Dhimbjet e barkut janë ndër komplikimet shëndetësore më të shpeshta që prekin organizmin dhe trupin e njeriut.
Mjafton një ftohje apo virozë e lehtë dhe dhimbjet e barkut bëhen menjëherë prezente, e madje ndonjëherë edhe të padurueshme, sidomos gjatë natës kur bëhen shkak i pagjumësisë duke sjellë si pasojë edhe lodhje.
Ndërrimi i ambientit nga i ngrohtë në të ftohtë dhe anasjelltas, kondicionerët, djersitja etj, shpesh bëhen shkak i ftohjes, e për rrjedhojë dhimbjeve të barkut.
Disa kura natyrale shumë efektive dhe të nevojshme që ndihmojnë në lehtësimin dhe shërimin e dhimbjeve të barkut:
Ujë me Sodë
Vetitë vepruese të sodës së bukës ndihmojnë në zbutjen e dhimbjeve të barkut.
Në rastet kur ka dhimbje barku të shkaktuara nga i ftohti mjafton të hidhet gjysmë luge çaji me sodë buke në një gotë të mbushur gjysmë me ujë.
Uji me sodë nuk është i rekomandueshëm të përdoret në këtë rast për personat që vuajnë nga tensioni i lartë.
Pureja e Mollës
Mollët janë fantastike për sa i përket dhimbjes së barkut dhe stomakut. Mund të konsumohen si fruta, por në rastin e dhimbjeve në stomak apo në bark, rekomandohet që të përgatiten në formën e puresë.
Mjafton të qërohet një apo dy kokrra mollë, të zihet për 10 minuta e më pas të kalohet në një mikser në formën e puresë.
Sapo të konsumohet, lehtësimi do të jetë i menjëhershëm.
Banania, Xhenxhefili dhe Kanella
Banania është ndër frutat që ndihmon në largimin e dhimbjeve të barkut dhe të stomakut gjithashtu. Por, ky frut nuk rekomandohet që të konsumohet asnjëherë esëll herët në mëngjes me stomak bosh.
Edhe kanella është shumë efektive në problemet me barkun dhe stomakut.
Në raste të tilla mund të përgatitet një çaj kanelle, ku mjafton të hidhen dy lugë çaji kanellë pluhur në një filxhan çaji dhe uji dhe të zihet për 10 minuta.
Edhe xhenxhefili është ndër zgjidhjet më efikase kundër dhimbjeve të barkut dhe stomakut.
Mjafton të përgatitet në formë çaji duke zierë dy feta xhenxhefili në një filxhan çaji ujë për 10 minuta dhe më pas të konsumohet.
Efektet e jashtëzakonshme të kamomilit
Kamomili është i përshtatshëm në përdorimin e shumë kurave natyrale për qetësimin dhe lehtësimin e dhimbjeve.
Ai është një kurë efektive shumë e mirë edhe për lehtësimin e dhimbjeve të barkut. /Agroweb