe
Maria Grazia Chiuri largohet nga “Dior” pas nëntë vjetësh
“Jam i lumtur që e mirëpres Maria Grazia-n në ekip. Roli i një drejtori kreativ sot nuk është më thjesht të dizajnojë rroba të bukura, por të krijojë një kulturë dhe të reflektojë botën ku jetojmë. Talenti dhe vizioni i saj do të jenë thelbësorë për forcimin e trashëgimisë së ‘Fendit’ dhe zhvillimin e gjeneratës së re të talenteve”, ka deklaruar Ramon Ros, kryetar dhe CEO i “Fendit”.
Chiuri e përshkroi rikthimin e saj si një moment personal e profesional shumë të rëndësishëm.
“Unë kthehem në Fendi me nder dhe gëzim, pasi pata privilegjin të filloja karrierën time nën udhëheqjen e themelueseve të shtëpisë, pesë motrave Fendi. Kjo shtëpi ka qenë gjithmonë një vatër e talenteve dhe një pikënisje për shumë krijues në industri. Jam mirënjohëse ndaj z. Arnault që më ka besuar detyrën për të shkruar një kapitull të ri në historinë e këtij brendi të jashtëzakonshëm që u themelua nga gratë”, ka thënë ajo.
Përveç aspektit profesional, ky rikthim është i përshtatshëm edhe nga ana personale, pasi “Fendi” ka selinë në Romë, aty ku Chiuri është zhvendosur pas largimit nga “Dior”, që ka seli në Paris.
Kohët e fundit ajo ka punuar në projekte që i ka pasion, përfshirë restaurimin e Teatro Della Cometa, një hapësirë historike për shfaqje në kryeqytetin italian.
Karriera e saj ka qenë e lidhur ngushtë me modën italiane, pas “Fendit”, Chiuri dhe bashkëpunëtori i saj Pierpaolo Piccioli kaluan në brendin tjetër të mirënjohur “Valentino”, ku u bënë drejtorë kreativë të përbashkët në vitin 2008.

Në vitin 2016 ajo kaloi te “Dior”, ku u bë gruaja e parë që drejtoi linjën e veshjeve të grave në historinë e shtëpisë franceze.
Në “Dior”, Chiuri vendosi një ton të ri, duke e lidhur modën me mesazhe feministe, diçka që u pa qartë në koleksionin e saj të parë me bluzat “We should all be feminists”.
Edhe
A qëndron ende Gabbana në “Dolce & Gabbana”?
Ajo bashkëpunoi me artiste si Judy Chicago, Faith Ringgold dhe Mickalene Thomas, duke zgjeruar horizontin kulturor të markës.
Sipas të dhënave të HSBC, shitjet e “Dior” u rritën nga 2.2 miliardë euro në vitin 2017 në 9.5 miliardë euro në vitin 2023, një periudhë që përkon me drejtimin e saj.