Dy barna që përdoren zakonisht për zemrën mund të kenë potencial të madh për të trajtuar sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur, sipas studimit të ri nga Universiteti i Barcelonës, i publikuar në revistën Pharmacological Research, ka raportuar Science Daily.
Sëmundja e njohur sot si “metabolic dysfunction-associated steatotic liver disease” (MASLD), që dikur quhej “fatty liver disease” sëmundja e mëlçisë së dhjamosur, është aktualisht çrregullimi më i përhapur i mëlçisë në botë.
Prek rreth një në tre të rritur dhe ndodh kur yndyra grumbullohet brenda qelizave të mëlçisë, duke rritur rrezikun për dëmtime serioze të saj dhe për sëmundje kardiovaskulare.
Studiuesit nga Barcelona kanë zbuluar se dy ilaçe ekzistuese, pemafibrati dhe telmisartani, mund të reduktojnë ndjeshëm grumbullimin e yndyrës në mëlçi dhe të ulin rrezikun e komplikimeve në zemër e enë gjaku.
“Kjo qasje mund të ndryshojë mënyrën si trajtohet MASLD”, thuhet në raportin e studimit.
Përdorimi i ilaçeve ekzistuese për qëllime të reja
Ky studim mbështetet në strategjinë e “ri-përdorimit të barnave”, pra përdorimin e ilaçeve që tashmë janë të sigurta për njerëzit, për trajtimin e sëmundjeve të tjera. Kjo metodë është më e shpejtë, më e lirë dhe më e sigurt se zhvillimi i barnave të reja.
“Ne jemi fokusuar në fazat e hershme të sëmundjes, për ta parandaluar përparimin e saj në stade më të rënda”, ka shpjeguar profesoresha Marta Alegret nga Universiteti i Barcelonës.
Sipas saj, që një ilaç të përdoret në këto faza, ai duhet të ketë një profil shumë të mirë sigurie.
“Prandaj kemi studiuar barna që tashmë janë në treg për patologji të tjera, por që mund të kenë efekt pozitiv në MASLD”, ka shtuar ajo.
Pemafibrati përdoret në Japoni për uljen e yndyrave në gjak, ndërsa telmisartani është një ilaç i zakonshëm për tensionin e lartë. Të dy ndihmojnë në uljen e rrezikut kardiovaskular, një faktor që, sipas Alegret, është shumë i rëndësishëm.
“Vdekshmëria nga shkaqe kardiovaskulare është e lartë te pacientët me MASLD, dhe shpesh këta pacientë i kanë këto dy rreziqe bashkë”, ka theksuar ajo.
Rezultatet e kërkimit
Studimi u realizua fillimisht me minj laboratorikë dhe më pas me larva të peshkut “zebrafish”, një model i ri dhe më ekonomik për studimin e sëmundjeve metabolike.
Rezultatet ishin shumë premtuese:
Kombinimi i pemafibratit dhe telmisartanit e ktheu mbrapsht grumbullimin e yndyrës në mëlçi të shkaktuar nga dieta e pasur me yndyrë dhe fruktozë. Madje, edhe me gjysmën e dozës së secilit ilaç, efekti ishte po aq i fortë sa me një dozë të plotë të vetëm njërës prej tyre.
“Kombinimi i dy barnave që veprojnë në rrugë të ndryshme mund të jetë më efektiv se përdorimi i vetëm njërit, falë efekteve sinergjike dhe uljes së toksicitetit”, ka shpjeguar Alegret.
Ajo ka shtuar se ky kombinim “jo vetëm që përmirëson gjendjen e mëlçisë, por edhe ul tensionin dhe nivelin e yndyrës së keqe në gjak, duke zvogëluar ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës”.
Si veprojnë ilaçet
Sipas studimit, pemafibrati dhe telmisartani veprojnë përmes mekanizmave të ndryshëm.
Për herë të parë, studiuesit zbuluan se proteina PCK1 luan rol të rëndësishëm në mënyrën si telmisartani ndihmon në uljen e yndyrës së mëlçisë.
“Telmisartani është përdorur edhe më parë në modele të MASLD, por kryesisht në fazat e avancuara, ku efektet e tij i atribuoheshin veprimit kundër inflamacionit dhe fibrozës. Në fazat e hershme, kur nuk ka ende inflamacion, ne zbuluam se ai ndikon duke rivendosur nivelet e proteinës PCK1”, ka shpjeguar profesoresha.
Ajo ka shtuar se kjo bën që metabolizmi të zhvendoset nga prodhimi i yndyrave në prodhimin e glukozës, por pa rritur nivelin e sheqerit në gjak.
Ende larg përdorimit te njerëzit
Megjithëse rezultatet janë premtuese, autorët theksojnë se studimi është ende në fazë eksperimentale me kafshë.
“Për t’u përdorur te pacientët me MASLD, duhen studime klinike që të vërtetojnë të njëjtat përfitime te njerëzit”, ka thënë Alegret.
Ajo ka shtuar se ekipi tashmë po punon për të testuar efektin e kombinimit edhe në fazat më të avancuara të sëmundjes, kur mëlçia pëson fibrozë.
“Do të zhvillojmë gjithashtu një model që përfshin fibrozën e mëlçisë dhe sëmundjen kardiovaskulare, për të parë nëse ky efekt pozitiv shihet edhe në uljen e aterosklerozës”, përfundon ajo.