Një studim i ri ka zbuluar se luhatjet e mëdha në nivelet e kolesterolit mund të rrisin rrezikun e demencës dhe rënies së performancës mendore tek të moshuarit, ka shkruar NeuroscienceNews.
Kjo lidhje u gjet në një studim që përfshiu pothuajse 10,000 të rritur mbi 70 vjeç, të cilët u ndoqën për gjashtë vjet.
Ata që kishin variacione të mëdha në nivelet e kolesterolit total dhe LDL (kolesteroli i keq) kishin rrezik deri në 60% më të madh për të zhvilluar demencë dhe 23% më shumë mundësi për rënie mendore.
Sipas studimit, luhatjet e mëdha të kolesterolit mund të shkaktojnë destabilizimin e pllakave aterosklerotike në enët e gjakut, të cilat janë kryesisht të përbëra nga LDL-ja, dhe kjo mund të ndikojë në rrjedhjen e gjakut në tru, duke shkaktuar probleme me funksionet mendore.
“Një mundësi është që luhatjet e mëdha të kolesterolit total dhe LDL mund të destabilizojnë pllakat aterosklerotike, duke rritur rrezikun e rritjes, shpërthimit dhe bllokimit të rrjedhjes së gjakut në tru, çka mund të ndikojë në funksionin e trurit”, ka thënë autori i studimit, Zhen Zhou nga Universiteti Monash në Melbourne të Australisë.
Studiuesit gjetën gjithashtu se luhatjet e kolesterolit HDL (kolesteroli i mirë) dhe triglicerideve nuk ishin të lidhura me demencën apo rënien mendore. Për këtë arsye, studimi sugjeron që stabilizimi i kolesterolit mund të jetë një hap i mundshëm në parandalimin e demencës në të ardhmen.
Megjithatë, duhet të theksohet se ky është studim i tipit vëzhgues dhe nuk mund të provohet lidhja shkak-pasojë mes luhatjeve të kolesterolit dhe rrezikut të demencës.
“Ky studim shton një copë të rëndësishme në enigmën e ruajtjes së shëndetit të trurit duke ofruar prova që luhatja e rritjes së niveleve të kolesterolit lidhet me rënien mendore”, ka thënë Fernando D. Testai nga Amerikan Heart Association.
Në fund, studiuesit kanë bërë të ditur se duhet bërë më shumë hulumtime për të kuptuar se si luhatjet e kolesterolit ndikojnë tek truri dhe se mund të krijohen mundësi për trajtime që do të synojnë stabilizimin e niveleve të kolesterolit për të mbrojtur shëndetin mendor.