Dhjetëra pacientë me kancer të zorrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parë rezultate të zhdukjes së tij pasi iu nënshtruan imunoterapisë eksperimentale, raportoi të martën “Euronews”.
Pacientët që ishin pjesë e një eksperimenti të vogël klinik, të udhëhequr nga studiues nga Qendra e Kancerit Memorial Sloan Kettering në Nju Jork, kanë parë se tumoret e tyre po zhdukeshin pasi u trajtuan me një ilaç eksperimental të quajtur dotarlimab.
Gazeta “New England Journal of Medicine” ka përshkruar rezultatet e 12 pacientëve me kancer rektal, të cilët nuk vuanin më nga kjo sëmundje e rëndë pas trajtimit me dotarlimab.
Pjesëmarrësit morën një dozë dotarlimab çdo tre javë për gjashtë muaj, me idenë se do t'u duhej t'i nënshtroheshin trajtimeve standarde të kimioterapisë, terapisë me rrezatim dhe kirurgjisë pas trajtimit. Megjithatë, studiuesit zbuluan se në çdo rast, kanceri u pastrua vetëm përmes trajtimit eksperimental.
Sipas ekspertëve, imunoterapia shfrytëzon sistemin imunitar të trupit për të identifikuar dhe shkatërruar qelizat e kancerit.
Ky hulumtim që po vazhdon, tregon që asnjëri prej të nënshtruarve ndaj këtij eksperimenti nuk ka përjetuar efekte të rënda anësore.
Edhe
Ilaçet eksperimentale kundër kancerit i ndihmojnë disa pacientë të shmangin operacionin
Ky lloj trajtimi fokusohet në proteina të veçanta të quajtura pika kontrolli, të cilat bëhen nga disa lloje të qelizave të sistemit imunitar, si dhe disa qeliza kanceroze, sipas Institutit Kombëtar të Kancerit të SHBA-së.
Prova klinike po vazhdon të regjistrojë pacientë dhe po rritet, thanë studiuesit e MSK-së.
Ata po hetojnë gjithashtu për të parë nëse e njëjta metodë mund të mposhtë kanceret e tjera dhe po shikojnë të provojnë edhe te pacientët me kancer të stomakut, prostatës dhe pankreasit.