Një studim i ri sugjeron se kontrolli rutinë për kancerin e gjirit mund të ndihmojë gjithashtu në zbulimin e rrezikut për sëmundje të zemrës, një nga shkaqet kryesore të vdekjes te gratë.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore European Heart Journal, mamografitë që përdoren për zbulimin e kancerit të gjirit mund të tregojnë edhe depozitime kalciumi në arteriet e gjirit, ka shkruar The Washington Post.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëto depozitime e bëjnë enën e gjakut më të fortë dhe mund të jenë shenjë paralajmëruese për probleme me zemrën.
Radiologët e kanë vërejtur këtë fenomen prej vitesh, por studimi i ri tregon se si Inteligjenca Artificiale (AI) mund ta përdorë këtë informacion për të identifikuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Studiuesit kanë analizuar më shumë se 120 mijë mamografi dhe përdorën inteligjencën artificiale për të matur nivelin e kalciumit në arteriet e gjirit. Ata zbuluan se gratë me depozitime më të mëdha kalciumi kishin rrezik më të lartë për:
-dështim të zemrës
-infarkt në zemër
-sulm në tru
-vdekje nga sëmundje kardiovaskulare
Sipas studiuesve, potenciali për shëndetin publik është shumë i madh, pasi mbi 40 milionë persona bëjnë mamografi çdo vit në SHBA.
Shumë gra mendojnë gabimisht se kanceri i gjirit është shkaku kryesor i vdekjes te gratë, ndërsa në fakt sëmundjet e zemrës janë shumë më të shpeshta.
Profesoresha Mary Cushman nga Universit i Vermontit, e cila nuk ishte pjesë e studimit, ka thënë se kjo qasje mund të ndryshojë mënyrën se si identifikohet rreziku për sëmundje të zemrës.
“Nëse ka një mënyrë për t’i informuar gratë pikërisht në momentin kur ato janë duke bërë mamografinë, ky mund të jetë një ndryshim i madh”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se një nga gjetjet më interesante është se kjo metodë mund të parashikojë rrezikun edhe te gratë më të reja se 50 vjeç.
“Është sinjal i qartë se edhe gratë më të reja mund të kenë rrezik për sëmundje të zemrës dhe se ky rrezik mund të zbulohet herët”, ka thënë Chushman.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se mamografia nuk duhet të zëvendësojë kontrollet e zakonshme për zemrën, si matja e tensionit të gjakut ose e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak.
Studimi u realizua nga studiues të Emory University dhe përfshiu rreth 74 mijë gra që bënë mamografi në sistemin shëndetësor Emory Healthcare në Atlanta, si dhe rreth 50 mijë të tjera nga Mayo Clinic.
Drejtuesi i studimit, radiologu Hari Trivedi, ka thënë se shumë gra nuk kontrollohen rregullisht për rrezikun kardiovaskular.
“Gratë shpesh kontrollohen shumë pak për sëmundje të zemrës dhe shumë raste mbeten të pazbuluara”, ka thënë ai.
Studiuesit përdorën një algoritëm të inteligjencës artificiale për të ndarë depozitimet e kalciumit në katër nivele, nga mungesa e plotë deri te forma e rëndë. Gratë në kategorinë më të rëndë kishin dyfish më shumë rrezik për sëmundje serioze kardiovaskulare krahasuar me ato që nuk kishin fare depozitime.
Teknologji të ngjashme tashmë ekzistojnë.
Kompania CureMetrix ka zhvilluar një program të inteligjencës artificiale që mund të zbulojë këto depozitime në mamografi, dhe disa klinika e ofrojnë këtë analizë si shërbim shtesë.
Megjithatë, ekspertët thonë se ende nevojiten studime të tjera për të kuptuar se si kjo metodë mund të përdoret më mirë në praktikë.
Kardiologia Lori B. Daniels nga University of California San Diego ka thënë se radiologët duhet të fillojnë ta raportojnë këtë informacion më rregullisht.
“Nëse radiologët fillojnë ta përfshijnë këtë në raportet e tyre, do të grumbullojmë më shumë të dhëna dhe ky është hapi i parë. Ka një sasi të madhe informacioni që deri tani është injoruar”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se ndonjëherë pamja vizuale e arterieve në skanime mund t’i motivojë njerëzit të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre.
“Kur njerëzit shohin se çfarë po ndodh në arteriet e tyre, shpesh motivohen më shumë për të ndryshuar stilin e jetesës dhe për të mbrojtur zemrën”, ka thënë Daniels.