Fëmijët e infektuar me COVID-19 mund të mbajnë virusin për disa javë, edhe nëse nuk shfaqin fare simptoma, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën mjekësore amerikane “JAMA Pediatrics”.
Hulumtuesit kanë mbikëqyrur 91 fëmijë me COVID-19 nga 18 shkurti deri më 31 mars në 22 spitale në Korenë e Jugut, një nga shtetet e para të prekura nga pandemia e koronavirusit.
Rreth 22 për qind e fëmijëve, që ishin nën moshën 19-vjeçare, ishin asimptomatikë. Pjesa tjetër kishin simptoma që ishin vënë re pak para ose menjëherë pas dhënies së rezultatit pozitiv. Jetëgjatësia e simptomave dallonte, me disa fëmijë që kishin simptoma vetëm për tri ditë, e të tjerët gati tri javë, sipas studimit.
Në përgjithësi, hulumtuesit kanë thënë se virusi mund të vihej re për një mesatare prej 2 javë e gjysmë në rrugët e frymëmarrjes te fëmijët.
Hulumtuesit gjetën se gjysma e fëmijëve që ishin asimptomatikë dhe një e pesta e fëmijëve asimptomatikë kishin ende virusin, pas ritestimit pas tri javësh që nga diagnoza e parë. Sipas tyre, jetëgjatësia e virusit mund të ishte edhe më e gjatë, pasi që data e saktë e infektimit është e panjohur.
“Këto gjetje janë tejet të rëndësishme në zhvillimin e strategjive për shëndetin publik që të luftojë në parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit në komunitete, në veçanti te ato të infektuarat e ku nisin fazat e lehtësimit”, kanë thënë ekspertet Roberta DeBiasi dhe Meghan Delane nga Spitali Kombëtar për Fëmijë në Uashington.
Mbetet e paqartë nëse fëmijët mund të infektonin të tjerët teksa kishin virusin, dhe nëse po, për sa gjatë. Ky hulumtim ka gjetur se pacientët me COVID-19 mund ta “fshehin” virusin për deri në tre muaj që nga marrja e tij.
Autorët e studimit kanë theksuar se hulumtimi i tyre ishte i limituar. Ata kanë thënë se s’kanë mundur të analizojnë se sa kanë mundur të infektojnë fëmijët njerëz të tjerë duke marrë parasysh rregullat strikte të karantiminit që ishin në Kore të Jugut.
Hulumtimi i publikuar të premten vjen në kohën kur shumë shtete të botës janë në mëdyshje për mënyrat e fillimit të vitit të ri shkollor.