Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Hulumtimi i testosteronit sjell shpresë të re për pacientët me kancer

Shumë pacientë me kancer vuajnë nga humbja e masës trupore e njohur si kaheksia. Përafërsisht 20 për qind e vdekjeve të lidhura me kancer i atribuohen sindromës së kaheksias, e cila në pacientët me kancer shpesh karakterizohet me humbje të shpejtë ose të rëndë të muskulit dhjamor dhe skeletor.

Dr. Melinda Sheffield-Moore, profesoreshë dhe shefe e Departamentit të Shëndetësisë dhe Kineziologjisë, së bashku me hulumtuesit në Universitetin e Teksasit, e ka publikuar kohët e fundit një hulumtim në Journal of Cachexia, Sarcopenia and Muscle, ku tregon se testosteroni i hormonit është efektiv në luftimin e kaheksias në pacientët me kancer dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës, transmeton koha.net.

Këto zbulime janë të rëndësishme, pasi që aktualisht nuk ka terapi të përcaktuar që e shënjestron këtë humbje të muskujve skeletorë, dhe pa ndërhyrje, pacientët e humbin funksionin e muskujve dhe bëhen të lodhur dhe të plogështuar.

"Ne shpresuam të demonstronim se këta pacientë do të kalonin nga plogështia dhe pamundësia për të dalë nga shtrati në të paktën një gjendje për ta pasur një kualitet bazik të jetesës, që u lejon atyre të kujdesen për veten dhe të marrin terapi", tha dr. Sheffield-Moore.

Dr. Sheffield-Moore tha se mjekët e kërkuan ekspertizën e saj për të ushqyerit dhe metabolizmin kur pacientët humbnin sasi të mëdha të peshës nga kaheksia e kancerit. Ajo tha se trajtimi i mëparshëm i përqendruar në të ushqyerit nuk arriti ta luftojë këtë humbje të rëndë të masës trupore, gjë që e shtyu ekipin e saj ta hulumtojë testosteronin e hormoneve si një opsion për t’i luftuar pasojat shpesh paaftësuese të kaheksisë së kancerit.

"Ne tashmë e dimë se testosteroni ndërton muskuj skeletorë tek individët e shëndetshëm, kështu që provuam ta përdorim atë në një popullsi me rrezik të lartë të humbjes muskulore, me qëllim që këta pacientë të mund ta ruajnë fuqinë dhe statusin e performancës që të jenë në gjendje t’i marrin terapitë standarde të kancerit," tha dr. Sheffield-Moore.

Gjatë këtij studimi pesëvjeçar të financuar nga Instituti Kombëtar i Kancerit, pacientët me një lloj kanceri të njohur si karcinoma qelizore skuamoze u trajtuan me terapi standarde me kimioterapi dhe/ose rrezatim, përveç shtatë javëve të trajtimit me testosteron ose placebo. Gjatë gjithë studimit, pacientët u monitoruan për ndryshime në aktivitetin fizik, në masën muskulore dhe dhjamore dhe u testuan për performancë fizike.

Pacientët në këtë studim që morën testosteron e ruajtën masën totale të trupit dhe e rritën masën jodhjamore të trupit me 3.2 për qind. Ruajtja e masës trupore është e rëndësishme pasi që shumica e pacientëve e përjetojnë një rënie prej 20 për qind ose më shumë në masë trupore në varësi të llojit të kancerit.

"Pacientët e randomizuar në grupin që mori testosteron si një ndihmës në trajtimin standard me kimioterapi dhe/ose rrezatim gjithashtu treguan një aktivitet të shtuar fizik", tha dr. Sheffield-Moore. "Ata ndiheshin mjaft mirë për t'u ngritur dhe për t'u kujdesur për disa nga aktivitetet e tyre themelore të jetesës së përditshme, si gatimi, pastrimi dhe larja e tyre."

Përveç kësaj, laboratori i dr. Sheffield-Moore po i analizon aktualisht të dhënat proteomike të muskujve skeletorë nga ky studim. "Ajo që proteomi [profili i proteinave që gjenden në muskuj] na tregon është se cilat proteina të caktuara në muskujt skeletorë janë ose pozitivisht ose negativisht të prekura nga testosteroni ose nga kanceri ", tha dr Sheffield-Moore. "Kjo na mundëson të fillojmë të gërmojmë në mekanizmat potencialë të cilët qëndrojnë prapa kaheksisë së kancerit".

Dr. Sheffield-Moore shpreson që ky hulumtim do t’i ndihmojë pacientët me kancer ta rrisin cilësinë e jetesës dhe ta ruajnë të drejtën për të marrë terapi standarde të kujdesit nëse shfaqet kaheksia.

Artikuj të ngjashëm