Nxënësit e shkollave të mesme, edhe nëse rrallë konsumojnë lëndë narkotike si kanabisi e nikotina, si dhe pije alkoolike, kanë predispozita të mëdha të zhvillojnë ndonjë sëmundje mendore, raporton “AOL”.
Në Massachusetts të SHBA-së, është bërë një studim përgjatë viteve 2022 e 2023, përmes së cilit janë analizuar 15 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe është gjetur se ata të cilët konsumojnë lëndë narkotike apo alkool, qoftë edhe rrallë herë, kanë predispozita të mëdha që në të ardhmen të zhvillojnë simptoma të sëmundjeve psikologjike si depresion, mendime rreth vetëvrasjes, ankth, mungesë vëmendjeje si dhe hiperkartivitet.
Sipas studimit edhe ata nxënës të cilët kishin konsumuar substanca të tilla qoftë edhe një herë në muaj, kishin predispozita të zhvillojnë gjendje jo të mirë psikologjike.
“Studimi nuk ka specifikuar se çka shkakton marrja e veç njërës prej këtyre substancave, kështu që nuk mund të themi se po e dimë se cili është shkaktari i gjendjes psikologjike, për shkak se studimi është bërë për të tria alkool, kanabis e nikotinë”, ka thënë doktori Christopher J.Hammond, psikiatër i adoleshentëve në Universitetin “John Hopkins”, i cili nuk ka qenë pjesë e studimit.
Ndërkohë doktoresha Maria Rahmandar, e cila është bashkautore e studimit ka thënë se nuk është e befasuar nga gjetjet, për shkak se sipas saj, tashmë është ditur se përdorimi i substancave shkakton gjendje jo të mirë psikologjike.
Por ajo ka bërë të ditur se është me rëndësi fakti që gjetën se përdorimi edhe i rrallë i alkoolit e narkotikëve, ndikon për të keq.
“Është me rëndësi të dihet se përdorimi i substancave, pikërisht gjatë rinisë, nxit shqetësim të madh për çështjet e shëndetit mendor”, ka thënë ajo.
Çfarë duhet të dinë prindërit?
Prindërit duhet të dinë se diskutimet me fëmijë, rreth marrjes së substancave, mund të jenë të vështira, por është me rëndësi të bëhen sa më herët.
Ekspertët e çështjeve mendore kanë bërë të ditur se prindërit duhet të fillojnë të diskutojnë rreth substancave narkotike që kur fëmija është 9 vjeç.
Këto diskutime mund të fillojnë në mënyrë graduale dhe të shpjegohet thjeshtë se çfarë pasojash mund të sjellë përdorimi i tyre.
Nëse fëmija i dikujt ka mendime rreth vetëvrasjes, doktorët këshillojnë që prindërit menjëherë duhet të fillojnë të pyesin se çfarë po i shkakton këto mendime, si dhe t’i fillojnë diskutimet me të menjëherë, por pa zhurmë e britma.
Prindërit duhet t’i qasen fëmijës me qetësi e me shumë seriozitet, në mënyrë që fëmija të inkurajohet të flasë hapur, si edhe të kuptojë që kjo çështje është serioze dhe nuk duhet të merret si shaka.