Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Faktorë të rinj gjenetikë që lidhen me fibromialgjinë

Dhimbja kronike

Dhimbja kronike

Një studim i madh ndërkombëtar ka identifikuar faktorë të rinj gjenetikë që lidhen me fibromialgjinë, sëmundje kronike që shkakton dhimbje të përhapura në trup, lodhje të vazhdueshme dhe vështirësi me kujtesën e përqendrimin, ka shkruar The Independent.

Studiuesit analizuan ADN-në e më shumë se 2.5 milionë personave nga Britania, SHBA-ja, Finlanda, Danimarka, Islanda dhe Estonia, përfshirë rreth 55 mijë persona të diagnostikuar me fibromialgji.

Rezultatet zbuluan 26 variante gjenetike që lidhen me rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

“Duke studiuar ADN-në e më shumë se dy milionë njerëzve, mund të themi me besim se këto rezultate janë të sakta dhe tregojnë se fibromialgjia është një çrregullim i mënyrës se si truri përpunon dhimbjen”, ka thënë profesoresha Frances Williams nga King’s College London.

Ekspertët theksojnë se për shumë vite pacientëve me fibromialgji u është thënë se dhimbjet e tyre ishin vetëm psikologjike.

“Për dekada me radhë, pacientët janë shpërfillur ose u është thënë se dhimbja e tyre ishte vetëm psikologjike. Gjetjet tona konfirmojnë se kjo sëmundje ka një bazë të qartë biologjike”, ka thënë doktori Michael Wainberg nga Universiteti i Torontos.

Edhe Shkencëtarët krijojnë “hartën” më të madhe të autizmit deri më sot Lifestyle Shkencëtarët krijojnë “hartën” më të madhe të autizmit deri më sot

Studimi ka zbuluar gjithashtu një lidhje mes fibromialgjisë dhe gjenit HTT, mutacionet e të cilit shkaktojnë sëmundjen e Huntingtonit. Sipas studiuesve, kjo mund të hapë rrugën që ilaçet që po testohen për Huntingtonin të përdoren në të ardhmen edhe për trajtimin e fibromialgjisë.

Po ashtu, u vu re se fibromialgjia ndan faktorë gjenetikë me sëmundje të tjera, si dhimbja kronike e mesit, sindroma e zorrës së irrituar, si edhe shpesh shoqërohet me ankth dhe depresion.

Ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë se si ndërveprojnë gjenet, mjedisi dhe ngjarjet e jetës në zhvillimin e fibromialgjisë, me synimin për të krijuar trajtime më efektive në të ardhmen.