Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gjithçka rreth rënies së flokëve, përfshirë çka duhet të ndërmerret

flokët

Flokët

Kur krehri mbushet shpejt me flokë ose fillon të vësh re gjithnjë e më shumë fije në rroba, është e natyrshme të shqetësohesh, sidomos me kalimin e moshës.

Por në shumicën e rasteve, kjo është pjesë normale e plakjes, ka shkruar prestigjiozja TIME.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studimet tregojnë se më shumë se 50 për qind e grave mbi 50 vjeç përjetojnë rënie të flokëve sipas modelit femëror (zakonisht në majë të kokës), forma më e zakonshme e humbjes së flokëve te gratë.

Dermatologia Mary Lupo ka shpjeguar se flokët janë më të dendur dhe më të fortë mes moshës 15 dhe 30 vjeç.

“Pas kësaj ka një rënie graduale, ndërsa ndryshimet bëhen më të theksuara pas menopauzës. Estrogjeni është shumë i mirë për flokët. Pas menopauzës, gratë humbin estrogjen dhe flokë”, ka thënë ajo.

Sa është normale?

Është normale të bien 50 deri në 150 fije flokësh në ditë. Ani pse duket shumë, duhet ditur se një person ka rreth 100 mijë fije flokësh në kokë.

Çdo fije kalon në katër faza:

Anagen, faza e rritjes, që zgjat disa vite

Catagen, faza kalimtare, disa javë

Telogen, faza e pushimit, 3–4 muaj

Exogen, faza e rënies

Pas rënies, folikula fillon të prodhojë një fije të re. Meqë jo të gjitha fijet janë në të njëjtën fazë njëkohësisht, nuk mbetemi tullace çdo disa vite.

“Sapo e sheh që po të bien flokët, fillon të shohësh vetëm flokë që bien”, ka thënë dermatologia Doris Day nga NYU Langone Health

Kur duhet shqetësuar?

Ka disa shenja që tregojnë se rënia mund të jetë e tepruar:

vijë ndarëse më e gjerë në mes të flokëve

duket skalpi në pjesën e përparme

bishti i flokëve është më i hollë se më parë

shumë flokë në kullimin e dushit ose në jastëk

Shkaqet kryesore

Rënia e flokëve shpesh ka disa shkaqe njëkohësisht.

Faktorët gjenetikë janë shumë të zakonshëm dhe mund të trashëgohen nga të dy prindërit.

Stresi emocional (si humbja e një personi të dashur ose një zhvendosje e vështirë) apo stresi fizik (operacion i madh, rënie e shpejtë në peshë, infeksion i rëndë me COVID-19) mund të shkaktojnë rënie të theksuar.

Por efekti nuk shihet menjëherë.

“Ka një vonesë prej tre deri në katër muaj për shkak të ciklit natyror të flokëve”, ka shpjeguar Day.

Sëmundje si çrregullimet e tiroides, anemia apo sindroma e vezoreve policistike (PCOS), si dhe disa ilaçe (p.sh. disa antidepresivë apo barna për tensionin e lartë), mund të ndikojnë gjithashtu.

Edhe mungesa e vitaminës D, hekurit apo proteinave mund të luajë rol.

Një faktor tjetër shpesh i nënvlerësuar është mënyra e stilimit.

Dermatologia Elizabeth Bahar Houshmand ka thënë se rreth 40 për qind e grave humbin më shumë flokë për shkak të lidhjes së tyre shumë shtrëngueshëm. 

Me kalimin e viteve, jo vetëm që bien më shumë fije, por flokët rriten më ngadalë dhe fijet e reja dalin më të holla se më parë. Kjo e bën hollimin më të dukshëm.

Çfarë mund të bësh?

Nëse rënia e flokëve të shqetëson, vizito një dermatolog. Ai mund të kontrollojë skalpin dhe të kërkojë analiza gjaku për të gjetur shkakun.

Nëse problemi lidhet me një sëmundje, trajtimi i saj mund të ndihmojë. Për shembull, tek PCOS, një ilaç si spironolactone mund të përdoret për të ndihmuar në rritjen e flokëve te gratë.

Nëse ka mungesë hekuri, vitamine D apo proteinash, suplementet mund të përmirësojnë situatën.

“Kur nivelet kthehen në normalitet, do të kesh më shumë volum dhe më pak rënie”, ka thënë Lupo.

Suplementet si Nutrafol apo Viviscal kanë treguar në disa studime se mund të ndihmojnë në rritjen e flokëve dhe reduktimin e rënies, sidomos te gratë në periudhën e menopauzës.

Nëse problemi lidhet me skalpin, si dermatiti seborrheik (zbokth, inflamacion), shampo me zinc pyrithione ose ketokonazol mund të ndihmojnë. Këshillohet të masazhohet mirë skalpi dhe shampo të lihet disa minuta para shpëlarjes.

Për rënien sipas modelit femëror, minoxidil 5 për qind (shkumë që aplikohet një herë në ditë në skalp) mund të jetë efektiv. Por nëse ndalet përdorimi, efekti humbet brenda tre muajve.

Gjithashtu këshillohet që të shmangen stilimet shumë të shtrënguara kur kapen flokët, të kufizohen trajtimet agresive si zbardhimi, duhet përdorur balsam që nuk kërkon shpëlarje si dhe sugjerohet të flihet në jastëk me këllëf sateni.

“Çdo trajtim për flokët kërkon të paktën gjashtë muaj për të parë rezultat”, ka theksuar Lupo duke theksuar se duhet të keni durim.

Shpesh nevojitet kombinim i disa metodave.

Në raste më të rënda, ekzistojnë trajtime më të avancuara si terapia me lazer, injeksione PRP (plazmë e pasur me trombocite) apo transplant flokësh.